Arbëri

Prokuroria konstaton se s’ka pasur keqpërdorim mjetesh në Kompleksin Memorial të Mejes

Edhe pas 12 vjetësh nga nisja e punimeve për ndërtimin e Kompleksit Memorial në Meje të Gjakovës, gjendja e varrezave vazhdon të mbetet e njëjtë.

Madje, varrezat e 370 personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë vetëm sa janë shkatërruar edhe më shumë, raporton KTV.

Kjo po ua bënë edhe më të madhe dhimbjen familjarëve, të cilët thonë se të afërmit e tyre po i vrasin për së dyti institucionet me këtë neglizhencë.

Familjarët vazhdojnë të kenë dyshime se mjetet që ishin paraparë për ndërtim, u keqpërdorën, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar që të ketë vonesa në punime.

Për shkak të këtij dyshimi, në përvjetorin e kësaj masakre në vitin 2018, kryeministri Ramush Haradinaj i kishte kërkuar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, që të nisë hetimet.

Prokuroria Themelore në Gjakovë e kishte bërë këtë.

Por, pasi pranoi një raport të Policisë për rastin, Prokuroria erdhi në përfundim se nuk ka pasur elemente të veprës penale dhe i pushoi hetimet.

Sidoqoftë, në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale thonë se deri në përvjetorin e radhës, në prill, këto varreza do të rregullohen.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, thotë se brenda 3 vjetësh do të ndërtohen edhe objektet e tjera përcjellëse që parashihen me projektin, i cili do të kushtojë rreth 1 milion e gjysmë euro.