Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së tretë të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.
Haradinaj: U dëshmua vendosmëria e Klinës për të vazhduar me Zenun Elezajn
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se puna katërvjeçare e kryetarit aktual të Klinës dhe e kandidatit të partisë së tij për edhe një mandat, Zenun Elezaj, e ka dëshmuar vendosmërinë e komunës për ta vazhduar rrugën e zhvillimit me të njëjtën udhëheqje edhe për katër vjet të tjerë.
Në tubimin me qytetarë të mbajtur të mërkurën në Klinë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e balotazhit të 9 nëntorit, Haradinaj ka përmendur projektet që i ka realizuar Elezaj e të cilat e kanë çuar komunën përpara.
“Sonte, në një tubim të jashtëzakonshëm, Klina e dëshmoi vendosmërinë për ta vazhduar rrugën e zhvillimit me kryetarin Zenun Elezaj – 174. Bashkëqeverisja që prof. Zenun Elezaj ka ndërtuar me qytetarët është garanci e projekteve që e kanë çuar Klinën përpara dhe që do ta çojnë edhe më lart në mandatin e ri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, pas tubimit.
E kandidati Elezaj e ka quajtur AAK-në parti fituese në Klinë.
“Sonte, ishim bashkë dhe krenarë për rezultatin e 12 tetorit, kur qytetarët e Klinës folën qartë e bindshëm se AAK është partia fituese në Klinë. Kjo është fitore e besimit tuaj, e punës sonë të ndershme, e përkushtimit për çdo fshat, çdo lagje dhe çdo qytetar. Por gara nuk ka mbaruar. Tani jemi në rundin vendimtar, në një betejë që do ta vulosë fitoren e plotë të Aleancës dhe do ta përcaktojë rrugën e zhvillimit të Klinës për katër vitet e ardhshme. Fitorja e së dielës është në duart tona”, ka shkruar ai.
Kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetarë komunash, ditën e tretë të fushatës e kanë përqendruar në kritika për qeverisjet aktuale lokale dhe në shpalosjen e premtimeve dhe vizioneve për mandatet që i synojnë.
Në Juniku, kandidati Agron Kuçi e ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se për arsye politike i ka lënë në gjysmë shumë projekte.
“Kjo rrugë, që të çon te shtëpia e Bardhyl Himajt, është lënë qëllimisht pa asfalt, edhe pse çdo gjë është gati për t’u shtruar. Arsyeja? Sepse banorët nuk janë të LDK-së. Por Juniku nuk është i një partie – është i qytetarëve të ndershëm që meritojnë barazi dhe respekt”, ka shkruar ai.
E në Suharekë, kryetari aktual që e synon edhe një mandat, Bali Muharremaj, e ka quajtur garën politike në këtë komunë të përfunduar, teksa në tubimin me qytetarë në fshatin Duhël e ka kujtuar kontributin e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës.
“Mos me kanë dëshmorët e invalidët, sot nuk kishim me qenë këtu. Gara për partitë është kry, por tash ka ardhë puna për kryetar komune. Unë sonte nuk po flas vetëm si anëtar i Aleancës, por si qytetar i këtij vendi”, ka theksuar Muharremaj.
Kryetari i komunës së Rahovecit që e kërkon edhe një mandat, Smajl Latifi, fushatën e ka përqendruar te gratë. Ai ka premtuar që në rast se i siguron edhe katër vjet të tjerë në detyrë do të angazhohet që gratë të fuqizohen në vendimmarrje.
“Mandati ynë i ardhshëm do të karakterizohet nga një përkushtim i veçantë për mbështetjen e grave të komunës sonë, duke u dhënë hapësirën që meritojnë dhe duke i përfshirë në vendimmarrje institucionale. Këtë çështje e diskutuam së bashku sot, në një tubim me gra, ku patëm rastin të diskutojmë edhe për masat konkrete që do t’i ndërmarrim që gratë të gjejnë mbështetjen e nevojshme si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat”, ka shkruar ai në rrjete sociale.
Latifi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 12 tetor, ka dalë kandidati i parë, duke i siguruar 37 për qind të votave. Në balotazh, ai do të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ali Dula, i cili në raund të parë ka marrë 23 për qind të votave.
Në Klinë, Elezaj si kandidati i parë i raundit të 12 tetorit, më 5 nëntor do të ballafaqohet me Sokol Bashotën e Partisë Demokratike (PDK). E në Rahovec, Latifaj do t’i matë forcat me Visar Korenicën e LVV-së.
AAK-ja ka shkuar në balotazh në pesë komuna.
Totaj: Synim kryesor, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës
Kandidatë të Partisë Demokratike (PDK) në garën e balotazhit, kanë vazhduar fushatën duke promovuar punët në komunat ku qeverisin dhe duke premtuar projekte në ato që synojnë ta marrin pushtetin.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, që është në garë për mandatin e radhës, ka vizituar një numër biznesesh nga muzeu “Nënë Tereza” deri te Spitali.
“Me pronarët dhe punëtorët biseduam për sfidat e tyre, por edhe për mundësitë që i kemi për t’u ndihmuar të rriten edhe më shumë në të ardhmen. Zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë ndër synimet tona kryesore, ndërsa së bashku me bizneset e Prizrenit do ta ndërtojmë një qytet edhe më të fortë ekonomikisht”, ka thënë Totaj.
Ai ka zhvilluar fushatë edhe në Gjonaj, Piranë dhe Velezhë, e të cilat ka thënë se janë tubime përfundimtare “para fitores së të dielës”.
Gjatë ditës përkrahje bizneseve iu dha edhe kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri.
Ai ka vizituar panairin e produkteve të bizneseve të grave, nga ku dha një premtim.
“E mrekullueshme të shohim se si tradita merr formë moderne në duart e grave të Mitrovicës. Ky panair është një urë që lidh të kaluarën me të tashmen, duke ruajtur dhe forcuar identitetin tonë kulturor. Mbështetja për gratë e Mitrovicës do të jetë gjithnjë më e madhe”, ka thënë Tahiri.
Ai ka realizuar edhe një numër takimesh të tjera, pas të cilave ka thënë se në Mitrovicë ka entuziazëm për mbështetjen e tij për kryetar.
“Qytetarët janë forca më e madhe dhe besimin që po ma jepni do t’ua kthej me punë, transparencë dhe përkushtim të pandalur”, ka thënë Tahiri.
E në komunën fqinje, Vushtrri, kryetari aktual, Ferit Idrizi, që synon mandatin e dytë, ka takuar banorët e Studimes së Poshtme, me të cilët ka thënë se ka biseduar për punët e kryera dhe planet për mandatin e ri.
Ai ka thënë se në çdo lagje e çdo fshat po merr gjithnjë e më shumë mbështetjen e njerëzve që besojnë në vazhdimësinë e punës së mirëfilltë.
Idrizi shpërndau një video, në të cilën thotë se është kryetar i të gjithë qytetarëve.
“Këtë besim që ma keni dhënë edhe në vitin 2021, ku e udhëhoqa për katër vjet bashkë me drejtorët që i kam këtu prezentë, u shërbyem të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë i kam qëndruar besnik parimit dhe zotimit tim, kryetar i të gjithë qytetarëve”, ka thënë Idrizi.
Ai ka folur edhe për rininë, në një aktivitet tjetër.
“Me rininë tonë të jashtëzakonshme ndava lajmin që nga viti i ardhshëm në Vushtrri do të mbahen garat në CS 2 dhe FIFA”, ka thënë ai. “Kjo është mënyra jonë për ta vazhduar mbështetjen për rininë tonë, në lojë, kreativitet dhe garë të shëndetshme. Paralelisht do të kemi edhe buxhetin rekord të komunës të ndarë për rininë, në arsim, kulturë e fusha të tjera. Nga viti i ardhshëm Vushtrria do të bëhet vendi i takimit për të gjithë gamerët”, ka thënë Idrizi.
Fushatë ka zhvilluar edhe kandidati për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi.
Ai ka përuruar sallën e edukatës fizike për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme të ulët “Idriz Seferi” në Bob. Aty është pritur me këngë e valle, në kuadër të një programi të organizuar nga shkolla.
Ka promovuar edhe të tjera projekte në arsim.
“Investimet e realizuara në shkolla janë një faktor thelbësor në përmirësimin e cilësisë së arsimit, modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të favorshme për procesin mësimor”, ka thënë Vishi.
Kandidati për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, takoi banorët e fshatit Brrut, për të cilët tha se janë si dëshmi e qartë se përkrahja për PDK-në po rritet çdo ditë.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në mbledhjen e kryesisë së partisë, ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës që, sipas tij, kanë mundësuar rikthimin e këtij subjekti në vendin e parë pas 12 vjetëve sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale.
“Kryetari Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdojë angazhimin dhe mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK-ja është në garë, edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit”, ka thënë Krasniqi, përcjell PDK-ja përmes një komunikate.
Në gjashtë komuna kandidatët e PDK-së janë në balotazh.
Përparim Rama premton fasadimin e objekteve në lagjen “Ulpiana”
Takime me qytetarë e vizita në lagje të kryeqytetit ka zhvilluar të mërkurën kryetari aktual dhe njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike edhe për një mandat në krye të Prishtinës, Përparim Rama.
Krahas takimeve me banorë të lagjes “Dardania”, Rama në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka shpalosur disa nga projektet e përfunduara në lagjen “Ulpiana”.
“Jemi këtu në Kurrizin ikonik, ku kemi bërë punë të mëdha në tunel poshtë, e tash e tutje do të fokusohemi në fasadimin e gjitha këtyre fasadave, të cilat nuk janë prekë, që më shumë se 40 vjet”, ka thënë Rama.
Ai gjatë së mërkurës ka mbajtur tubim edhe me mësimdhënësit e kryeqytetit.
Rama ka premtuar fuqizim të shkollave.
“Mësimdhënësit janë themeli i një Prishtine që ngrihet mbi dije, barazi dhe mundësi për çdo fëmijë. Çdo hap përpara i arsimit në kryeqytet mban vulën e përkushtimit të tyre, njerëz që rrisin gjenerata me dije, durim dhe dashuri. Vizioni ynë mbetet i njëjtë: një Prishtinë që e respekton mësuesin, e fuqizon shkollën dhe e sheh të ardhmen në sytë e çdo nxënësi. Ky rrugëtim vazhdon bashkë, me angazhim të palëkundur për kushte më të mira në arsim”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Rama në rundin e dytë më 9 nëntor do të përballet me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje.
Premtim për investime në pajisjen me ashensorë të objekteve banesore në Fushë-Kosovë ka bërë kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Besnik Osmani, i cili për kundërkandidat në balotazh e ka Valon Prebrezën nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka premtuar investime edhe në Bresje.
“Ndërtesat e vjetra në lagjen e Bresjes, do të realizohet një proces i plotë rinovimi me përmirësim të infrastrukturës, krijim të hapësirave gjelbëruese dhe parqeve të reja, për t’u dhënë banorëve kushte moderne, të sigurta dhe më të mira për jetesë!”, ka thënë Osmani.
E në Suharekë, kandidati Ardian Shala ditën e tretë të fushatës e ka përqendruar në takim me banorë të fshatrave dhe me pensionistë.
“Me shumë respekt e mirënjohje, e falënderim për çdo familje, për besimin dhe përkrahjen që më kanë dhënë në zgjedhjet e 12 tetorit. Bashkëpunimi me banorët e Semetishtit ka qenë gjithmonë i sinqertë dhe i frytshëm dhe se çdo hap i bërë është rezultat i këtij bashkimi. Më 9 nëntor do të jemi bashkë për të vazhduar punën e nisur – për zhvillim, për përparim dhe për të ardhmen e përbashkët të Suharekës”, ka thënë Shala.
Në balotazh, Shala do të përballet me kryetarin aktual dhe kandidatin e AAK-së, Bali Muharremaj.
Arbër Ismajli, që është kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit, ka shpalosur prioritetet në fushën e shëndetësisë. Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka premtuar punësim për mjekë të porsadiplomuar, që çdo qytetar ta ketë mjekun e vet si dhe pajisje moderne e efikasitet në menaxhim.
Ismajli përballë më 9 nëntor do ta ketë Alban Hysenin e LVV-së që është edhe kryetar aktual.
E Xhafer Gashi, që e synon edhe një mandat si kryetar në Obiliq, ka numëruar investimet e bëra në fushën e kulturës dhe sportit.
“Kompleksi sportiv te stadiumi ‘Agron Rama’ dhe stadiumi ‘Adem Jashari’. Siç e dini janë ofruar hapësira të shumta për rininë. Shtëpia e Kulturës, Biblioteka, sheshe, parqe, fusha sportive mbi 33 sosh. Gjithashtu jemi duke ndërtuar pishinën gjysmë olimpike, për fëmijët që lëndë mësimore do ta kenë edhe notin”, ka thënë Xhaferi.
Xhaferi në rundin e dytë do të garojë kundër Halil Thaçit të Vetëvendosjes.
Sokol Haliti po ashtu po e kërkon edhe një mandat. Si kandidat i LDK-së për kryetar të Vitisë, ai të mërkurën ka takuar Forumin e Gruas të kësaj partie.
“Ju jeni forca që mban gjallë shpresën tonë për një të ardhme më të drejtë, më dinjitoze dhe më të barabartë për të gjithë. Një falënderim i veçantë për Forumin e jashtëzakonshëm të Gruas, për këtë organizim masovik! Rrugëtimi ynë vazhdon bashkë, me zemër, me vendosmëri dhe me dashuri për Vitinë tonë. Ju faleminderit pa fund për gjithçka!”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në Facebook.
LDK-ja është në balotazh edhe në Pejë, Junik e Dragash.
Gola premton ta bëjë Gjakovën me fabrikë që prodhon dronë ushtarakë
Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje që synojnë mandatet e kryetarëve në komunat më të mëdha u zotuan të mërkurën për investime zhvillimore, fokus në arsim, por dhanë zotime edhe për sigurinë.
Ardian Gola, i cili synon që nëpërmjet balotazhit të bëhet kryetar i Gjakovës, premtoi fabrikë që prodhon edhe dronë ushtarakë.
“Së bashku me Qeverinë qendrore do të ndërtojmë fabrikën e parë në Kosovë për prodhimin e dronëve civilë dhe ushtarakë. Me këtë fabrikë do të krijohen 100 vende pune qysh në gjysmën e parë të mandatit. Aty do të përfshihen dronë për ushtri, për bujqësi, për monitorim të infrastrukturës – të gjitha këto lloje të dronëve do të jenë prodhim ‘Made in Gjakova’”, ka premtuar Gola.
Premtime të karakterit ekonomik dhanë edhe kandidatë të tjerë.
Kryetari aktual i Gjilanit Alban Hyseni, që synon mandatin e dytë, u zotua për të krijuar ambient të favorshëm investimi për mërgimtarët.
“Mërgata është pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Gjilanit. Forumi Ekonomik për Mërgatën është një prej mekanizmave që do të sigurojë investime të reja nga jashtë dhe zhvillim ekonomik për Kosovën dhe për bashkatdhetarët tanë. Zyra për Mërgatën, po ashtu, është një mekanizëm përmes së cilit do të mund të qëndrojmë në kontakt, të diskutojmë problemet dhe të shfaqim sfidat tona që na preokupojnë”, ka thënë Hyseni.
E, kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, u zotua të sigurojë infuzion financiar për Shalën e Bajgorës, nëse e fiton garën në balotazh.
“Njëri prej veprimeve të para që do të marrë është organizimi i një konference të donatorëve, duke përfshirë edhe potencialin ekonomik që kanë banorët e Shalës që jetojnë jashtë Mitrovicës dhe në diasporë. Në funksion të saj do të trajtojmë gjithë mundësinë dhe potencialin që ka Shala – prej mundësisë së investimeve në energji të ripërtërishme, agroturizëm e ekoturizëm, deri te investimet në pjesën e trashëgimisë kulturore”, është zotuar Peci.
Ndërkaq një natë më parë Hajrullah Çeku, që synon të bëhet kryetar i Prishtinës, organizoi takim me banorët e “Kodrës së Trimave”, të cilëve u premtoi transformimin e lagjes.
“Ne kemi një ide dhe një vizion për transformimin rrënjësor të ‘Kodrës së Trimave’ përmes ndërtimeve të larta, që do të ofrojnë siguri mbi pronën, kushte më të mira jetese, më shumë hapësirë publike dhe zgjidhje përfundimtare për të gjitha problemet e ‘Kodrës së Trimave’. Dy çerdhe të reja publike ose me bazë në komunitet për ‘Kodrën e Trimave’ – kjo është më e pakta”, ka premtuar Çeku.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti u ka dhënë mbështetje disa prej kandidatëve, duke marrë pjesë në aktivitete elektorale.
Në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë ai ka thënë se nuk ka munguar asnjëherë vullneti i banorëve të lagjes, por ka munguar drejtësia urbane, planifikimi komunal që respekton pronën, njeriun dhe dinjitetin, investimet kapitale të merituara për një lagje që ka kontribuar shumë më shumë sesa që ka marrë.
“Me Hajrulla Çekun kryetar, ‘Kodra e Trimave’ do të jetë krenari për të kaluarën dhe model për të ardhmen”, ka thënë ai dhe ka listuar premtimet.
Ndërkaq në Mitrovicë ka thënë se kjo komunë ka mbajtur peshën më të madhe pas luftës.
“Tash ajo ka nevojë për çerdhe të reja, hapësira të gjelbra, mjedis të pastër, spital të ri, transport publik dhe punësim, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Mitrovica e ka një qeveri qendrore që sytë i ka kah ajo. I duhet vetëm edhe qeverisja lokale që dëgjon dhe shërben e ajo është Lëvizja Vetëvendosje dhe Faton Peci, kryetar”, ka thënë Kurti.
E, kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka mbajtur një takim elektoral në Bardh të Madh, një vend që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë si pikënisje e rrugëtimit të tij personal dhe politik.
Në fjalën e tij, Prebreza theksoi se Bardhi i Madh përfaqëson simbolikën e përkushtimit, punës dhe ndershmërisë: vlera që ai synon t’i reflektojë në udhëheqjen e ardhshme të komunës. E, duke iu referuar rrugëtimit të deritanishëm të fushatës, Prebreza potencoi rëndësinë e bashkimit qytetar dhe të besimit të ndërsjellë si themel për zhvillimin e komunës.
Në 12 prej 18 komunave që kanë shkuar në balotazh, garojnë kandidatë të Vetëvendosjes.
Tubimi i AAK-së në Klinë, Haradinaj: U dëshmua vendosmëria për të vazhduar me Zenun Elezajn
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas tubimit të kësaj partie sonte në Klinë, ka thënë se është dëshmuar vendosmëria për të vazhduar rrugën e zhvillimit me kryetarin Zenun Elezaj.
“Sonte, në një tubim të jashtëzakonshëm, Klina e dëshmoi vendosmërinë për ta vazhduar rrugën e zhvillimit me kryetarin Zenun Elezaj – 174. Bashkëqeverisja që prof. Zenun Elezaj ka ndërtuar me qytetarët është garanci e projekteve që e kanë çuar Klinën përpara dhe që do ta çojnë edhe më lart në mandatin e ri”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai ka shprehur mirënjohje për pritjen dhe mbështetjen e jashtëzakonshme.
Rama: Vizioni ynë mbetet i njëjtë, një Prishtinë që respekton mësuesin e fuqizon shkollën
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, që është kandidat i LDK-së për edhe një mandat në kryeqytet, është takuar të mërkurën me mësimdhënësit.
Rama në një postim në Facebook ka thënë se vizioni i tij mbetet i njëjtë, “një Prishtinë që e respekton mësuesin, e fuqizon shkollën dhe e sheh të ardhmen në sytë e çdo nxënësi”.
“Mësimdhënësit janë themeli i një Prishtine që ngrihet mbi dije, barazi dhe mundësi për çdo fëmijë. Çdo hap përpara i arsimit në kryeqytet mban vulën e përkushtimit të tyre, njerëz që rrisin gjenerata me dije, durim dhe dashuri. Vizioni ynë mbetet i njëjtë: një Prishtinë që e respekton mësuesin, e fuqizon shkollën dhe e sheh të ardhmen në sytë e çdo nxënësi. Ky rrugëtim vazhdon bashkë, me angazhim të palëkundur për kushte më të mira në arsim”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama në balotazhin më 9 nëntor do të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku.
Hyseni: Kemi në plan shumë aktivitete dhe nisma të reja për mërgatën
Kryetari i Gjilanit dhe kandidati edhe për një tjetër mandat në krye të komunës, Alban Hyseni ka thënë se do të vazhdojë t’i ketë prioritet bashkatdhetarët.
“Komuna e Gjilanit, do të vazhdoi të ketë prioritet bashkatdhetarët, të cilët vlerësohen si pjesë vitale, pasuri e kombit dhe potenciali për zhvillim të vendit. Duke parë se kontributi i diasporës ndihet dhe vlerësohet në çdo kohë dhe në secilin sektor, komuna do të rris aktivitetet dhe përkrahjen”, ka shkruar ai.
Hyseni, tha se mërgata është pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Gjilanit.
“Zotohemi se do ta vazhdojmë mbështetjen dhe do ta forcojmë lidhjen me mërgatën tonë. Do të krijojmë Zyrën e Mërgatës, për t’i shërbyer më mirë dhe për të qenë më afër çdo qytetari tonë jashtë vendit”, tha ai.
Tutje theksoi se do të vazhdojnë me Forumin Ekonomik të Mërgatës, për të sjellë investime të reja dhe zhvillim ekonomik në Gjilan.
“Kemi në plan shumë aktivitete dhe nisma të reja për mërgatën tonë”, tha Hyseni.
Prebreza nga Bardhi i Madh: Fushë-Kosova po bashkohet për ndryshim
Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Valon Prebreza, ka mbajtur një takim elektoral në Bardh të Madh, një vend që për të ka rëndësi të veçantë si pikënisje e rrugëtimit të tij personal dhe politik.
Në fjalën e tij, Prebreza theksoi se Bardhi i Madh përfaqëson simbolikën e përkushtimit, punës dhe ndershmërisë: vlera që ai synon t’i reflektojë në udhëheqjen e ardhshme të komunës. Ai theksoi se mesazhi i qytetarëve në raundin e parë të zgjedhjeve ishte i qartë “Fushë Kosova kërkon ndryshim, transparencë dhe një komunë që i shërben qytetarit”.
Duke iu referuar rrugëtimit të deritanishëm të fushatës, Prebreza potencoi rëndësinë e bashkimit qytetar dhe të besimit të ndërsjellë si themel për zhvillimin e komunës. Ai shprehu përkushtimin për të ndërtuar një qeverisje që nuk bazohet në privilegje, por në përgjegjësi, dhe që synon të krijojë kushte më të mira për familjet, të rinjtë dhe të moshuarit e komunës.
Çeku premton dy çerdhe të reja për secilën lagje të Prishtinës
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Hajrullah Çeku, ka premtuar ndërtimin e dy çerdheve të reja në secilën lagje të kryeqytetit nëse e fiton balotazhin më 9 nëntor.
Çeku në balotazh do të përballet me Përparim Ramën e LDK-së, që është kryetar aktual i kryeqytetit.
Në raundin e parë më 12 tetor Rama doli i pari me 35 mijë e 595 vota, ndërsa Çeku ishte i dyti me 35 mijë e 77 vota.
"Numri 105 është numri për çerdhe të reja. Dy çerdhe të reja për secilën lagje të Prishtinës", ka shkruar Çeku në Facebook.
Të martën Çeku mbajti tubim në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
“Në Kodrën e Trimave nuk ka munguar asnjëherë vullneti i banorëve; ka munguar drejtësia urbane, planifikimi komunal që respekton pronën, njeriun dhe dinjitetin, investimet kapitale të merituara për një lagje që ka kontribuar shumë më shumë sesa që ka marrë. Me Hajrulla Çekun kryetar, Kodra e Trimave do të jetë krenari për të kaluarën dhe model për të ardhmen sepse do të sigurojmë: Transformim të tërësishëm të lagjes përmes ndërtimit të lartë; Çerdhe të reja publike; Zgjidhje të plotë, të drejtë dhe transparente të çështjes së pronave; Zgjidhje përfundimtare për furnizimin e pandërprerë me ujë të pijes; Rrugë të sigurta me ndriçim publik, trotuare të reja, kufizim shpejtësie dhe kalime për këmbësorë; Parqe, kënde lojërash dhe hapësira gjelbëruese; Menaxhimi efikas i mbeturinave dhe mirëmbajtje e pastërtisë; Rehabilitim të sistemit të kanalizimit fekal dhe atmosferik”, ka shkruar kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherit kryetar i Vetëvendosjes.