Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Sukses i madh, Ibrahimoviqi nga Kosova në ekipin e parë të Bayernit

Arijon Ibrahimoviq

Futbollisti me rrënjë nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, do të jetë pjesë e ekipit të parë të Bayernit në edicionin e ri garues.

Këtë e bëri të ditur të martën klubi i madh gjerman i futbollit. 20-vjeçari Ibrahimoviq ishte i huazuar nga Bayerni te Heidenheimi dhe tashmë është gati për të luftuar për vend titullari te kampioni gjerman.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mesfushori ofanziv do të integrohet në ekipin e Vincent Kompany për edicionin e ardhshëm. 

Ibrahimoviq është te Bayerni nga viti 2018, ndërsa ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në vitin 2028. Pos te Heidenheimi, Arijoni ka fituar përvojë edhe te Frosinone dhe Lazio në Itali. Te Bayerni do ta mbajë fanellën me numër 22.

“Arijoni iu bashkua Bayernit në moshën 12-vjeçare dhe ka hapur rrugën e tij përmes kampusit dhe huazimeve të planifikuara që i mundësuan ngritjen graduale. Ai ka mësuar shumë, sidomos gjatë huazimit të suksesshëm te Heidenheimi, që e ka përgatitur për Bayernin. Zhvillimi i tij arsyeton mundësitë që ua ofrojmë lojtarëve të rinj të talentuar. Tani nuk ka të bëjë vetëm me mësimin për të, ka të bëjë që të lë shenjë te Bayerni”, ka thënë Christoph Freund, drejtor sportiv i Bayernit.

Heidenheimi garoi në Bundesligë, por nuk ia doli të siguroi mbetjen në elitën gjermane.

Arijon Ibrahimoviq kishte kaluar nga Nurnbergu te Bayerni në moshë shumë të re. Tek ekipi i parë i Bayernit ka debutuar në moshën 17-vjeçare, në shkurt të vitit 2023 ndaj Bochumit.

Në edicionin e kaluar i luajti 34 ndeshje garuese për Heidenheimin, ndërsa i kishte dy gola e pesë asistime. Ai është pjesë e Gjermanisë U21, ndërsa në të kaluarën ka luajtur për të gjitha grupmoshat më të reja gjermane.

Bayerni është prej ekipeve më të mëdha në futbollin evropian dhe në moment shumë të mirë.

Në edicionin e kaluar e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa arriti deri në gjysmëfinale të Championsit. Pas dy ndeshjeve shumë dramatike pësoi me rezultatin e përgjithshëm 6:5 nga PSG-ja. Parisi më pas e fitoi garën elitare evropiane.

Në Champions shumë shpejt do të paraqitet edhe lojtari me rrënjë nga Kosova.