Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se vendit i duhet një LDK e fortë dhe moderne por me bazament rugovian, por që një të tillë nuk e sheh të jetë aktual.
Tërmkolli në Interaktiv të KTV-së është përgjigjur se nuk e di se a mund ta bëjë një LDK të tillë kryetari Lumir Abdixhiku, pasi sipas saj, “Abdixhiku duhet të tregojë së pari kush është”.
Ajo ka thënë se udhëheqësia e LDK-së ka larguar shumë njerëz të cilët kanë punuar shumë për të dhe kanë qenë të përkushtuar. Duke përmendur edhe veten në mesin e këtyre të larguarve nga partia, Tërmkolli ka thënë se të tillët edhe janë ndaluar e janë lënë të vuajnë për bukë.
Largimin e tash presidentes Vjosa Osmanit, ajo nuk e ka quajtur të tillë. Tha se ajo nuk u largua.
“Nuk është larguar Osmani. Është bërë fushatë pak mediale, asi largimi kisha me ja uru gjithkujt, me bë kryetare të Kuvendit, kandidate për presidente, do ia uroja gjithkujt këtë largim. Ata që janë larguar, janë larguar dhe janë ndaluar ashtu si unë, dhe janë lënë të vuajnë edhe për bukë. Ata njerëz që me përkushtimin e jetës së vetë, që e kanë bë këtë shtet përmes LDK-së. Janë më mijëra njerëz të përkushtuar, por në pozicione politike vijnë ata që as ide nuk kanë kush është LDK-ja, çka do të thotë LDK-ja, cili është misioni i saj”.
Tërmkolli tutje ka shtuar se në LDK janë marrë njerëz që nuk e dijnë se çfarë kuptimi ka partia dhe se e shfrytëzojnë për të përfituar e më pas largohen, thotë ajo, ashtu “si Osmani”.
“Disa kritikojnë pse nuk po hapet LDK-ja. LDK-ja gjithmonë ka qenë e hapur, ka pasur freskim të të gjithë mekanizmave. Por, nuk mund të thuash nuk po hapesh ndaj njerëzve që nuk kanë ide çka është LDK-ja dhe e katapulton e bën kryetar të LDK-së njerëz që s’janë kurrë LDK, s’e dinë çka është LDK-ja. Pastaj vijmë në situatën kur LDK-ja vjen në 12 për qind. Sepse ata që nuk e dinë çka është LDK-ja, nuk e ndjejnë, nuk iu dhemb edhe me e fshi të gjithën, nuk e kanë fort problem, janë profiterë që hyjnë, marrin, përfitojnë, shkatërrojnë dhe shkojnë, si edhe zonja Osmani, si disa të tjerë”, ka përfunduar Tërmkolli.