Zgjedhjet lokale

Gola premton ta bëjë Gjakovën me fabrikë që prodhon dronë ushtarakë

Ardian Gola

Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarë komunash kanë dhënë zotime për projekte që prekin jo vetëm nivelin lokal. Ardian Gola u zotua ta bëjë Gjakovën me fabrikë që prodhon dronë ushtarakë e të tjerët premtuan projekte zhvillimore ekonomike

Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje që synojnë mandatet e kryetarëve në komunat më të mëdha u zotuan të mërkurën për investime zhvillimore, fokus në arsim, por dhanë zotime edhe për sigurinë.

Ardian Gola, i cili synon që nëpërmjet balotazhit të bëhet kryetar i Gjakovës, premtoi fabrikë që prodhon edhe dronë ushtarakë.

“Së bashku me Qeverinë qendrore do të ndërtojmë fabrikën e parë në Kosovë për prodhimin e dronëve civilë dhe ushtarakë. Me këtë fabrikë do të krijohen 100 vende pune qysh në gjysmën e parë të mandatit. Aty do të përfshihen dronë për ushtri, për bujqësi, për monitorim të infrastrukturës – të gjitha këto lloje të dronëve do të jenë prodhim ‘Made in Gjakova’”, ka premtuar Gola.

Premtime të karakterit ekonomik dhanë edhe kandidatë të tjerë.

Kryetari aktual i Gjilanit Alban Hyseni, që synon mandatin e dytë, u zotua për të krijuar ambient të favorshëm investimi për mërgimtarët.

“Mërgata është pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Gjilanit. Forumi Ekonomik për Mërgatën është një prej mekanizmave që do të sigurojë investime të reja nga jashtë dhe zhvillim ekonomik për Kosovën dhe për bashkatdhetarët tanë. Zyra për Mërgatën, po ashtu, është një mekanizëm përmes së cilit do të mund të qëndrojmë në kontakt, të diskutojmë problemet dhe të shfaqim sfidat tona që na preokupojnë”, ka thënë Hyseni.

E, kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, u zotua të sigurojë infuzion financiar për Shalën e Bajgorës, nëse e fiton garën në balotazh.

“Njëri prej veprimeve të para që do të marrë është organizimi i një konference të donatorëve, duke përfshirë edhe potencialin ekonomik që kanë banorët e Shalës që jetojnë jashtë Mitrovicës dhe në diasporë. Në funksion të saj do të trajtojmë gjithë mundësinë dhe potencialin që ka Shala – prej mundësisë së investimeve në energji të ripërtërishme, agroturizëm e ekoturizëm, deri te investimet në pjesën e trashëgimisë kulturore”, është zotuar Peci.

Ndërkaq një natë më parë Hajrullah Çeku, që synon të bëhet kryetar i Prishtinës, organizoi takim me banorët e “Kodrës së Trimave”, të cilëve u premtoi transformimin e lagjes.

“Ne kemi një ide dhe një vizion për transformimin rrënjësor të ‘Kodrës së Trimave’ përmes ndërtimeve të larta, që do të ofrojnë siguri mbi pronën, kushte më të mira jetese, më shumë hapësirë publike dhe zgjidhje përfundimtare për të gjitha problemet e ‘Kodrës së Trimave’. Dy çerdhe të reja publike ose me bazë në komunitet për ‘Kodrën e Trimave’ – kjo është më e pakta”, ka premtuar Çeku.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti u ka dhënë mbështetje disa prej kandidatëve, duke marrë pjesë në aktivitete elektorale.

Në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë ai ka thënë se nuk ka munguar asnjëherë vullneti i banorëve të lagjes, por ka munguar drejtësia urbane, planifikimi komunal që respekton pronën, njeriun dhe dinjitetin, investimet kapitale të merituara për një lagje që ka kontribuar shumë më shumë sesa që ka marrë.

“Me Hajrulla Çekun kryetar, ‘Kodra e Trimave’ do të jetë krenari për të kaluarën dhe model për të ardhmen”, ka thënë ai dhe ka listuar premtimet.

Ndërkaq në Mitrovicë ka thënë se kjo komunë ka mbajtur peshën më të madhe pas luftës. 

“Tash ajo ka nevojë për çerdhe të reja, hapësira të gjelbra, mjedis të pastër, spital të ri, transport publik dhe punësim, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Mitrovica e ka një qeveri qendrore që sytë i ka kah ajo. I duhet vetëm edhe qeverisja lokale që dëgjon dhe shërben e ajo është Lëvizja Vetëvendosje dhe Faton Peci, kryetar”, ka thënë Kurti.

E, kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka mbajtur një takim elektoral në Bardh të Madh, një vend që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë si pikënisje e rrugëtimit të tij personal dhe politik.

Në fjalën e tij, Prebreza theksoi se Bardhi i Madh përfaqëson simbolikën e përkushtimit, punës dhe ndershmërisë: vlera që ai synon t’i reflektojë në udhëheqjen e ardhshme të komunës. E, duke iu referuar rrugëtimit të deritanishëm të fushatës, Prebreza potencoi rëndësinë e bashkimit qytetar dhe të besimit të ndërsjellë si themel për zhvillimin e komunës. 

Në 12 prej 18 komunave që kanë shkuar në balotazh, garojnë kandidatë të Vetëvendosjes.

Lexo përditësimet tjera
Votimi

Dita e tretë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale