Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se fokusi i partisë është fitorja në komunat ku janë në balotazh.
Në një postim në Facebook ka deklaruar se janë nëntë komuna ku partia synon fitoren, duke shtuar se “çështjet tjera periferike” do të trajtohen pas zgjedhjeve.
“Çdo energji, çdo fokus, çdo aktivitet i LDK-së në këto ditë do të drejtohet vetëm për LDK-në. Do të drejtohet drejt garave tona; aty ku prijmë, aty ku garojmë, aty ku qytetarët tanë e presin fitoren e LDK-së. Dhe janë plot 9 komuna ku LDK sot garon; me 2 të fituara tashmë. Këtu mbetet puna jonë. Kështu projektohet LDK-ja jonë. Për veten, për kandidatët tanë e fitoret tona. Çështjet tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë. Tani le të fitojmë. Në Prishtinë, Pejë, Fushë Kosovë, Gjilan, Viti, Obiliq, Junik, Dragash, Suharekë”, ka thënë Abdixhiku derisa ka njoftuar për takimin e tij me kandidatët për kryetar në komunat të cilat do të shkojnë në balotazh.
Sot gjatë ditës kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka arritur marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për balotazhin e 9 nëntorit.
Në balotazh në këtë komunë janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe LVV-ja.
LDK-ja ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Tahirin për koalicionin e arritur dhe se veprimet e Tahirit janë individuale dhe të papranueshme.
Abdixhiku reagon sërish: Për punët brenda shtëpisë do të ketë rend
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish në Facebook duke deklaruar se për partinë që ai udhëheqë të tjerët po hedhin helm. Ka deklaruar se për punët e brendshme do të ketë rend.
Abdixhiku ka thënë se janë të vetëdijshëm që kanë kundërshtar, të tillë që sipas tij fërkojnë duart e aktivizohen edhe për ngjarje periferike të partisë, porse për sukseset nuk kanë asnjë fjalë.
Por, shton se LDK-ja nuk bie në “detin e madh të parëndësisë së tyre”.
“Por LDK nuk bjen në detin e madh të parëndësisë së tyre; prandaj kërkojmë mirëkuptim nga mbështetësit tanë se pse nuk reagojmë për çdo helm që kanë. Për punët brenda shtëpisë sonë, do të ketë rend. Me kohë gjithçka. Kemi punë shumë më të mençura tani. Jemi në garë; aty na duhet secili angazhim i njerëzve të mrekullueshëm tanë. Kemi nisur diçka të madhe. Po e shohim që ju kemi pas. Le të fitojmë tash! Për helmin e madh ndaj Lidhjes, ndërsa, kundërshtarëve do t’iu bjerë të presin gjatë. Lidhja është e fortë. Po rritet. Veç me besim e bindje; me anëtarësinë e popullin pas; dhe mbi të gjitha pa interesa e pa kalkulime. Kjo është pasuria më e madhe e jona”, ka shkruar ai.