Arbëri

Në Vushtrri nis pastrimi i deponisë më të madhe ilegale

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është pastruar një ndër deponitë më të mëdha në Kosovë, e fundit e këtij vëllimi, e cila gjendet në Pasomë të Komunës së Vushtrrisë, nga ku u larguan qindra kamionë me mbetje me makineri të rëndë.

Për pastrimin e kësaj deponie të gjatë rreth dy kilometra, janë angazhuar tre ekskavatorë dhe dy kamionë, ndërsa aksioni i nisur sot do të vazhdojë për së paku dy javë deri në pastrimin e plotë të saj, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj ka thënë se Komuna e Vushtrrisë duhet të merret si model për angazhimin që ka treguar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, transmeton Koha.net.

“Misioni i fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” ka qenë të largohen sa më shumë deponi dhe të mobilizohen sa më shumë resurse, duke filluar nga ato komunale për ta përmirësuar një gjendje shqetësuese. Ndihemi mirë që jemi në Vushtrri, që ka qenë model në Fushatë. Jemi të fasionuar me punën që ka bërë komuna dhe angazhimin që ka dhënë në pastrim, përfshirë edhe kompanitë dhe koordinatorët lokalë. Do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen. Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe përkrahjen që i keni dhënë Fushatës. Ne po vazhdojmë me pastrimin e deponive, por natyrisht që sfiduese do të jetë mirëmbajtja e tyre”, ka thënë Hasanaj.

Ai përmendi Kompaninë “Wenda”, e cila është angazhuar vullnetarisht për pastrimin e kësaj deponie, si një shembull të mirë të mobilizimit. Këtë kompani, Let’s Do It e ka mbështetur me derivate. Përveç Wendës, kompania tjetër e angazhuar për pastrimin e kësaj deponie është “Uniteti”.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se presin që komuna të jetë fituese e grantit të premtuar nga Qeveria.

“Ne po vazhdojmë sot aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, i falënderoj Let’s Do It. Jemi në këtë lokacion ku është një deponi 20 vjeçare është në gjatësi 1900 metra në të dy anët e rrugës ku janë hedhë mbeturinat gjatë 20 viteve të fundit, dhe ne sot kemi filluar me pastru. Komuna jonë është duke prirë në këtë aksion dhe unë besoj që ky vullnet të vlerësohet në ndarjen e grantit qeveritar në fund të kësaj gare. Në ketë vend presim qe të vendoset një investitor i huaj gjerman”, ka thënë Tahiri.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Nasuf Aliu bëri të ditur se kanë marrë vendim që të krijojnë dy hapësira për hedhjen e mbeturinave inerte.

“Sot jam i lumtur që po marr pjesë në këtë aksion. Sot kemi një lajm të mirë sepse sot kemi marr vendim që të caktojmë edhe dy lokacione të reja në Komunën e Vushtrrisë për hedhjen e mbeturinave inerte. Ne shpresojmë që kjo kundër masë të realizohet me sukses”, ka thënë Aliu.

Përveç Vushtrrisë, sot pati aksion edhe në Komunën e Ferizajt.

Fillimisht, në magjistralen Prishtinë – Shkup, përballë Mileniumit është pastruar me makineri një deponi ilegale e mbeturinave.

Largimin e mbetjeve me makineri e ka bërë në mënyrë vullnetare Kompania “Eskavatori”.

Më pas, aksioni vazhdoi me pastrimin e rreth një kilometër të brezit rrugor, nga rruga “Brahim Ademi", përreth sallës së sportit “Bill Clinton” e deri te varrezat e dëshmorëve në qytetin e Ferizajt.

Përgjatë këtij brezi rrugor vullnetarët arritën të largojnë mbi 50 thasë me mbeturina, ndërsa përveç ekipit të Let’s Do It dhe punëtorëve të Kompanisë “Eskavatori”, aksionit iu bashkuan edhe pjesëtarë të KFOR-it amerikan, zyrtarë komunal, nxënës të Shkollës “Kuvendi i Arbërit”, si dhe Kompania “Pastërtia”.

Besnik Shabiu nga Let’s Do It Kosova ka thënë se ndërtuesit më nuk kanë arsye të ankohen, pasi tashmë komunat i kanë përcaktuar lokacionet për mbetje inerte, dhe ndërtuesit tashmë kanë adresën se ku t’i dërgojnë ato.

Nga aty u bë thirrje që kompanitë e pastrimit të vazhdojnë me mirëmbajtjen e brezit rrugor, në mënyrë që të mos krijohet imazh i keq qysh në hyrje të qyteteve shkaku i mbeturinave. Po ashtu, edhe qytetarëve iu bë thirrje që të heqin dorë nga praktika e hedhjes së mbeturinave nga dritaret e veturave të tyre, pasi po e ndotin hapësirën publike.

Aksione pastrimi në kuadër të Fushatës, janë realizuar edhe në Gjilan e Krushë të Madhe.

Së shpejti, falë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Kosova do të ketë 800 deponi më pak.