INTERAKTIV

Syla: Me masa adekuate s’ka rrezik as te shkollat për përhapje të virusit

Skënder Syla, shef i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, ka thënë se para se të bëhet hapja e shkollave, shteti duhet të përgatitet me masa adekuate.

Sipas tij, me masa strikte çfarëdo hapësire mund të kthehet në zonë të sigurt.

“OBSH-ja rekomandon që shkollat duhet të mbyllen të fundit e të hapen të parat për arsye se fëmijët sipas analizave kanë humbur rreth 30 javë në shkolla. Por për t’u hapur shkollat duhet përgatitje e vendosur që të ketë ambient të sigurt. Stafi të jetë mbi 90 për qind i vaksinuar me dy dozat. Fëmijët me sëmundje kronike të jenë të vaksinuar. Kemi fatin që në Kosovë është vaksina PFizer e është e rekomandueshme edhe për fëmijët. Përgatitjet duhet të intensifikohen. S’mjaftojnë udhëzuesit, por duhet mekanizëm monitorues. Vuajmë nga zbatimi”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke kërkuar që edhe qytetarët të respektojnë më shumë masat.

“Secila hapësirë me grumbullim shton rrezikun. Por me masa ulet rreziku. Shihni Lojërat Olimpike në Japoni. Me organizim e disiplinë dhe rregull mund të minimizojmë të mos ketë shpërndarje të virusit edhe pse virusi Delta përhapet shumë më shpejt, por edhe vrazhdësia e tij e rëndesa e sëmundjes është më e rëndë se variantet origjinale”, ka shtuar ai.