Zgjedhjet lokale

Aleanca Shqiptare pret që të shkojë në balotazh në Graçanicë

Leutrim Ajeti

Nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, mendon që iniciativa Aleanca Shqiptare i ka gjasat reale të shkojë në balotazh.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Ajeti, i cili është edhe kandidat i kësaj iniciative për kryetar të Graçanicës, ka thënë se garën e sheh të ngushtë me Listën Serbe, e cila udhëheqë në këto katër vjet me komunën. 

“Kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Fillimisht kemi biseduar me nivelin qendror që jemi në bisedë për të arritur marrëveshje, na kanë thënë të vazhdojmë dhe janë pajtuar me vendimet tona që i kemi marrë nga kjo marrëveshje. Deri këtu ka ardhur si pasojë e tentativave të mëhershme. Lista Serbe garon me kandidat e gjithashtu edhe partia e Nenad Rashiqit. Mendoj se i kemi gjasat reale për të shkuar në balotazh”, ka thënë ai. 

Ajeti ka shtuar se kanë qenë të hapur për të gjitha komunitetet që t’i dërgojnë kandidatët e tyre, por nuk kanë njoftuar askush për ndonjë kandidat.

“Besoj se do ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë edhe komunitetin shqiptar, por edhe komunitetet e tjera. Në rend të parë nevojitet bashkëpunim me nivelin qendror, pa bashkëpunim me nivelin qendror nuk mund t’i shtyjmë projektet madhore përpara”, ka theksuar tutje ai.

Partitë më të mëdha shqiptare kanë vendosur të bëhen bashkë në një listë në garën zgjedhore komunale në Graçanicë.

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë me iniciativën Aleanca Shqiptare.