“Në këto ditë të ftohta, vetëm dashuria dhe mirësia na mban ngrohtë” - është thënia me të cilën të rinjtë e Kamenicës e kanë shoqëruar aktivitetin e tyre.

Të rinjtë e Kamenicës, vullnetarë nga KVRL-ja (Këshilli i Veprimit Rinor Lokal), kanë marrë iniciativë për vendosjen e palltove nëpër qytet për njerëzit në nevojë, raporton KTV.
Kushdo që ka nevojë mund të marr një pallto, ato janë falas.

Gjithashtu, edhe një grup të rinjsh nga Qendra Rinore në qytetin e Ferizajt kanë nisë një aksion për t’i ndihmuar familjet skamnore gjatë këtij sezoni dimëror. Në mesin e aksioneve ky grup ka mbledhur edhe rroba nga qytetarë të ndryshëm të cilët nuk i përdorin, ndërkohë ato rroba po i varin nëpër drunj te nënkalimi i hekurudhës në qendër të qytetit. Gjatë së shtunës, ky grup të rinjsh ka vendosur mbi 50 pallto afër nënkalimit, ndërkohë të gjitha janë marrë nga njerëzit e varfër, raporton “Koha Ditore”.


Xheneta Nazifi, aktiviste nga Qendra Rinore, njëherësh organizatore e këtij aktiviteti, ka thënë se për çdo vjet i ndihmojnë familjet skamnore në forma të tilla. “Aktiviteti me rroba ishte ide e përbashkët e grupit tonë rinor dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Edhe në të kaluarën kemi pasur aktivitete me rroba por ato i kemi dorëzuar te Kryqi i Kuq dhe te Qendra për Punë Sociale, ndërkaq sivjet e kemi bërë këtë formë pak më të veçantë. Gjatë së shtunës kemi shpërndarë edhe gjësende të tjera të cilat i kanë dhuruar qytetarët e kësaj komune. Qytetarët po i pastrojnë rrobat dhe po i paketojnë ato në mënyrë që t’i shpërndahen familjeve skamnore”,ka thënë Nazifi. Sipas saj me këtë aktivitet në mënyrë vullnetare do të vazhdojnë deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Nga ana tjetër Besnik Berisha drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se në këtë komunë afro një mijë familje janë të regjistruara në skemën sociale. “Aksioni i këtij grupi të rinjve është solidar, mirëpo edhe Kryqi i Kuq në Ferizaj i ndihmon familjet skamnore. Ne si komunë po mundohemi t’i ndihmojmë familjet skamnore në forma të ndryshme”, ka thënë Berisha.
Ndryshe, në Turqi dhe Bullgari, njerëzit kanë ndërmarrë një veprim të tillë human duke vendosur xhaketa dhe xhupa nëpër pemë për të pastrehët dhe ata me kushte të rënda ekonomike./Agim Ademi
