Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Hapet rruga për certifikim të rezultateve të zgjedhjeve, KQZ-ja mblidhet të mërkurën

KQZ

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Supreme i ka hapur rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i refuzuar si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare.

E menjëherë pas vendimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar për në orën 11 të së mërkurës mbledhjen e radhës me një pikë të vetme në rend dite.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, thuhet në njoftim të KQZ-së.

Ndaj rezultateve përfundimtare ishin ankuar Lista Serbe, Emilja Rexhepi dhe dy kandidatë për deputetë nga PDK-ja. 

Lista Serbe pati pretenduar se subjekti politik GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak me vota në komunat dhe vendvotimet me shumicë shqiptare ka cenuar qëllimi kushtetues të përfaqësimit autentik të komunitetit serb. Supremja ka theksuar se sipas Kushtetutës, vota është personale, e lirë, dhe e fshehtë dhe se lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve. 

Supremja e ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e Emilja Rexhepit kundër Nova Demokratska Stranka dhe ZSPO-së. Ajo pati kërkuar anulimin e votave për këtë subjekt me pretendimin për mospërputhje mes strukturës demografike të vendbanimit dhe rezultatit zgjedhor. 

Supremja i ka refuzuar edhe ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut të Partisë Demokratike të Kosovës që patën kërkuar rinumërim të votave të kandidatëve të këtij subjekti politik. Në vendim, Supremja ka thënë se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të arsyetuar rinumërimin e se korrigjimet e evidentuara në procesin e rinumërimit të pjesshëm nuk kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar bazë se ka parregullsi. 

Bazuar në rezultatet përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike 19.44 për qind, përkatësisht 22 ulëse, Lidhja Demokratike 16.69 për qind, përkatësisht 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74 për qind, që ia kanë siguruar 7 ulëse në Kuvend. 20 ulëse të tjera janë ndarë mes partive të komuniteteve.

Bazuar në Kushtetutë, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas shpalljes së rezultateve. Por, praktika e deritashme ka treguar se ajo thirret menjëherë pas certifikimit. 

Përderisa partitë në opozitë kanë dhënë sinjale të ndryshme për bashkëpunim të mundshëm në formimin e institucioneve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdimisht ka deklaruar se për biseda do të pritet certifikimi i rezultateve.

Për t’u formuar Qeveria, kërkohen së paku 61 vota për. Ndërkaq, procedura e zgjedhjes së presidentit nuk mund të nisë pa marrë pjesë në votim së paku 80 deputetë.

Zgjedhjet e rregullta u organizuan në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa Kuvendi arriti të konstituohet tek në fund të gushtit. E meqë Vetëvendosja dështoi ta sigurojë shumicën për krijimin e qeverisë, u organizuan zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor. Pas këtyre zgjedhjeve nuk pati bllokadë për të dyja institucionet, por Kuvendi u shpërnda meqë nuk arriti ta zgjedhë presidentin.