OpEd

A do të mbyllen me happy-end bisedimet Prishtinë- Beograd?

Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse palët pajtohen ta përmbyllin këtë proces me nënshkrimin e një traktati të paqes mes dy shteteve, sepse Kosova nuk e ka përmbyllur zyrtarisht luftën me Serbinë, por këtë e ka bërë NATO-ja përmes një mandati të OKB-së (Rezoluta 1244). Bisedimet e Brukselit Kosovës duhet t’ia mundësojnë ulësen në OKB, ndërsa Serbisë kapërcimin e Kapitullit 35 në negociatat me BE-në.

Dialogu duhet të vazhdojë, sepse është interes kombëtar i Kosovës për ta përmbyllur procesin e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin fqinj, mirëpo ai duhet të rimendohet dhe të jetë transparent.

Riformatimi i ekipit negociator ndonëse është bërë nën trysninë e ngjarjeve të fundit që dëshmuan se paqja mes dy kombeve është e brishtë, sepse nuk është vullnet politik i zyrtarizuar përmes një traktati paqeje, porse ajo mbahet përmes mekanizmit të KFOR-it dhe mirë që po riformatohet, duke qenë se po bisedojnë krerët e të dyja shteteve.

Dialogu tashti duhet të fokusohet në arritjen e një pajtimi final për t’i shmangur retorikat luftënxitëse dhe provokuese duke shkuar në drejtim të nënshkrimit të një pakti paqeje, si dokument obligues për të dyja shtetet. Me vetë faktin se janë ftuar kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve mendoj se dialogu ka hyrë në fazën finale, të përmbylljes.
Serbia e ka nënshkruar kapitullimin më 9-10 qershor 1999 me NATO-n, por nuk e ka nënshkruar paqen me Kosovën. Pa përfundimin - edhe zyrtarisht - të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka përse të dialogohet, sepse armiqësitë vetëm sapo rriten.

Për çështjet e mirëqenies së serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës, për energjinë, të pagjeturit, pensionet e plaçkitura të kosovarëve nga fashizmi i Milosheviqit, dhe aspekte të tjera bilaterale mund të bisedohet pasi të arrihet paqja, e cila Serbisë ia mundëson përmbushjen e detyrave aspak të lehta që burojnë nga Kapitulli 35 i negociatave me BE-në, kurse Kosovës ia mundëson marrjen e ulëses në OKB, pasi që ende është një komb i pamaturuar.

Sigurisht që këtë e ka propozuar Brukseli, sepse heshtja dhe topitja aktuale e Brukselit (pas BREXIT-it dhe mësymjes së Rusisë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe atë Qendror) po reflekton rikthim të viteve ’90 në Ballkan, duke i çuar duart nga kryeqyteti evropian ballkanasit që me shumë probleme po hamenden t’i rikthehen dhunës, gjë që do të ishte katastrofë për të gjithë.
Ndonëse është ende herët të priten rezultate spektakolare, mirëpo, pas përfshirjes në dialog të krerëve të shtetit (presidenti dhe kryeministri) bisedimet po hyjnë në fazën përmbyllëse.
Duke qenë se për rezultate ndonëse – nuk do të ndodhë mrekullia - është herët të flitet, duhet të mbizotërojë bindja plebishitare e dyja kombeve se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike.

Sidoqoftë, dialogu po ecën drejt fundit.
Dhe për këtë pajtim të palëve që të ecet drejt finales (Nënshkrimi i Traktatit të Paqes) Serbia duhet të bëjë dy kompromise të dhimbshme: 
1. Ta heqë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj;
2. T’i anulojë fletarrestimet në Interpol, për pjesëtarët e ish- gueriljes UÇK.
Ashiqare që Serbia nuk do të mund ta “kapërcejë” Kapitullin 35 në negociatat me BE-në përderisa nuk pajtohet për “ta harruar” konstitucionalisht Kosovën dhe përderisa do të mbajë fletarrestime për zyrtarët e lartë të shtetit kosovar.

Natyrisht se presidenti pos fuqisë politike (duhet?) ka dhe një autoritet moral dhe ai duhet të reflektojë më shumë mirëbesim dhe më shumë angazhim për arritjen e paqes me Serbinë. 
Fundja, Kosova është Republikë parlamentare e jo presidenciale dhe pjesëmarrja e presidentit në bisedime me Serbinë nuk bie ndesh me Rezolutën e Kuvendit (1016) që autorizonte kryeministrin për t’i drejtuar bisedimet me shtetin fqinj, pasi që presidenti në sistemin politik kosovar është mekanizëm i Ekzekutivit, një si moderator mes tri pushteteve. 
E për arritje të paqes shtetet përkatëse duhet të zotohen se do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tash dhe do ta përgatisin publikun që t’ia shtrijnë dorën njëra-tjetrës për ta ndihmuar në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Përndryshe dialogu i përhershëm për të njëjtat tema s'ka kuptim. 
Tensionet e fundit duhet t’i inkurajojnë palët, që të dëshmojnë se janë kombe me kurriz dhe që i kontribuojnë paqes në rajon dhe më gjerë…

Që nga viti 2011 e deri më tani Kuvendi i Kosovës ka aprovuar katër rezoluta, përmes të cilave e obligon Qeverinë që t’i zbatojë ato, porse edhe pse Republikë Parlamentare, fuqia e Kuvendit del të jetë e flashkët, sepse shpesh vendimet e tij Ekzekutivi nuk i ka përfillur. 
Duke qenë se rezolutat që miratohen nga Kuvendi – si zëri i sovranit - nuk kanë fuqi juridike, dhe rrjedhimisht nuk janë obliguese për Qeverinë.
Përmes këtyre rezolutave Kuvendi e ka mandatuar Qeverinë për të negociuar me Serbinë, fillimisht për çështje teknike e pastaj edhe për dialog politik.

Së këndejmi, Qeveria ka dështuar të respektojë rezolutat e Kuvendit, kjo është tek transparenca dhe llogaridhënia për procesin e dialogut i cili tash e pesë vjet vazhdon të prodhojë tema e dilema të reja porse si të tillë – pa afate dhe pa mekanizma (pa zotim) që të zbatohen marrëveshjet - nuk premton një përfundim të lumtur. 
Më 10 mars 2011 është votuar Rezoluta përmes të cilës mbështetej dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë mbështetje dialogut midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin.

Po atë vit Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë të re, por kësaj radhe për veriun e Kosovës, përmes së cilës Legjislativi i vendit ka mbështetur të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në vitin 2012, (18 tetor) ishte nxjerrë Rezoluta e tretë, e cila ishte edhe baza e fillimit të një raporti të ri në mes Kosovës dhe Serbisë, respektivisht normalizimit të marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në pikën e parë të kësaj rezolute ishte thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet procesin e zgjidhjes së problemeve midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, në interes të normalizimit të marrëdhënieve në mes tyre, përmirësimit të jetesës së qytetarëve dhe avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin.
Mirëpo ekipi i Edita Tahirit nuk i ka raportuar Kuvendit për arritjet e marrëveshjeve dhe për zbatimin eventual të tyre nga të dyja palët. Serbia u ka bërë rëndom obstruksion marrëveshjeve (pos pajtimit për kodin telefonik), kurse Kosova ka ngecur në dekretimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Pala serbe nuk e ka nënshkruar me Prishtinën ndonjë dokument që e obligon juridikisht për ta mirëmbajtur paqen, ndonëse ka nënshkruar me NATO-n kushtet e kapitullimit në Kumanovë (10 qershor 1999.)

Pala kosovare ka nënshkruar unilaterisht dy dokumente në Rambouillet (1999) dhe në Vjenë (Pakon Ahtisaari - 2006.)
Këtë herë pritet që Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje, jo për shkak të ndonjë vullneti kombëtar, porse falë nevojës së saj për integrim në BE.
Ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger, më 2007, solli idenë e pajtimit mes dy Gjermanive, por ajo u refuzua atëbotë nga Grupi i Unitetit.

Ndonëse për raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ky model mund të gjejë zbatim në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, për të ndihmuar normalizimin e raporteve mes dy shteteve, traktati i dy Gjermanive, kishte pëlqimin paraprak të fuqive botërore, si garantues të marrëveshjes, gjë që në rastin e Kosovës nuk e ka.

Modeli ndërgjerman megjithatë mund të aplikohet, sepse Gjermania Demokratike dhe ajo Federale nuk kanë pasur pajtim për sovranitetin dhe nuk e kishin shtruar çështjen e njohjes eksplicite, mirëpo ajo marrëveshje ua mundësoi të dyja shteteve ulësen në OKB. 
Serbisë dhe Kosovës u duhet një marrëveshje obliguese se palët nuk do të ndikojnë në destabilizimin e ndërsjellë, si dhe zotimi se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën për anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, që në thelb për Kosovën do të thotë marrja e ulëses në OKB, kurse për Serbinë kapërcimi i Kapitullit 35 në negociatat me BE-në.