Zgjedhjet lokale

Gjini prezanton park në Korenicë. Ramosaj pajisje për kujdes paliativ në Deçan

Ardian Gjini

Me vendosjen e gur themelit për një park rekreativo-sportiv dhe amfiteatër veror në fshatin Korenicë, kryetari aktual i Gjakovës dhe kandidati për edhe një mandat, Ardian Gjini, e ka bërë zotimin të martën për krijimin e një hapësire që do t’u shërbejë banorëve dhe komunitetit të gjerë si pikëtakim dhe vend për aktivitete kulturore e sportive. 

“Një hapësirë e re që shumë shpejt do të bëhet pikëtakim i gjeneratave dhe frymëzim për komunitetin. Vlera e investimit komunal: 42,777 €. Ky projekt është pjesë e buxhetimit me pjesëmarrje, ashtu si edhe terreni sportiv në Rogovë dhe parku i lodrave në Bllokun e Ri, të cilat po ashtu janë në fazën e implementimit”, ka thënë ai.

E qeverisjen e tij në krye të komunës, Gjini e ka kualifikuar model që ka sjellë bashkëpunime të rëndësishme mes komunës dhe sektorit privat. “Katër vjetët e fundit u bë shumë, ka mbetur ende për t’u kryer, prandaj jam në garë. Në Këshillin publiko-privat që e kam themeluar janë arritur bashkëpunime biznesore që kanë sjellë kontrata milionëshe. Iu kemi ndihmuar bizneseve me infrastrukturë, me zona të reja ku mund të takohen e të bashkëpunojnë. Kemi ndikuar që bizneset të zhvillohen dhe të sjellin investime të reja”, ka theksuar Gjini.

Në Deçan, kryetari aktual Bashkim Ramosaj, i cili e synon edhe një mandat, ka prezantuar finalizimin e projektit për kujdesin paliativ, duke pranuar pajisje dhe aparaturë të nevojshme për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

“Ky projekt me rëndësi të madhe për shëndetin e qytetarëve tanë është realizuar falë bashkëfinancimit mes Komunës së Deçanit dhe organizatës AQH. Me këtë hap po bëhet e mundur funksionalizimi i një shërbimi të domosdoshëm për pacientët që kanë nevojë për kujdes të specializuar dhe dinjitoz. Si kryetar i komunës jam i përkushtuar që shëndetësia të mbetet prioritet i yni dhe që çdo qytetar i Deçanit të ketë qasje në shërbime cilësore dhe moderne”, ka thënë ai.

E kandidati për kryetar të Pejës, Ali Berisha, i ka vazhduar kritikat për udhëheqjen komunale teksa ka premtuar se në rast se ai vihet në krye të qeverisjes komunale, nuk do të lejojë që qytetarët “të mashtrohen”.

“Qe 12 vjet është keqpërdor kjo punë. Ka pasur mundësinë, ka qenë kryetar komune dhe e ka keqpërdorur këtë punë duke e proklamuar gjithçka, por asnjëherë të vërtetën. E ka nënshkruar parkun nacional dhe i ka marrë në qafë krejt banorët e Rugovës duke u thirrur në ta. Rugova sot nuk mund të funksionojë mirë për shkak të atij nënshkrimi”, ka thënë ai.

AAK-ja fushatë ka pasur edhe në Drenas e Skenderaj, i pranishëm në të cilat ka qenë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.

“Në Drenas, kandidati ynë për kryetar, Beqir Kiqina, me ekipin e tij, dëshmon frymë, vullnet e përkushtim për ta çuar përpara vizionin ‘Dritë për Drenasin’. Përkrahja e bizneseve të vogla e të mesme, zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm e kanalizimit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë shtylla të forta të programit tonë. Në Skenderaj, lista jonë udhëhiqet nga Feriz Shala, profesionist dhe aktivist i hershëm i Aleancës, i cili bashkë me ekipin e tij synon të sjellë një qasje ndryshe në Asamble”, ka thënë ai.

E në Rahovec, Smajl Latifi, i cili kandidon për edhe një mandat kryetari komune, ka vizituar fermerë dhe blegtorë, të cilëve u ka premtuar vazhdim të mbështetjes.

“Nuk ka sektor që Komuna e Rahovecit nuk e ka prekur me dorën e mbështetjes. Blegtorët që vizitova këtë mëngjes ndihen të kënaqur që përfitojnë nga subvencionimi i qumështit për litër dhe nga shërbimet falas të veterinarisë që i mundëson Komuna jonë. Dy blegtorëve që vizitova sot u premtova që mbështetja jonë konkrete do të rritet e zgjerohet, për të krijuar kushte edhe më të mira për veprimtarinë e tyre bujqësore”, ka theksuar ai.

Zenun Elezaj, i cili është kryetar komune në Istog dhe e synon edhe një tjetër mandat, ka shpalosur projektin për kanale të ujitjes në fshatrat Stupë, Budisalc, Krushevë e Madhe dhe Rudicë. Ai me këtë rast ka theksuar se projekti ka ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve për bujqit, duke siguruar rendimente më të larta dhe zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë në komunë.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 11-të e fushatës

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 11-të të fushatës...