Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-ja do të ndihmojë  në drejtimin e anijeve të bllokuara për t’i nxjerrë nga Ngushtica e Hormuzit duke filluar nga e hëna.

“Për të mirën e Iranit, Lindjes së Mesme dhe Shteteve të Bashkuara, u kemi thënë këtyre vendeve se do t’i udhëheqim anijet e tyre në mënyrë të sigurt jashtë këtyre rrugëve ujore të kufizuara”, shkroi ai në rrjetet sociale, pa specifikuar se cilat vende  do të marrin ndihmë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Trumpi tha se çdo ndërhyrje në këtë proces, të cilin ai e quajti “Project Freedom”, do të “trajtohet me forcë”.

Irani ka kufizuar ndjeshëm trafikun në këtë rrugë detare jetike që nga fillimi i luftës në shkurt. SHBA-ja ka vendosur gjithashtu një bllokadë detare ndaj porteve iraniane.

Ligjvënësi i lartë iranian Ebrahim Azizi, ish-komandant në Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, shkroi në rrjetet sociale se “çdo ndërhyrje amerikane” do të “konsiderohet shkelje e armëpushimit”.

Në postimin e Trumpit, ai tha gjithashtu se përfaqësuesit amerikanë po zhvillonin bisedime “shumë pozitive” me Iranin dhe se këto bisedime “mund të çojnë në diçka shumë pozitive për të gjithë”.

Trump shtoi se operacioni do të ishte një “gjest humanitar” në emër të SHBA-së, Iranit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, pa përmendur konkretisht cilat vende. Ai nuk dha detaje të mëtejshme se si do të menaxhohej bashkëpunimi me Teheranin.

“Në të gjitha rastet, ata thanë se nuk do të kthehen derisa zona të bëhet e sigurt për lundrim dhe gjithçka tjetër... Lëvizja e anijeve ka për qëllim vetëm të lirojë njerëzit, kompanitë dhe vendet që nuk kanë bërë absolutisht asgjë të gabuar,” vazhdoi Trump.

Emiratet e Bashkuara thonë se Irani i sulmoi me 19 raketa dhe dronë

1 muaj më parë / 4 maj 2026 23:31
Emiratet e Bashkuara Arabe

ilustrim

Photo: Associated Press

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se mbrojtja ajrore e tyre ndaloi 19 raketa dhe dronë iranianë të hënën. Nga këto12 raketa ishin balistike, tri raketa lundruese dhe katër dronë. Si pasojë, u plagosën tre persona. Nuk dihet saktë sa prej raketave apo dronëve u shkatërruan, raporton CNN.

Qeveria e Katarit shprehu mbështetje për fqinjin e saj në Gjirin Persik duke premtuar edhe solidaritet të plotë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe mbështetje për të gjitha masat e marra nga Emiratet për të ruajtur sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial.

Katari është goditur në mënyrë të ngjashme nga raketa dhe dronë iranianë gjatë gjithë luftës dhe madje u përfshi në përballjen e tij të parë ajër-me-ajër kundër bombarduesve iranianë në mars.

Burime i thanë CNN se një sistem izraelit i mbrojtjes ajrore Iron Dome u përdor për të kapur predhat iraniane në hapësirën ajrore të Emirateve.

Si pasojë e këtij sulmi është marrë vendim që shkollat në Emiratet e Bashkuara Arabe të kalojnë këtë javë në mësim në distancë.

Ministria e Arsimit e Emirateve tha në një deklaratë se shkollat dhe çerdhet do të funksionojnë në mënyrë “online” nga e marta deri të premten për shkak të shqetësimit për sigurinë e nxënësve dhe të gjithë atyre që punojnë në sektorin e arsimit, raporton CNN.

“Situata aktuale do të rivlerësohet të premten, më 8 maj 2026, nëse ka nevojë për të zgjatur këtë periudhë” shtoi ministria.

Shumë shkolla dhe universitete në Gjirin Persik, përfshirë Emiratet, kaluan në mësim online kur shpërtheu lufta në fund të shkurtit. Katari urdhëroi të gjitha shkollat dhe universitetet të kalojnë në mësim në distancë që në ditën e parë të luftimeve.

Centcom: SHBA-ja përdori helikopterë për t’i shkatërruar anijet e vogla iraniane

1 muaj më parë / 4 maj 2026 22:47
Centcom

Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) ka njoftuar se janë përdorur helikopterë për të shkatërruar anije të vogla iraniane. 

Njoftimi i Centcom vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se janë goditur shtatë anije të vogla iraniane ndërsa SHBA-ja po punon për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. 

“Më herët sot, helikopterë Sea Hawk dhe AH-64 Apache të ushtrisë Amerikane u përdorën për t’i eliminuar anijet e vogla iraniane që kërcënonin anijet tregtare”, ka njoftuar Centcom në rrjete sociale. 
 

Paralajmërimi për sulm ndaj aeroplanmbajtëseve amerikane, raportohet se erdhi nga një llogari e rreme

1 muaj më parë / 4 maj 2026 21:22
aeroplanmbajtese

ilustrim

Një paralajmërim që pretendohej të ishte nga shefi i ushtrisë iraniane, se aeroplanmbajtëset amerikane që afrohen pranë Ngushticës së Hormuzit do të përballeshin me forcë, u publikua nga një llogari e rreme në X, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Fars.

Postimi në X përfshinte atë që dukej si gjeneral-majori Amir Hatami duke paralajmëruar se “çdo centimetër i këtyre ujërave është brenda rrezes së vullnetit tonë” dhe se “raketat lundruese dhe dronët luftarakë” kishin dalë në qiell, raporton CNN.

Por Fars, e cila është e lidhur me disa degë të ushtrisë iraniane, tha më vonë se postimi erdhi nga një llogari e rreme. Llogaria që atëherë është pezulluar.

Pas postimit që pretendohej të ishte bërë nga Hatami, ushtria amerikane tha se kishte shkatërruar gjashtë varka të vogla iraniane pasi Irani kishte lëshuar “raketa të shumta lundruese, dronë dhe varka të vogla” ndaj anijeve të marinës amerikane dhe mjeteve tregtare që mbroheshin nga ushtria amerikane.

Sulmohet porti më i madh i naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe

1 muaj më parë / 4 maj 2026 19:44
Fujairah

Një zjarr i madh ka shpërthyer në portin kryesor të naftës në Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe pas një sulmi me dron nga Irani, me ç’rast tre persona janë dërguar për trajtim në spital si pasojë e lëndimeve.

Fujairah është porti më i madh i Emirateve dhe objekti kryesor i magazinimit të naftës. Para armëpushimit, ai ishte gjithashtu objektiv i sulmeve me dronë.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Zyra e Medias e Qeverisë së Fujairah thotë se ekipet e mbrojtjes civile po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin. Raporti për sulmin erdhi pasi Ministria e Mbrojtjes e Emirateve tha se kishte zbuluar tri raketa të lëshuara nga Irani, raporton BBC-ja.

Qeveria iraniane nuk ka komentuar mbi sulmin por Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se rezervojnë “të drejtën e plotë dhe legjitime” për t’iu përgjigjur sulmit.

“Këto sulme përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje të papranueshme,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se kjo shkel parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Emiratet gjithashtu thonë se “rezervojnë të drejtën e tyre të plotë dhe legjitime për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve” në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Televizioni shtetëror iranian ka cituar një “zyrtar të lartë ushtarak” të paidentifikuar, i cili ka thënë se “Irani nuk ka pasur plane për të shënjestruar Emiratet e Bashkuara Arabe”. Nuk ka pasur reagime të tjera zyrtare.

Ndërkohë, pas raportimeve për sulme me dronë Emiratet e Bashkuara Arabe, çmimi referencë i naftës Brent arriti nivelet më të larta të ditës.

Brent kaloi mbi 115 dollarë për fuçi pas raportimeve se porti kyç i naftës në Fujairah ishte sulmuar, duke u rritur më shumë se 5% gjatë ditës.

Fujairah ndodhet në bregun lindor të Emirateve, përtej Ngushticës së Hormuzit.

Një tubacion nga fushat naftëmbajtëse të Abu Dhabit shkon deri në Fujairah, duke lejuar që sasi të kufizuara të naftës të ngarkohen në cisterna dhe të dërgohen në tregjet botërore edhe nëse ngushtica bllokohet.

Trump thotë se janë goditur shtatë anije të vogla iraniane

1 muaj më parë / 4 maj 2026 19:38
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se forcat amerikane kanë goditur shtatë anije të vogla iraniane, ndërsa po punojnë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, raporton “BBC”. 

Trump ka thënë se Irani ka bërë “disa goditje te disa shtete që nuk janë të përfshira”, përfshirë goditjen e një anije jugkoreane.

Ai i ka shtetet tjera që të bëjnë më tepër për t’i përkrahur përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të siguruar tregtinë në rajon. 

“Ndoshta është koha që Koreja e Jugut të vijë e të përfshihet në mision”, tha Trump. 
 

SHBA-ja thotë se dy anije me flamur amerikan kanë kaluar suksesshëm nëpër Hormuz

1 muaj më parë / 4 maj 2026 15:12
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) ka njoftuar të hënën se dy anije tregtare me flamur amerikan kanë “kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit”.

Centcom ka thënë se shkatërruesit me raketa të drejtuara të Marinës Amerikane po operojnë në Gjirin Persik pasi kanë kaluar nëpër Ngushticë.

"Forcat amerikane po ndihmojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të rivendosur tranzitin për anijet tregtare", thuhet në përditësim.

Centcom nuk ka dhënë emrat e anijeve që thotë se kanë lundruar me sukses nëpër ngushticë.

Para këtij njoftimi, Irani pretendonte se kishte sulmuar me dy raketa një anije amerikane në Ngushticë. Mirëpo SHBA-ja e ka mohuar këtë.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Amerikane kanë thënë se u është sulmuar të hënën një anije në Hormuz nga Irani. 

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se është goditur një anije e tyre në Hormuz

1 muaj më parë / 4 maj 2026 14:03
ngushtica e hormuzit

Foto: EPA

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se një cisternë e lidhur me Adnoc, kompaninë e tyre shtetërore të naftës, është goditur në Ngushticën e Hormuzit.

Askush nuk është lënduar, ka thënë ministria e Jashtme e vendit në një deklaratë, duke shtuar:

"Ky sulm përbën një shkelje flagrante të rezolutës 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila pohoi rëndësinë e lirisë së lundrimit dhe hodhi poshtë shënjestrimin e anijeve tregtare ose pengimin e rrugëve ndërkombëtare detare”.

"Synimi i anijeve tregtare dhe përdorimi i Ngushticës së Hormuzit si një mjet shtrëngimi ekonomik ose shantazhi përfaqëson akte piraterie nga Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit, popujt e tij dhe sigurinë globale të energjisë”, vazhdon më tej deklarata.

Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë bërë thirrje Iranit të ndalojë sulmin dhe "të sigurojë angazhimin e tij të plotë për një ndërprerje të menjëhershme të të gjitha armiqësive dhe rihapjen e plotë dhe pa kushte të Ngushticës së Hormuzit".

Irani ka pretenduar të hënën se ka goditur një anije të marinës amerikane mirëpo SHBA-ja e ka mohuar të ketë ndodhur kjo.

SHBA-ja e mohon se anija e saj është goditur nga Irani

1 muaj më parë / 4 maj 2026 12:53
Ngushtica e Hormuzit

Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) mohon se një nga anijet e saj luftarake është goditur nga dy raketa iraniane. 

Në një postim në X, Centcom thotë se "asnjë anije e Marinës Amerikane nuk është goditur". 
"Forcat amerikane po mbështesin “Projektin Liri” dhe po zbatojnë bllokadën detare në portet iraniane”, thuhet më tej në postim.

Ushtria iraniane më parë pretendoi se kishte penguar një shkatërrues të Marinës Amerikane të hynte në Ngushticën e Hormuzit. 

Fars, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, ka thënë se një anije është goditur nga dy raketa ndërsa po lundronte nëpër Ngushticën e Hormuzit "në shkelje të sigurisë së trafikut dhe transportit detar".
Sipas pretendimeve të Fars, anija amerikane u “detyrua të tërhiqej dhe të largohej nga zona”.

Lëvizjet vijnë pa pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se SHBA-ja do të niste nxjerrjen e anijeve të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit që nga 28 shkurti.

Irani thotë se ka ndaluar një anije amerikane të hyjë në Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 4 maj 2026 12:18
Anija amerikane

Ushtria iraniane pretendon se ka penguar një anije të Marinës Amerikane të hyjë në Ngushticën e Hormuzit.

Media shtetërore iraniane raporton një njoftim të ushtrisë i cili thotë se "me një paralajmërim të fortë dhe të shpejtë nga Marina e Republikës Islamike, hyrja e shkatërruesve armik amerikanë dhe sionistë në Ngushticën e Hormuzit u parandalua”.

Njoftimi vjen disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ushtria amerikane do të fillojë të ndihmojë anijet të dalin nga ngushtica, të bllokuara në këtë vendkalim të rëndësishëm detar që kur kanë nisur sulmet SHBA-Izrael kundër Iranit, më 28 shkurt.

Sipas një agjencie të OKB-së, janë rreth 2,000 anije dhe 20,000 detarë që kanë mbetur të bllokuar në ngushticë. 

2,000 anije dhe 20,000 detarë të bllokuar në Hormuz që nga 28 shkurti

1 muaj më parë / 4 maj 2026 10:47
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Njoftimi i presidentit amerikan, Donald Trump, se SHBA-ja do të nxjerrë anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit, vjen vetëm disa ditë pasi vendet anëtare të OKB-së "dënuan me forcë" ndërprerjen e transportit global nga Irani në një takim në Londër.

Takimi miratoi një rezolutë të paraqitur nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) - një agjenci e specializuar e OKB-së që rregullon transportin detar, duke deklaruar se Irani kishte "kërcënuar" mirëqenien e detarëve, përfaqësonte një rrezik të madh për jetën dhe përbënte një rrezik serioz për mjedisin detar".

Por pas votimit, kreu i IMO-së, Arsenio Dominguez, kërkoi që fokusi të qëndronte në ndihmën praktike për detarët.

"Do të doja të shprehja një zhgënjim për mënyrën se si po punojmë për këto çështje", ka thënë ai.

"Nuk e shoh se si këto diskutime, procedura dhe vota i ndihmojnë 20,000 detarët që kanë mbetur të bllokuar për nëntë javë dhe 2,000 anije janë të bllokuara”.

Trumpi ka thënë se nxjerrja e anijeve dhe detarëve do të jetë një “gjest humanitar”, mirëpo Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me sulm ndaj SHBA-së nëse ajo hyn në Ngushticën e Hormuzit.