OpEd

Ana tjetër e Pavarësisë

Një këndvështrim ndryshe, më shumë si shprehje emocionale, sesa koment politik…

I

Në nëntë vjetët prej se u shpall Pavarësia e Kosovës, sigurisht se mund të numërohen shumë arritje që secilit qytetar të Kosovës do të duhej t’ia mbushnin zemrën plot gëzim.

E arta e Majlinda Kelmendit dhe fitore të shumta në xhudo dhe në sporte të tjera, arritja e “Shokut” në “Oscar” dhe sukseset e ndryshme në arte dhe në kulturë, prej “Dokufestit” e Petrit Çekut e deri te Rita Ora e Dua Lipa, janë vetëm disa nga ngjarjet e arritjet për të cilat të gjithë kishim dhe kemi arsye të ndihemi krenarë.

Edhe në politikë nuk është se nuk kishim momente të ndritshme; na kujtohet mirë dita kur Kosova u shpall shtet – dhe i gjithë viti i parë pas Shpalljes së Pavarësisë - sa i madh ishte optimizmi për vendin tonë, ndërsa lajmet e përditshme tregonin për konfirmimin dhe përkrahjen ndërkombëtare të shtetësisë, e cila aq gjatë është kërkuar dhe për të cilën aq shumë është sakrifikuar.

Pas shpërthimit kolektiv emocional të vitit 1999, kur të qenit viktimë e pabarabartë në luftë me një agresor të pamëshirshëm dhe kriminal na siguroi simpatinë dhe përkrahjen e të gjithë botës demokratike dhe të njerëzve të vullnetit të mirë kudo, momenti i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurti 2008, edhe pse i njollosur nga bëmat e periudhës paraprake 1999-2008, ishte pika kur të gjithë ne, bashkë me të gjithë ata që me vite na përkrahën, besuam, naivisht mbase, se mund t’ia nisim prej fillimit, të shkruajmë një faqe të re të historisë së Kosovës, dhe njëkohësisht të shkruajmë një faqe të re të historisë së Ballkanit, në të cilën njerëzorja, demokratikja, tolerantja, ligjorja, e drejta, do të fitojnë përballë të gjithë të këqijave që me shekuj e kanë pllakosur këtë copë toke që e quajmë Kosovë.

Ende në këtë besojmë dhe shpresojmë…

II

Tani, kur shënojmë nëntëvjetorin e shpalljes së shtetit, kemi shumë pyetje pa përgjigje.

Derisa ende ndiejmë rrëqethjet e gëzimit kur i kujtojmë imazhet e lotëve të artë pas fitores së Majlindës në Rio, apo buzëqeshjet e çiltra të Lumit dhe Andit në Hollywood, sepse ato na e kujtojnë se ne, me të gjitha të metat, jemi pjesë e botës, dhe bota na pranon si pjesë të saj, e kemi të qartë edhe të vërtetën se sukseset tona po janë të arritshme aty ku politika nuk përzihet.

E aty ku ndihet dora e shtetit, e kontrolluar nga politika partiake dhe klanet joformale, interesat e ngushta grupore dhe uria për përfitime personale – aty vjen dështimi. Aty nuk ka asgjë të mirë për popullin, për shoqërinë dhe për vendin. Aty ka vetëm korrupsion, mashtrime, kurdisje, manipulime, lakmi, krim.

Aty ku marrin frymë politikanët e korruptuar, aty ajri është i ndotur përtej kufirit që lejon frymëmarrjen normale demokratike. Aty mbijetojnë vetëm ata që mund të asimilohen me diktatin e të korruptuarve.

Aty, kush është me sistemin akomodohet. Kush nuk është…

III

Dilema jonë rritet, bëhet e madhe: në këtë përvjetor të Pavarësisë, me çka do ta identifikojmë shtetin tonë? Me presidentët e dështuar? Me kryeministrat e ministrat e korruptuar? Me partitë e kriminalizuara? Me gjyqet e politizuara? Me krimet e pazgjidhura? Me tenderët e kurdisur?

Apo me Majlindën, Petritin, Ritën, Duan, Lumin, Andin, “Dokufestin”?

Do të pranojmë se brenda Kosovës kalbja ka fituar? Do të pranojmë disfatën e dritës dhe fitoren e territ?

Apo do të kuptojmë se botës, edhe nëse është krijuar për shtatë ditë, i janë dashur dy mijë vjet për të arritur vlerat e saj të sotme, njerëzinë, demokracinë, tolerancën dhe lirinë.

Të kuptojmë se gjërat e mira nuk vijnë vetë, por për to duhet luftuar, ndërsa lufta nuk është gjithmonë me armë e me gjak, por shpesh, shumë më shpesh, me mend e dije, me mirësi dhe përkushtim, me insistim në drejtësi, edhe kur drejtësia duket se ka vdekur, ndërsa e keqja duket sikur ka fituar dhe sundon.

E dimë ne të gjithë, shumë mirë e dimë këtë mësim nga historia e jonë, e shekujve të kaluar, por edhe e viteve të fundit, e luftërave të shumta, dhe sidomos nga lufta e fundit, 1998-1999, që ende është e freskët në mendjen tonë. Ndoshta në nxitimet tona të përditshme edhe i harrojmë këto mësime historike, por në kokën tonë ato janë, dhe kurrë nuk mund të zhduken, dhe na i mbajnë gjallë besimin dhe shpresë, se e mira gjithsesi do ta mposhtë të keqen.

Andaj, nuk mund të ketë asnjë dilemë pse ekziston ky shtet i ynë, i shpallur nëntë vjet më parë! Është për Majlindat dhe Petritët, për Ritat dhe Duat, për Lumët dhe Andët e kësaj Kosove, që duan ta bëjnë këtë vend më të mirë, jo për vete, po për të gjithë.

IV

Shpresa ,thonë, vdes e fundit. E besimi, vetëm një moment para saj.
Pas tyre, thonë, nuk mbetet asgjë. As mirë e as keq.

Kosova, si edhe krejt bota, do të jetë aty për aq sa ka besim se mund të bëhet dhe shpresë se njerëzit e saj do ta bëjnë.

Të tjerat janë çështje kohe!

Urime nëntëvjetorin e shtetit! Është i yni, jo i tyre!

agronb@kohaditore.com