Lifestyle

Pse i duam farat e lirit

Vetëm një lugë e farave të lirit në ditë është e mjaftueshme për ta përmbushur nevojën ditore të trupit për acide yndyrore omega-3. Farat e lirit janë një burim i shkëlqyer i fibrave, acideve yndyrore omega-3, mineraleve dhe vitaminave.

Acidet yndyrore omega 3 marrin pjesë në ruajtjen e aftësisë kognitive dhe të zhvillimit normal të trurit. Duke pasur parasysh faktin se trupi nuk mund ta prodhojë atë vetë, acidet yndyrore omega 3 duhet të merren rregullisht përmes ushqimit.

Ato janë gjithashtu një burim i shkëlqyer i manganit, fibrave dietike dhe vitaminës B1. Studimet kanë treguar se e zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sëmundjeve të ndryshme të kancerit dhe diabetit, transmeton Koha.net. Konsumi i rregullt i farave të lirit ndihmon në rregullimin e niveleve të kolesterinës, sheqerit në gjak, e stimulon sistemin e tretjes, humbjen e peshës dhe e nxit rritjen e flokëve.

Ekzistojnë dy lloje të farave të lirit – ngjyrë kafe dhe ngjyrë ari. Të dyja llojet e përmbajnë të njëjtin nivel të acideve yndyrore omega 3 dhe janë një burim i shkëlqyer i fibrave të tretshme dhe të patretshme. Fibrat e tretshme janë ato të cilat marrin pjesë në rregullimin e glukozës në gjak dhe kolesterinës. Fibrat e patretshme janë ato që e absorbojnë ujin e tepërt dhe e stimulojnë punën e sistemit të tretjes.

Farat e lirit janë të shkëlqyera, sepse mund të shtohen në ushqime të ndryshme si drithërat, sallatat, ëmbëlsirat dhe tortat. Farat e lirit janë veçanërisht të mira për njerëzit që duan të humbin peshë të tepërt, sepse ato ndihmojnë në kontrollin e oreksit. Farat e bluara të lirit janë zgjidhja më e mirë për shkak se trupi më vështirë i absorbon materiet ushqyese nga farat e plota të lirit.

© KOHA