Arbëri

Podujeva që 6 muaj pa bibliotekë, Vetëvendosje ndan lektyra shkollore për nxënësit

Komuna e Podujevës që gjashtë muaj e ka lënë qytetin pa objekt të bibliotekës, pasi e kishte rrënuar objektin e ish-Komitetit, në të cilin gjendej edhe biblioteka, për t’i hapur vend ndërtimit të “Rrugës së xhamisë”, e deri tash nuk i ka bërë asnjë zgjidhje.

Lëvizja Vetëvendosje sot ka ndërmarrë një aksion për t’u dalë nxënësve në ndihmë duke u ndarë lektura shkollore, transmeton Koha.net.

E për këtë çështje zyrtarët komunalë të Podujevës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, megjithëse pyetjet u janë dërguar nga 27 dhjetori i vitit të kaluar, ka raportuar Koha Ditore ditë më parë.

Komuna lë qytetin pa bibliotekë

Në një postim në Facebook, Vetëvendosje në Besianë shkruan se, “për shkak të ndërtimit të rrugës Qendër-Rrethi për Kërpimeh buzë Lumit Llap është rrënuar biblioteka e qytetit tash e 6 muaj dhe nuk është në shërbim të lexuesve. Lëvizja Vetëvendosje këtë shqetësim e ka ngritur edhe në Kuvendin Komunal disa herë ndërsa kryetari Veliu shprehet i lumtur për rrënimin e objektit të bibliotekës së qytetit”.

“Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë sot bënë shpërndarjen e lektyrave shkollore për nxënësit e shkollave fillore duke u munduar që sadopak t’u dalim në ndihmë të gjithë atyre lexuesve të cilët përmbyllën gjysmë vjetorin e parë dhe janë në pushime dimërore”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook, derisa kanë bashkangjitur edhe disa fotografi nga ngjarja.

Image