Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

PZAP-ja refuzon ankesat e dy kandidatëve të PDK-së për rinumërim të votave brenda partisë

QNR Votat zgjedhjet

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu lidhur me procesin e rinumërimit të votave. 

Të dy, në ankesa të ndara kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryeziu në ankesën e tij ka pretenduar që me 185 kutitë e rinumëruara është gjetur se gjatë numërimit fillestar është dëmtuar për afro 600 vota. Mirëpo, sipas PZAP-it, gabimet gjatë numërimit fillestar kanë qenë në favor të tij.

“Sipas të dhënave zyrtare të krahasimit ndërmjet numërimit në QKN dhe rinumërimit në QNR, votat e kandidatit me numër 103, Qëndrim Kryeziu kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime. Në total, kandidati ka dy vota më pak pas rinumërimit dhe jo 589 vota më shumë. Pretendimi për 589 vota nuk përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ”.

E kandidati për deputet Bekim Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer Haxhiut 6 vota, një rinumërim i plotë do mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e kuvendit. 

Por, PZAP-i deivijimet i konsideron minimale. 

“Në rastin konkret, nga shkresat e lëndës rezulton se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu në mënyrë minimale kanë humbur disa vota. Këto ndryshime nuk janë pasqyrim i një modeli të përgjithshëm ose sistematik të pasaktësive, por dëshmojnë se korrigjimet e evidentuara kanë qenë të shpërndara dhe nuk kanë prodhuar efekt të tillë që do të vinte në dyshim integritetin e përgjithshëm të procesit”.

Të dielën në mesditë ka përfunduar afati për ankesa lidhur me procesin e rinumërimit. Tash, nëse palët nuk i ankimojnë këto vendime në Gjykatën Supreme, për çka kanë kohë 48 orë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i hapet rruga për shpallje të rezultatit përfundimtar.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se janë njoftuar me vendimet e PZAPI-së dhe ka theksuar se KQZ-ja do të presë që vendimet të marrin formën e prerë. 

“Pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t'i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka theksuar Elezi.