Botë

MPJ ruse: Lavrov asnjëherë nuk ka folur për ndarje të Maqedonisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë e vlerësoi si “provokim të pastër” shkrimin e publikuar nga redaksia maqedonase e DeutscheWelles, në të cilin, siç thuhet, është bërë tentim që shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov që t'i ngarkohet ideja për ndarje të Maqedonisë Qëllimi i shkrimit, sipas Moskës zyrtare, ka qenë “që të nxehen tensionet në Maqedoni”.

“Lavrov asnjëherë nuk ka dhënë deklarata me përmbajtje të tillë ose të ngjashme, por përkundrazi, çdoherë ka dënuar deklarata të ngjashme të çfarëdo llojshme”, thuhet në reagimin nga MPJ-ja ruse.

Ideja për ndarje të Maqedonisë, thuhet në kumtesë, erdhi nga ana e kongresistit amerikan Dejna Rorabaher.

“Duket se kjo shpifje është bërë me qëllim provokues që të njolloset imazhi i Rusisë në Ballkan, por edhe t'i nxehë tensionet në Maqedoni”, thekson MPJ-ja ruse.

Krahas kësaj, theksoi edhe se administratat e SHBA-së dhe BE-së, me shfrytëzimin e metodave destruktive si “revolucione të larme” dhe tentimet që të vendoset qeverisje e cila nuk është në pajtueshmëri me mendimin publik, drejtpërdrejt përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Jemi të bindur se hapat e këtillë do të sjellin deri në minim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë”, paralajmëron në reagim Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse.