Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Kosova “sui generis” edhe me “ushtrues të detyrës”!

Vështirë të gjesh një vend demokratik ku fituesi i 51 për qind të votave në zgjedhje nuk mund ta mbajë pushtetin siç i ndodhi Vetëvendosjes në Kosovë. Për herë të tretë në 18 muaj shkon në zgjedhje parlamentare. E me këtë tashmë fenomen kosovar, vendin e presin zgjedhje çdo gjashtë muaj edhe në të ardhmen. Kështu, Kosova mbetet me ushtrues detyre. Status të tillë ka edhe kryeministri, edhe kryetarja e Kuvendit të shpërndarë që ushtron detyrën e presidentes. Koincidencë është se edhe BE-ja ka dështuar të gjejë një “figurë unifikuese” për shef të zyrës në Kosovë dhe ka shpallur përsëri konkursin. Zyra e BE-së udhëhiqet nga “ushtruesja e detyrës” po ashtu. Edhe Ambasada e SHBA-së nuk ka ambasador fuqiplotë, por ushtruese detyre. Këtë duhet ta kenë parasysh ata që mendojnë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’ua imponojnë kosovarëve një zgjidhje për daljen nga ngërçi

Humbjet e Kosovës për shkak se po shkon përsëri në zgjedhje do të jenë shumëfish më të mëdha sesa rreth 10 milionë euro sa përafërsisht kushton vetë procesi zgjedhor. Para disa javësh raportuam në gazetë se Kosova “rrezikon”  të humbë 68,8 milionë euro të BE-së nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor deri në fund të qershorit të këtij viti. Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme fjala “rrezikon” mund të hiqet, sepse tashmë është pothuajse e sigurt se do t’i humbë këto mjete. Dhe jo vetëm kaq, por humbjet do të mund të jenë edhe më të mëdha nëse nuk përmbushen detyrimet në afatet edhe për mjete të tjera nga Plani i Rritjes që për Kosovën ka një zarf prej mbi 800 milionë eurosh. Sipas një tabele për monitorimin e përmbushjes së kushteve nga Plani i Rritjes Kosova nuk e ka përmbushur asnjë nga 111 hapa të paraparë. Pra 0 nga 111 hapa. Prandaj rreziku që Kosova të humbë mjete të mëdha është i madh. Nëse me një qeveri stabile Kosova i ka përmbushur ZERO nga 111 hapa, si mund t’i përmbushë në kohën kur nuk ka Kuvend, kur vendi udhëhiqet nga qeveria në detyrë dhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes. Për shkak të proceseve zgjedhore, Kosova priti një vit e gjysmë për të marrë pagesën e parë nga Plani i Rritjes, në formën e para financimit për të cilën kushti i vetëm ishte nënshkrimi dhe ratifikimi i Marrëveshjes me BE-në dhe kërkesa për kryerjen e pagesave. Dhe më nga kjo paketë para pa kushte nuk ka. E Kosova në këtë gjendje apo në ketë “derexhe” siç thotë populli, nuk mund as të përmbushë kushte.

Krejt kjo vjen edhe në kohën kur Kosovës sapo i ishin hequr sanksionet e padrejta, të pakuptimta dhe të dëmshme të BE-së si masë ndëshkuese përmes të cilave i ishin bllokuar për gati tre vjet afro gjysmë miliardi euro. Pasi edhe mjetet nga Plani i Rritjes edhe ato nga Instrumentet e para-anëtarësimit (IPA) janë të afatizuara në aspektin kohor, Kosova edhe me një stabilitet institucional do ta kishte pothuajse të pamundur të kompensojë kohën e humbur dhe t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që i ka dispozicion. E kështu përdorimi i atyre mjeteve tash duket si një mision i pamundur. Nëse llogariten këto mjete që Kosova tashmë po i humb dhe rrezikon t’i humbë, atëherë 10 milionë euro sa kushtojnë zgjedhjet nuk janë as 1 për qind e asaj që mund të humbet si pasojë e jostabilitetit institucional.
Në anën tjetër, duhet pranuar se krejt kjo që ndodh në Kosovë është në përputhje me ligjet dhe procedurat. Është dëshmi se në Kosovë respektohen këto procedura dhe ligje. Më mirë kështu sesa Kosova të ishte një vend ku një person vendos për gjithçka. Stabiliteti ku një person vendos për gjithçka është vetëm në vendet autoritare apo në diktatura. Dhe më mirë ta kemi këtë kaos në Kosovë sesa të kishim stabilitet jodemokratik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por në anën tjetër, kjo situatë në Kosovë dëshmon mungesën e pjekurisë demokratike dhe përgjegjësisë politike për fatin e shtetit. Kjo përgjegjësi tregohet edhe duke bërë kompromise politike, duke ndërtuar koalicione ndërpartiake apo edhe konsensuse për interesat kombëtare. Këtë pjekuri nuk e dëshmuan liderët politikë në Kosovë dhe tash vetëm mundohen t’ia bartin fajin njëri-tjetrit nga frika se qytetarët do t’i ndëshkojnë në zgjedhje për këtë papjekuri të treguar.  

Vështirë të gjesh një vend demokratik ku fituesi i 51 për qind të votave në zgjedhje nuk mund ta mbajë pushtetin siç i ndodhi Vetëvendosjes në Kosovë. Për herë të tretë në 18 muaj shkon në zgjedhje parlamentare. E me këtë tashmë fenomen kosovar, vendin e presin zgjedhje çdo gjashtë muaj edhe në të ardhmen. Kështu, Kosova mbetet me ushtrues detyre. Status të tillë ka edhe kryeministri, edhe kryetarja e Kuvendit të shpërndarë që ushtron detyrën e presidentes. Koincidencë është se edhe BE-ja ka dështuar të gjejë një “figurë unifikuese” për shef të zyrës në Kosovë dhe ka shpallur përsëri konkursin. Zyra e BE-së udhëhiqet nga “ushtruesja e detyrës” po ashtu. Edhe Ambasada e SHBA-së nuk ka ambasador fuqiplotë, por ushtruese detyre. Këtë duhet ta kenë parasysh ata që mendojnë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’ua imponojnë kosovarëve një zgjidhje për daljen nga ngërçi.
Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë ka ditur të befasojë. Ndonëse fituesi dihet në të shumtën e rasteve, shumica me të cilën fitoi VV-ja në zgjedhjet e fundit ishte befasuese. Prandaj është vështirë të parashihet rezultati kësaj radhe. Por matematika është e thjeshtë. Nëse të gjithë do të jenë kundër VV-së dhe VV-ja kundër të gjithëve edhe pas këtyre zgjedhjeve, atëherë Kosova do të jetë pa institucione, kësaj radhe edhe pa president deri në fund të vitit. Dhe me gjasë prapë në zgjedhje në dhjetor, e pastaj edhe në qershor të vitit 2027, e kështu me radhë. Kjo, sepse për ta çuar vendin me automatizëm në zgjedhje do të mjaftojë një “pakicë bllokuese” prej 41 deputetëve të cilët do të dalin nga salla dhe askush nuk mund ta zgjedhë presidentin, sepse nuk do të kishte kuorumin e nevojshëm. Është vështirë të pritet që VV-ja do të ketë më shumë se 80 apo më pak se 40 deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit. Ose do të duhet një “super koalicion” me mbi 80 deputetë në Kuvend për të zgjedhur edhe qeverinë edhe presidentin.

Në anën tjetër, si fituese absolute e zgjedhjeve të fundit, VV-ja ka dëshmuar se e ka shumë të vogël kapacitetin për ndërtimin e koalicioneve. As VV-ja e as opozita nuk ishin të sinqerta në procesin e kërkimit të daljes nga kjo situatë, më saktë në zgjedhjen e presidentit. Ata të cilët vazhdimisht thoshin se “S’kemi vota për Vjosa Osmanin”, duke e kritikuar se ka qenë “Vegël në shërbim të VV-së”, kur u bë e qartë se VV-ja nuk e do si presidente, nisën ta mbështesin Osmanin. Në anën tjetër, VV-ja donte të linte përshtypjen se po ia lë në dorë opozitës të propozojë kandidatin, por nuk jepte garanci se ai kandidat edhe do të zgjidhej.

Kosova, pavarësia e së cilës para më shumë se 18 vjetesh u quajt si “sui generis”, tash po bëhet si një rast i veçantë edhe për ciklet e pambaruara zgjedhore, të cilat do ta lënë me “ushtrues detyre” me shumë pasoja në një kohë tejet jostabile në botë.