Kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash kanë zhvilluar fushatën duke premtuar projekte zhvillimore. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili kërkon votën për mandatin e dytë, ka thënë se synim kryesor ka zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës
Kandidatë të Partisë Demokratike (PDK) në garën e balotazhit, kanë vazhduar fushatën duke promovuar punët në komunat ku qeverisin dhe duke premtuar projekte në ato që synojnë ta marrin pushtetin.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, që është në garë për mandatin e radhës, ka vizituar një numër biznesesh nga muzeu “Nënë Tereza” deri te Spitali.
“Me pronarët dhe punëtorët biseduam për sfidat e tyre, por edhe për mundësitë që i kemi për t’u ndihmuar të rriten edhe më shumë në të ardhmen. Zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë ndër synimet tona kryesore, ndërsa së bashku me bizneset e Prizrenit do ta ndërtojmë një qytet edhe më të fortë ekonomikisht”, ka thënë Totaj.
Ai ka zhvilluar fushatë edhe në Gjonaj, Piranë dhe Velezhë, e të cilat ka thënë se janë tubime përfundimtare “para fitores së të dielës”.
Gjatë ditës përkrahje bizneseve iu dha edhe kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri.
Ai ka vizituar panairin e produkteve të bizneseve të grave, nga ku dha një premtim.
“E mrekullueshme të shohim se si tradita merr formë moderne në duart e grave të Mitrovicës. Ky panair është një urë që lidh të kaluarën me të tashmen, duke ruajtur dhe forcuar identitetin tonë kulturor. Mbështetja për gratë e Mitrovicës do të jetë gjithnjë më e madhe”, ka thënë Tahiri.
Ai ka realizuar edhe një numër takimesh të tjera, pas të cilave ka thënë se në Mitrovicë ka entuziazëm për mbështetjen e tij për kryetar.
“Qytetarët janë forca më e madhe dhe besimin që po ma jepni do t’ua kthej me punë, transparencë dhe përkushtim të pandalur”, ka thënë Tahiri.
E në komunën fqinje, Vushtrri, kryetari aktual, Ferit Idrizi, që synon mandatin e dytë, ka takuar banorët e Studimes së Poshtme, me të cilët ka thënë se ka biseduar për punët e kryera dhe planet për mandatin e ri.
Ai ka thënë se në çdo lagje e çdo fshat po merr gjithnjë e më shumë mbështetjen e njerëzve që besojnë në vazhdimësinë e punës së mirëfilltë.
Idrizi shpërndau një video, në të cilën thotë se është kryetar i të gjithë qytetarëve.
“Këtë besim që ma keni dhënë edhe në vitin 2021, ku e udhëhoqa për katër vjet bashkë me drejtorët që i kam këtu prezentë, u shërbyem të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë i kam qëndruar besnik parimit dhe zotimit tim, kryetar i të gjithë qytetarëve”, ka thënë Idrizi.
Ai ka folur edhe për rininë, në një aktivitet tjetër.
“Me rininë tonë të jashtëzakonshme ndava lajmin që nga viti i ardhshëm në Vushtrri do të mbahen garat në CS 2 dhe FIFA”, ka thënë ai. “Kjo është mënyra jonë për ta vazhduar mbështetjen për rininë tonë, në lojë, kreativitet dhe garë të shëndetshme. Paralelisht do të kemi edhe buxhetin rekord të komunës të ndarë për rininë, në arsim, kulturë e fusha të tjera. Nga viti i ardhshëm Vushtrria do të bëhet vendi i takimit për të gjithë gamerët”, ka thënë Idrizi.
Fushatë ka zhvilluar edhe kandidati për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi.
Ai ka përuruar sallën e edukatës fizike për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme të ulët “Idriz Seferi” në Bob. Aty është pritur me këngë e valle, në kuadër të një programi të organizuar nga shkolla.
Ka promovuar edhe të tjera projekte në arsim.
“Investimet e realizuara në shkolla janë një faktor thelbësor në përmirësimin e cilësisë së arsimit, modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të favorshme për procesin mësimor”, ka thënë Vishi.
Kandidati për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, takoi banorët e fshatit Brrut, për të cilët tha se janë si dëshmi e qartë se përkrahja për PDK-në po rritet çdo ditë.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në mbledhjen e kryesisë së partisë, ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës që, sipas tij, kanë mundësuar rikthimin e këtij subjekti në vendin e parë pas 12 vjetëve sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale.
“Kryetari Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdojë angazhimin dhe mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK-ja është në garë, edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit”, ka thënë Krasniqi, përcjell PDK-ja përmes një komunikate.
Në gjashtë komuna kandidatët e PDK-së janë në balotazh.