Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Fushatë e dominuar nga sondazhe e deklarata të rreme

Hibrid

Përfaqësues të platformës Hibrid alarmuan për rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale, sondazheve të fabrikuara dhe narrativave propaganduese, për qëllime elektorale. Për qëllime manipulimi, në llogari të ndryshme është keqpërdorur edhe logoja e KOHËS

Më 20 maj, një llogari në rrjetet sociale keqpërdori logon e KTV-së, të cilën e ka vënë në kornizën e një grafike me qëllimin për t’i dhënë besueshmëri një dezinformate në prag të zgjedhjeve. Rezultati e edhe sondazhi që shihen aty janë fabrikuar dhe nuk janë publikuar nga KOHA.

Raste si ky janë një nga format e dezinformimit që, sipas hulumtuesve të platformës Hibrid, janë duke u shfaqur gjithnjë e më shpesh gjatë fushatave zgjedhore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë prezantimit të trendëve të keqinformimit, hulumtuesi i kësaj platforme për verifikimin e fakteve dhe luftimin e dezinformimit, Etrit Rexhepi, ka thënë të shtunën se sondazhet e rreme mbeten forma më e përhapur e keqinformimit për efekt elektoral.

“Format që synojnë të arrihen me anë të sondazheve të fabrikuara është efekti i fituesit, pra mundohet të paraqitet një realitet ku fituesi me siguri dihet. Mënyra tjetër se si mund të ndikohet në perceptimin e opinionit publik është edhe demoralizimi i kundërshtarëve politikë, edhe forma e tretë është që ka për qëllim që deri diku të mobilizohen mbase edhe votuesit kur shohin një sondazh të tillë të rremë”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi është shprehur se formë tjetër dezinformimi është përhapja e deklaratave të rreme dhe manipulimi i tyre gjatë fushatës.

“Formë e publikimit të deklaratave të tilla të rreme janë deklaratat e sajuara komplet, janë deklaratat e manipuluara, edhe deklaratat e ricikluara, të cilat publikohen në një kontekst tjetër politik... Ka për qëllim që të dëmtohet reputacioni i atyre që garojnë në zgjedhje, të rritet reputacioni i kundërshtarit tjetër politik, dhe në anën tjetër të paraqitet një realitet i rremë edhe me anë të këtyre deklaratave”, ka thënë ai.

Hulumtuesit e saj thonë se sondazhet e fabrikuara, deklaratat e manipuluara dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale synojnë të ndikojnë opinionin publik dhe të krijojnë perceptime të rreme te votuesit.

Festim Rizanaj, hulumtues në “Hibrid”, ka theksuar se nëpërmjet inteligjencës artificiale fabrikohen edhe intervista me përmbajtje që synojnë të ndikojnë te votuesit.

“Në bazë të përmbajtjes shihet që audiosinkronizimi, personat, domethënë personazhet e gjeneruara me AI nuk ekzistojnë, duke bërë deklarata politike dhe narrativa të caktuara dhe duke krijuar përshtypjen se këta po japin një intervistë për media dhe po deklarojnë se do ta votojnë këtë parti ose duke e kritikuar një parti tjetër apo qoftë një politikan të caktuar”, ka deklaruar Rizanaj.

Rizanaj ka thënë se ka dezinformata që shpërndahen edhe prej jashtë Kosovës, e kryesisht nga Serbia, nëpërmjet të cilave synohet krijimi i narrativave për mungesë të demokracisë dhe të presionit institucional ndaj komunitetit serb.

Zgjedhje e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.