Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur të enjten e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka hapur fushatën me një tubim në Ferizaj, në Palestrën e Sporteve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur takim me qytetarët në sheshin e qytetit të Ferizajt.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur aktivitetin elektoral në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Ndërkaq, Aleanca ka hapur fushatën zgjedhore me simpatizantë të saj në Gjakovë.

Partia Socialdemokratike (PSD) të mërkurën me një aktivitet simbolik e ka bërë hapjen e fushatës.

Gjatë fushatës elektorale, që do të zgjasë 10 ditë, partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro.

Agjenda e partive: 

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza mban tubim në Gjakovë, Parku Kulturor “Ali Podrimja” në 18:00 dhe në 19:30 në Pejë, Parku përballë teatrit.

AAK-ja zhvillon tubim elektoral në Rahovec, në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”, në orën 20:00.

LDK-ja mban tubime në 17:00 në Kaçanik dhe Han të Elezit. Në 18:00 në Shtime, në 19:30 në Fushë Kosovë, në 20:30 në Prishtinë. 

Lëvizja Vetëvendosje mban tubim në Istog në 17:00,  në 19:30 në Pejë.

Kurti: Kemi planifikuar të ndajmë 200 milionë euro për industrinë kreative

27 min. më parë / 29 maj 2026 18:20
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës ka vizituar një dyqan tekstilesh, ku ka njoftuar se në programin e tyre qeveritar, kanë planifikuar të ndajnë 200 milionë euro për industrinë kreative, investim strategjik në mbështetje të zhvillimit ekonomik shoqëror.

“Qeverisje për krejt, sepse qeverisje edhe për bizneset e bukura e të mençura”, ka thënë Kurti. 

Ai gjatë ditës e ka vizituar edhe një fabrikë në Klinë. 

Gjini nga Mitrovica: Mbështetja për njerëzit që krijojnë vende pune është detyrë e shtetit

27 min. më parë / 29 maj 2026 18:20
Ardian Gjini

Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka vizituar një fabrikë në Mitrovicë, të cilën e cilësoi si një histori të jashtëzakonshme të punës, familjes dhe suksesit vendor.

Gjini ka thënë se pronarët e fabrikës janë storje suksesi.

“Detyra jonë më e madhe është t’u shërbejmë dhe t’u krijojmë hapësirë njerëzve të tillë”, u shpreh Gjini.

Ai theksoi se suksese të tilla përfaqësojnë Kosovën që qytetarët duan të ndërtojnë, ku sa më shumë njerëz nisin nga hiqi dhe arrijnë rezultate të mëdha përmes punës dhe përkushtimit.

“Kjo është Kosova që duam. Ky është shembulli dhe mesazhi që po e përçoj çdo ditë”, theksoi ai, duke falënderuar familjen Misini për mikpritjen dhe frymëzimin.

Hamza prezanton 5 zotimet e tij për qytetarët

36 min. më parë / 29 maj 2026 18:11
Bedri Hamza

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar pesë zotimet e tij, siç ka thënë, për t’i dhënë fund krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën.

Në një video të postuar në Facebook, Hamza ka thënë se po vjen koha e rezultateve.

Zotimi i parë i Hamzës ka të bëjë me premtimet për çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset.

“50% më shumë para në xhepin e çdo familjeje kosovare. Më shumë mirëqenie për të gjithë”, ka premtuar ai.

Zotimi i dytë ka të bëjë me investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja.

“Që Kosova të prodhojë më shumë, të zhvillohet më shpejt dhe të mbajë ritmin me rajonin dhe botën”, ka theksuar Hamza. 

Zotimi i tretë i tij ndërlidhet me shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar.

“Sigurime shëndetësore, barna falas për sëmundjet kronike dhe trajtim me dinjitet për secilin pacient. Shërimi është e drejtë, jo privilegj”, ka theksuar Hamza.

Zotimi i katërt i Hamzës është arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë.

“Bursa, aftësi për tregun e punës dhe mbështetje për talentin e secilit të ri në Kosovë”, ka premtuar Hamza.

Ndërsa zotimi i pestë i kreut të PDK-së ka të bëjë me drejtësinë e pavarur, të paanshme dhe efikase.

“Zbatim i plotë i ligjit për të gjithë. Drejtësi që nuk vonon!”, ka thënë Hamza.

Hamza: Ndryshimi është afër

4 o. më parë / 29 maj 2026 14:29
Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryeministër Bedri Hamza, ka vizituar disa familje në kuadër të aktiviteteve të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit. 

“Shtëpi më shtëpi, familje më familje, me qytetarë që duan t’i japin fund krizës politike dhe ta sjellin ndryshimin me votën e tyre në zgjedhjet e 7 qershorit. Në mesin e tyre nuk jam vetëm si kandidat për kryeministër, por edhe si mik e dashamir i tyre”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Ai ka thënë se mikpritja dhe besimi që po marr janë motivi më i madh për të vazhduar punën për një Kosovë, siç ka shkruar, më të mirë për të gjithë.

“Ndryshimi është afër”, ka shkruar kryetari i PDK-së.

LDK-ja jep 113 zotime

5 o. më parë / 29 maj 2026 13:44
ldk

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar 113 zotime të programit qeverisës. Një plan pune për një Kosovë që punon, zhvillohet dhe e bën jetën e qytetarit më të lehtë, e ka quajtur LDK-ja këtë program.

Ndërkaq, në të gjithë zotimet ka nënvizuar dhjetë kryesoret: 

1. Paga më të larta, menjëherë, Koeficienti 150 dhe dyfishimi i pensioneve.

2. Punë për çdo të ri të diplomuar, Punësim i garantuar dhe trajnim për 40 mijë të rinj.

3. Ulje e çmimeve, Moratorium i çmimeve të energjisë dhe ulje e çmimeve të produkteve bazike.

4. Aleancë e pathyeshme me Perëndimin, Kosova në NATO e BE, përfaqësim dinjitoz, partneritet strategjik, siguri kombëtare dhe besueshmëri ndërkombëtare.

5. Pavarësi energjetike për Kosovën, Central i ri me gaz amerikan.

6. Kosova e lidhur përmes infrastrukturës rrugore, Përfundimi i autostradave dhe magjistraleve brenda mandatit.

7. Dhjetëra-mijëra vende të reja pune, Investitor strategjik në ICT dhe ekonomi digjitale.

8. Mbështetje për familjen, me ligj, Shtesa të garantuara për fëmijë, lehona, gra kujdestare dhe pensionistë.

9. Spital i ri i Kosovës, Kujdes shëndetësor modern e dinjitoz.

10. Mësim tërëditor për fëmijët tanë, Në secilën komunë të Kosovës.

113 zotimet e LDK-së

Osmani: Mbrëmë u dëgjua zëri i një Republike që nuk përkulet

7 o. më parë / 29 maj 2026 11:24
osmani

Kandidatja për presidente nga LDK dhe bartësja e listës së kësaj partie, Vjosa Osmani, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në tubimin e fushatës zgjedhore që u mbajt mbrëmë në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se në atë tubim është dëgjuar “zëri i një Republike që nuk përkulet”.

“Mbrëmë u dëgjua zëri i një Republike që nuk përkulet. Një Republikë që beson te bashkimi, te demokracia dhe te e ardhmja. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar ajo.

Tubimi shënoi hapjen e fushatës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.