Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka vazhduar kritikën ndaj partive opozitare, dhe në dy video që ka publikuar, ato i ka drejtuar ndaj kryetarit të Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, e ndaj bartëses së listës së kandidatëve të Lidhjes Demokratike (LDK), Vjosa Osmani.
Për Hamzën ka thënë se veç lider opozitar nuk mund të jetë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMolliqaj i është referuar një pjese të fjalimit të Hamzës të bërë në tubimin hapës të fushatës një natë më parë në Ferizaj. Aty, kryetari i PDK-së shtron pyetje para mbështetësve: A jetoni më mirë sot? A janë ulur çmimet? A po ju mjaftojnë pagat? Dhe, pas pyetjeve, thotë se e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës se nuk mjaftojnë.
Molliqaj e ka cilësuar fjalimin si të një “ministri në tentativë të financave” të Albin Kurtit, sesa i një lideri opozitar.
“Ky nuk mund të bëjë më shumë. Ky nuk ka bërë opozitë qe gjashtë vite. Ky nuk ka shanse të bëjë opozitën prapë sepse ky nuk është për këtë punë. Ky është thjeshtë një kontabilist, i cili e sheh politikën përmes financave”, ka thënë Molliqaj. “Pra, një fjalim tepër i lodhtë, pa pikë shpirti, pa pikë zemre, pa pikë entuziazmi, që i drejtohet votuesit të vet”.
Molliqaj ka thënë se Kosova ka nevojë për opozitë konsistente dhe se nuk ka nevojë për liderë që përgatiten të ndajnë hise me Kurtin.
“Ne besojmë se Kosova duhet të ketë opozitë e opozitë përnjëmend është Partia Socialdemokrate”, ka thënë Molliqaj.
Në një video tjetër, ka kritikuar Osmanin, të cilën LDK-ja e ka nominuar si kandidate për presidente. Për të ka thënë se është pa ide dhe e ka akuzuar se për interes e pak më shumë pushtet, e keqpërdor figurën e Ibrahim Rugovës.
Ai ka marrë shkak nga fjalimi i një dite më parë që ka mbajtur Osmani në tubimin hapës të fushatës, e ku 25 herë ka përdorur mbiemrin Rugova apo fjalën rugovizëm.
“E sfidoj Vjosa Osmanin dhe krejt LDK-në, le të na gjejnë një fjalim të vetëm të Vjosa Osmanit kur ka qenë në LDK, ose për këto pesë vjet që ka qenë në Presidencë nëse kaq shpesh brenda një fjalimi e ka përdorur Ibrahim Rugovën”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka thënë se në mungesë të ideve e të qartësisë për çka garon, përmend Rugovën.
“Ky është keqpërdorim klasik i Rugovës për interesa e tua, për pushtetin tënd”, ka thënë Molliqaj.
Kurti: Më 7 qershor na duhet rekord i ri
Lëvizja Vetëvendosje e ka koncentruar aktivitetin paraelektoral në Dukagjin, në ditën e dytë të fushatës. Në Pejë, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili synon mandatin e ri në krye të Qeverisë, ka ftuar pejanët për mbështetje masive me qëllimin për të thyer rekord të ri rezultati.
Këtë e kërkoi, pasi listoi projektet që planifikon t’i realizojë në këtë komunë, e për të cilën tha se përpos kryeqytet të artit e turizmit, do të bëhet edhe kryeqytet i bujqësisë.
“Për t’i bërë të gjitha këto, më 7 qershor na duhet një rekord i ri i fitores sonë. Se fitorja është e padiskutueshëm, por të dashur qytetarë kur nuk ju mjafton 51.1 për qind, e kjo është 9 për qind më shumë se me 9 shkurt, me 7 qershor t’ia shtojmë edhe 9 për qind të tjerë, e ndoshta 60 për qind ju mjafton”, ka thënë Kurti, para mbështetësve.
Ai ka akuzuar partitë oponente për zgjedhjet e parakohshme dhe ka thënë se me veprimet që kanë bërë në Kuvend, kanë sjellë bllokadë dhe kanë shkaktuar dëm financiar për Kosovën.
“Përkundër entuziazmit e gëzimit që kemi, që është i pamohueshëm në prag të fitores së radhës, nuk kemi se si mos t’ia shtrojmë njëri-tjetrit e vetvetes pyetjen pse jemi në zgjedhje katër muaj pasi që u formua qeveria jonë. Populli si burim sovraniteti, republikë demokratike, na dha mandatin për katër vjet, e jo për katër muaj”, ka thënë Kurti.
Gjatë fjalimit, ai ka folur për punët e bëra gjatë qeverisjes së vendit prej LVV-së, ka listuar premtimet dhe ka bërë edhe krahasime me qeveritë e kaluara. Por, ka dhënë zotimin se pas mandatit të ri, më nuk do të krahasohet me qeveritë e udhëhequra nga parti të tjera.
“Ka ndonjë qytetarë që ndonjëherë aq shumë bezdisej kur dëgjonte për të kaluarën e hidhur e përvojën e mbrapshtë me ata para nesh, sa më thoshte: ‘Albin, mos u krahaso fare me ta’. Tash, ‘ne njëmend nuk krahasohemi me ta’. Ne e krahasojmë mandatin tonë të ardhshëm veç me mandatin që shkoi. Por, nganjëherë, neve na duhet që shkurtimisht të krahasohemi me ta se edhe ata i kanë do numra tjerë te ajo lista, nuk është vetëm numri 116, apo jo”, ka pyetur Kurti.
Kurt ka mbyllur fjalimin duke thënë se nevojitet mbështetje e madhe.
“Me 27 dhjetor nuk keni lëshu pe. Më 7 qershor qitjani pikën”, ka thënë ai.
Hamza prezanton 5 zotime bazë të PDK-së
Prishtinë, 29 maj – Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, ka publikuar pesë zotime, me të cilat, sipas tij, do t’i jepet fund krizës dhe do të ndryshojë Kosova.
I pari ka të bëjë me çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset.
“50 për qind më shumë para në xhepin e çdo familjeje kosovare. Më shumë mirëqenie për të gjithë”, ka premtuar ai.
Zotimi i dytë lidhet me investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja.
“Që Kosova të prodhojë më shumë, të zhvillohet më shpejt dhe të mbajë ritmin me rajonin dhe botën”, ka theksuar Hamza.
Si zotim të tretë ka listuar shëndetësinë cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar.
“Sigurime shëndetësore, barna falas për sëmundjet kronike dhe trajtim me dinjitet për secilin pacient. Shërimi është e drejtë, jo privilegj”, ka premtuar Hamza, që është kandidat i PDK-së për kryeministër.
Zotimin e katërt e ka dhënë për arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë.
“Bursa, aftësi për tregun e punës dhe mbështetje për talentin e secilit të ri në Kosovë”, ka thënë ai.
Ndërsa zotimi i pestë i kreut të PDK-së ka të bëjë me drejtësinë e pavarur, të paanshme dhe efikase.
“Zbatim i plotë i ligjit për të gjithë. Drejtësi që nuk vonon”, ka thënë Hamza.
Në ditën e dytë të fushatës, PDK-ja e ka koncentruar aktivitetin në rajonin e Dukagjinit.
Në sheshin e Gjakovës është mbajtur tubim me mbështetësit. Aty Hamza e ka kritikuar Qeverinë.
“Kosova sot ndodhet në krizë politike, shoqërore, ekonomike, krizë shprese dhe kjo krizë sigurisht që ka një shkaktar dhe ka një adresë. Shkaktar i kësaj krize është z. Kurti dhe qeveria aktuale. Qe gjashtë vjet të arrogancës, konfliktit dhe mungesës së rezultateve. Që gjashtë vjet ne dëgjojmë arsyetime. Qe gjashtë vjet ne dëgjojmë propagandë. Qe gjashtë vjet ne dëgjojmë viktimizim”, ka thënë Hamza.
Ai ka akuzuar Qeverinë edhe për mungesë projektesh kapitale.
“Ku është rruga Dollc-Gjakovë? Ku është rruga Prishtinë-Pejë? Ku është rruga Prishtinë-Gjilan? A u përfundu rruga Prishtinë-Mitrovicë? A ka përfundu hekurudha Hani i Elezit-Leposaviq?”, i ka shtruar Hamza si pyetje para përkrahësve të tij.
Ai ka thënë se me Qeveri të udhëhequr nga PDK-ja, Kosovës do t’i hapet perspektivë e re.
LDK-ja liston 113 zotime
Lidhja Demokratike (LDK) ka publikuar 113 zotime të programit, me të cilin garon për zgjedhjet e 7 qershorit. Një plan pune për një Kosovë që punon, zhvillohet dhe e bën jetën e qytetarit më të lehtë, e ka quajtur LDK-ja këtë program.
Nga të gjitha zotimet, ka listuar dhjetë kryesoret: Paga më të larta, menjëherë, koeficienti 150 euro dhe dyfishimi i pensioneve; Punë për çdo të ri të diplomuar, punësim i garantuar dhe trajnim për 40 mijë të rinj; Ulje e çmimeve, moratorium i çmimeve të energjisë dhe ulje e çmimeve të produkteve bazike; Aleancë e pathyeshme me Perëndimin, Kosova në NATO e BE, përfaqësim dinjitoz, partneritet strategjik, siguri kombëtare dhe besueshmëri ndërkombëtare; Pavarësi energjetike për Kosovën, central i ri me gaz amerikan; Kosova e lidhur përmes infrastrukturës rrugore, përfundimi i autostradave dhe magjistraleve brenda mandatit; Dhjetëra-mijëra vende të reja pune, investitor strategjik në ICT dhe ekonomi digjitale; Mbështetje për familjen, me ligj, shtesa të garantuara për fëmijë, lehona, gra kujdestare dhe pensionistë; Spital i ri i Kosovës, kujdes shëndetësor modern e dinjitoz; dhe Mësim tërëditor për fëmijët tanë, në secilën komunë të Kosovës.
Gjatë ditës LDK-ja e ka koncentruar fushatën në disa komuna, përfshirë në Han të Elezit, Shtime e Fushë-Kosovë.
E, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit elektoral në Shtime, premtoi investime ne infrastrukturë dhe në një central të ri të energjisë.
“Ne nuk jemi vetëm shtet i ndihmave dhe ndihmesave, ne jemi një Republikë e zhvillimit dhe investimeve. LDK-ja ka planin më ambicioz që mund ta ketë dikush në Kosovë dhe me këtë plan tonin kemi plot 5 miliardë euro investime”, ka thënë Abdixhiku, që është kandidat i LDK-së për kryeministër.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, e cila i prin listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së dhe është kandidate për presidente, ka vazhduar thumbimet ndaj ish-aleatit të saj, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilin e ka akuzuar për prishje raportesh me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne nuk jemi popull mosmirënjohës, ne nuk jemi popull besëpremë. Prandaj, as mosmirënjohjen e as besëprerjen ne nuk duhet ta lejojmë të mbizotërojë në institucionet e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Gjini premton dyfish më shumë energji
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili është edhe kandidat për kryeministër ka listuar tri shtylla programore për të cilat tha se janë rrugë e sigurt përpara. Para secilës prej tyre ka vënë edhe shifra që përkojnë me numrin e kësaj partie në fletëvotim.
“Një qëllim për zhvillim. Dyfish energji dhe mbështetje direkte për qytetarët e bizneset tona. Tetëfish siguri për çdo familje dhe për shtetin tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Tubimin qendror në ditën e dytë të fushatës, Aleanca e ka organizuar në Rahovec, komunë të cilën e udhëheq. Ndërkaq, gjatë ditës, Gjini ka realizuar një numër vizitash te bizneset në disa komuna.
Ai ka qëndruar në Mitrovicë, ku ka thënë se do ta konsiderojë si detyrë të madhe që t’u shërbejë dhe t’u krijojë hapësirë njerëzve që investojnë në biznese.
“Kjo është Kosova që duam. Sa më shumë bashkëqytetarë tanë që nisin nga hiçi dhe arrijnë sukses fantastik. Ky është shembulli dhe mesazhi që po e përçoj çdo ditë”, ka thënë ai pas vizitës që i ka bërë një biznesi gastronomie.
Ai ka theksuar se çfarëdo iniciative biznesi, kur ndiqet me zell e me insistim prodhon sukses.
“Të shohësh njerëz që krijojnë vlerë dhe punësojnë qytetarët tanë në një sektor kaq sfidues, tregon qartë se si fuqizohet ekonomia e vendit. Mbështetja për biznese të tilla mbetet prioriteti ynë kryesor”, ka thënë ai, pas vizitës në një biznes të industrisë së metaleve dhe riciklimit.
Gjatë së premtes, aktivitete kanë zhvilluar edhe kandidatët e Aleancës për deputetë.
Besnik Tahiri ka thënë se ky subjekt politik do t’i japë zgjidhje sektorit të gastronomisë, të cilin e ka cilësuar një prej shtyllave kryesore të ekonomisë dhe punësimit.
“Aleanca në programin e vet i parasheh tri masa të fuqishme: E para lidhet me politikën fiskale e cila do t’ua lehtësojë jetën e tyre në aspekt të politikave tatimore; E dyta, subvencionimin e secilit punëtor, jo një herë me 100 euro, por një politikë afatgjate sepse punësimi dhe mbajtja e të rinjve në Kosovë është problemi që e kemi; Dhe e treta, më e rëndësishmja, do të ketë lehtësira të drejtpërdrejta të projekteve zhvillimore që do të vijnë nga ta te shteti i Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se ka ardhur koha për mbështetje reale dhe kushte më të mira për bizneset dhe vendet e punës.