Nën 2% pjesëmarrja e votuesve në balotazh deri ora 9

28 min. më parë / 9 nën 2025 09:50
zgjedhje

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para nga numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë deri në ora 09:00 në procesin e votimit.

Dy orë pas hapjes së qendrave të votimit në 18 komunat ku po organizohet balotazhi në Kosovë, numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë deri tani në votim është 26 mijë e 86.

Ky numër (26 mijë e 86) i votuesve paraqet 1.98% të numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kanë dalë për të votuar deri tani.

Nga 18 komunat ku organizohet balotazhi të drejtë vote kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë.

Në kryeqytet deri tani kanë votuar 5 mijë e 998 qytetarë nga 222 mijë e 418 me të drejtë vote apo 2.70%.

KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit

1 o. më parë / 9 nën 2025 09:09
Votimi

Komisioni Qendror i Zgjedhje, ka njoftuar se që në orët e para të mëngjesit është shpërndarë me kohë materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, në të gjitha Qendrat e Votimit.

Gjatë një konferencë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregoi edhe se procesi zgjedhor po zhvillohet në 525 Qendra të Votimit dhe me gjithsej 1.648 vendvotime.

“Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot”, deklaroi Elezi.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.

Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.

Kurti: Zgjedhjet komunale janë të rëndësishme për dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve

1 o. më parë / 9 nën 2025 08:52
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. I pyetur për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në Mitrovicë, Kurti tha se gjatë kësaj fushate ka punuar me tri ndërrime dhe se është përpjekur të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje.

“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime anë e mbanë Komunave të Kosovës. Jam përpjekur të vëzhgoj të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme sesa ato parlamentare e qendrore. Tejet e rëndësishme për mirëqenien e dinjitetin, dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve. Fletëvotimi ishte i thjeshtë i kishte vetëm dy emra. Njëri prej tyre medeomos do të fitojë në mbrëmje”, deklaroi Kurti para mediave.

Tutje ai tha se zgjedhjet sot po mbahen në më pak se gjysma e komunave në numër.

“Ditë e mirë për demokracinë dhe lirinë. Posa votova këtu në Prishtinë në ndërtesën e Fakultetit Juridik. Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të bëhen pjesëmarrës për zgjedhjen e kryetarëve. Gjithçka do të shkoj mbarë e mirë. KQZ-ja ka bërë të gjitha përgatitjet. Komisionerët e vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit. 18 komunat ku mbahen zgjedhjet sot në balotazh janë më pak se gjysma e komunave të Kosovës por nëse e shikoni se për cilat komuna bëhet fjalë është e qartë se janë mbase mbi 80 për qind e popullsisë së Republikës", deklaroi Kurti.

Rreth 80 prokurorë të angazhuar për zgjedhjet e sotme

1 o. më parë / 9 nën 2025 08:39
zgjedhje

Rreth 80 prokurorë të shtetit janë angazhuar për zgjedhjet e balotazhit që po mbahen sot.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale. Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

Ekipi i Kohës pengohet të marrë pamje brenda një vendvotimi në shkollën “Fazli Grajqevci” në Mitrovicë

1 o. më parë / 9 nën 2025 08:28
peng

Ekipi i Kohës është penguar të xhirojë në një vendvotim në shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol të Mitrovicës.

Gazetarja Valbona Bytyqi gjatë kohës sa ishte duke raportuar drejtpërdrejt, nuk është lejuar të marrë pamje brenda klasës.

Kjo pasi një nga kryesuesit e këtij vendvotimi u ka thënë që nuk është i lejuar xhirimi. Kjo duke u bazuar në fotografitë e vendosura në vendvotim ku ndalohet fotografimi dhe telefoni.

Ish-anëtari i KQZ-së Blerim Burjani ka thënë se nuk duhet të ndalohen gazetarët.

“Nuk ka ndodhë që gazetarët të mos lejohen të xhirojnë brenda vendvotimit. Është keqkuptim, sepse trajnimi bëhet që qytetarët të mos bëjnë fotografi. Kjo nuk duhet të ndodhë. Gazetarët janë të lirë”, ka thënë ai.

Radoniqi bën thirrje për dalje në votim dhe respektim të Ligjit të zgjedhjeve

3 o. më parë / 9 nën 2025 07:10
kreshnik radoniqi

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka thënë se çdo gjë është gati për të votuar sot.

Ai ka ftuar qytetarët e 18 komunave të cilat janë në balotazh që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

“Me këtë rast bëj apel që të respektohen rregullat e KQZ dhe ligji i zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se sa i përket votimit me asistencë KQZ ka marrë të gjithë hapat.

“Se çka ndodhë në realitet në ditën e zgjedhjeve do të mbetet nën administrimin e KKZ-së”, ka thënë Radoniqi, duke shtuar se jo çdo kush ka të drejtë të votojë me asistencë.

Ndërkaq për votat me postë, ai ka thënë se pritet të vijnë gjatë javës së ardhshme.

Hapen vendvotimet

3 o. më parë / 9 nën 2025 07:03
balotazhi

Photo: Driton Paçarada

Në orën 7 janë hapur vendvotimet në 18 komunat të cilat kanë shkuar në rundin e dytë të votimeve.

Beteja finale për pushtetin lokal, zhvillohet të dielën në 18 komuna. Nga ora 7 e mëngjesit e deri në 7 të mbrëmjes, nëpërmjet votës, qytetarët do të vendosin se kush do të udhëheqë në komunat: Prishtinë, Prizren, Peja, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.

Për raundin e dytë, numri i qytetarëve me të drejtë vote u rrit për 543 votues.

 

Beteja finale në 18 komuna

3 o. më parë / 9 nën 2025 06:32
Zgjedhjet lokale

Foto: Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Beteja finale për pushtetin lokal, zhvillohet të dielën në 18 komuna. Nga ora 7 e mëngjesit e deri në 7 të mbrëmjes, nëpërmjet votës, qytetarët do të vendosin se kush do të udhëheqë në komunat: Prishtinë, Prizren, Peja, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.

Për raundin e dytë, numri i qytetarëve me të drejtë vote u rrit për 543 votues.

“Sipas Listës së Votuesve të aprovuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj që kanë mbushin 18 vjeç nga 13 tetori deri më 9 nëntor dhe pas largimit të personave të vdekur dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në rundin e parë”, ka bërë të ditur KQZ-ja.

20 komuna e kanë vendosur kryetarin në raundin e parë, më 12 tetor.

Qendrat e votimit, të dielën do të hapen në orën 7 dhe do të mbyllen në orën 19.