INTERAKTIV

Ish-këshilltari i Bidenit: SHBA-ja e VV-ja patën gabime në raportet mes tyre

Mietek Boduszynski, ish-diplomat dhe ish-këshilltar i presidentit amerikan Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Lëvizja Vetëvendosje që aktualisht është në pushtet në Kosovë, kanë pasur gabime në të kaluarën në raportet mes tyre.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Boduszynski e ka cilësuar rrëfim interesant raportin politik SHBA-VV.

“Natyrisht nga perspektiva amerikane, VV-ja në të kaluarën ka qenë shumë problematike, në shumë aspekte, dhe sinqerisht nuk e besoj se udhëheqësit e VV-së donin të bisedonin me SHBA-në... porse ishte një çast, nuk e di ende saktësisht, mbase ka qenë më 2014-n, mbase edhe më 2011-n, nuk jam i sigurt, ngase më 2011-n, VV-ja ende nuk ishte përqendruar te lufta kundër korrupsionit, merrej më shumë me bashkësinë ndërkombëtare... porse më 2014, porosia kundër korrupsionit u fuqizua, dhe mbase aty ishte rasti që të nisej dialogu me SHBA-në, apo më mirë thënë që SHBA-ja, si palë më e fuqishme, ta hapte dialogun me VV-në. Mbase për të thënë se: ‘Nuk pajtohemi për të gjitha, por antikorrupsioni është shumë i rëndësishëm dhe a ka mënyrë se si mund të bashkëpunojmë aty’”, ka thënë ai.