Arbëri

“Qytetarët, donatorët kryesorë që fëmijët lëmoshëkërkues janë në rrugë”

Organizata Rinore ‘Akti’ në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës dhe Policinë e Kosovës, si dhe në mbështetje të organizatës gjermane ‘GIZ’, kanë lansuar sot në qytetin e Mitrovicës fushatën kundër dhënies së lëmoshës për fëmijët lëmoshëkërkues nga ana e qytetarëve.

Rexhep Gojnovci, drejtor i organizatës ‘Akti’, ka bërë të ditur për KosovaPress se dhënia e lëmoshës për fëmijët lëmoshëkërkues nga ana e qytetarëve, nuk i përkrahë ata, por në fakt i dëmton dhe ka më shumë efekte negative sesa pozitive.

Sipas tij, në bazë të disa hulumtimeve të kësaj organizate, qytetarët janë donatorët kryesorë që këta fëmijë janë në situatë rruge.

“Jemi duke zhvilluar një fushatë për informimin qytetar për mos dhënien e lëmoshës për fëmijët lëmoshëkërkues. Ideja është që ne të punojmë me qytetarin, sepse në bazë të analizave dhe hulumtimeve që kemi bërë, kushtimisht qytetarët janë donatorët kryesorë që këta fëmijë janë në situatë rruge. Dhënia e lëmoshës për këta fëmijë lëmoshëkërkues në rrugë është dëmtim dhe ka më shumë efekte negative sesa pozitive”, ka thënë mes tjerash Gojnovci.

Bedri Sadiku, koordinator pranë zyrës komunale për kthim dhe riintegrim në Mitrovicë, tha se dhënia e mjeteve financiare nga ana e qytetarëve për lëmoshëkërkuesit, vetëm sa i shtynë ata në një krizë akoma më të madhe.

“Mesazhi kryesor është t’i njoftojmë qytetarët se me dhënien e këtyre mjeteve financiare, ne i thellojmë dhe shtymë lëmoshëkërkuesit në një krizë edhe më të madhe”, theksoi Sadiku.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, theksoi se numri i fëmijëve lëmoshëkërkues nuk është i madh.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë evidentuar vetëm dy raste të lëmoshëkërkuesve, shtetas të Shqipërisë, të cilët me urdhër të Gjykatës janë deportuar në vendin e tyre të origjinës.

Ai nuk përjashtoi edhe ndonjë rast vendor, duke potencuar se numri i tyre është shumë i vogël, ndërsa shtoi se policia vazhdon të ketë qasje aktive në këtë drejtim, me qëllim që kjo dukuri të parandalohet krejtësisht.

“Tashmë statistikat si numra nuk janë të mëdha. Ne gjatë këtij viti kemi pasur dy raste të lëmoshëkërkuesve të identifikuar, të cilët nuk kanë qenë shtetas të Republikës së Kosovës. Ata i janë nënshtruar procedurave, gjegjësisht Gjykatës kompetente, të cilëve u janë shqiptuar masa e deportimit nga vendi që kanë ardhur, kryesisht kanë qenë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa kemi raste edhe vendore të cilët janë trajtuar po ashtu përmes Gjykatës, por që numri i tyre nuk është i përmasave të mëdha. Përkundër kësaj, policia vazhdon të ketë qasje aktive me qëllim që kjo dukuri të parandalohet”, sqaroi Zahiti.

Ndryshe, organizata ‘Akti’ gjatë ditëve në vijim do të vazhdojë me këtë fushatë edhe nëpër qytete tjera të Kosovës.