Fushata prej 10 ditësh për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Në këtë tekst do të mund të lexoni për aktivitetet e partive politike gjatë ditës së nëntë të fushatës.
Molliqaj: Ne jemi opozita e vetme
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se partia të cilën e drejton është opozita e vetme e Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e ka theksuar gjatë një interviste në emisionin e KTV-së, “Zgjedhjet në KOHË”.
“Ma mirë me na quajtë argatë të pushtetit se ashtu edhe mundesh me më thanë po s’mundesh me na thanë opozitë e opozitës sepse nuk ka opozitë të opozitës. Ne nuk jemi (argatë të pushtetit v.j.), por ajo kish pas kuptim logjik, kjo tjetra s’ka kuptim logjik. S’ka opozitë të opozitës, veç kur s’ka opozitë tingëllon ashtu. Në fakt ne jemi opozita, jo pse zgjedhim të jemi vetë, por nuk ka tjetër”, ka thënë Molliqaj.
PSD-ja fushatën e ka fokusuar në kritikën ndaj eksponentëve të PDK-së dhe LDK-së, e të cilën e ka përçuar nëpërmjet videoadresimeve. Dy të tilla i ka publikuar edhe të premten Molliqaj. Në njërën ka thënë se bartësja e listës së kandidatëve të LDK-së, Vjosa Osmani, nuk e ka asnjë çështje e asnjë parim përnjëmend, por e ka përnjëmend veç një gjë: Dëshirën për pushtet, veç për vete. Në tjetrën ka kritikuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, duke thënë se sa më afër 7 qershorit, aq më shumë kuptohen arsyen pse vendi shkoi në zgjedhje: hisja në pushtet.
E, në intervistën në KTV, Molliqaj ka thënë se përkundër që opozita e tanishme ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë Kurti, ajo përsëri deklarohet e gatshme për bashkëpunim.
Sipas tij, ato duhet të kenë vija të kuqe për të.
“Kauza e ardhshme nuk është antikorrupsioni, është kryer ajo fazë. Në vendet ku po shkojmë edhe globalisht, por edhe lokalisht, demarkimi duhet të jetë demokracia. Nëse beson në demokraci nuk mund të bësh koalicion me dikë që është antidemokratik”, ka thënë ai. “Vijat e kuqe nuk janë as luks as naivitet. Vijat e kuqe në politikë bëhen domosdoshmëri kur nuk ka demokraci, kur ka korrupsion të madh, kur ka kriminalitet të madh”.
Ai ka thënë se Kosova është duke shkuar drejt rrugës së autoritarizmit.
Molliqaj ka shpalosur edhe prioritetet kryesore me të cilat kjo parti synon të sigurojë përfaqësim në Kuvendin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Sipas tij, demokracia, taksa progresive, shëndetësia, arsimi dhe siguria në vendin e punës përbëjnë shtyllat kryesore të programit të PSD-së.
Ai ka bërë thirrje për ta votuar këtë parti, duke thënë se në rast se arrihet të sigurohet hyrja në Kuvend, qytetarët do ta shohin opozitën e vërtetë.
Abdixhiku: LDK-ja është ringritur
Lidhja Demokratike ka përmbyllur fushatën parazgjedhore në kryeqytetin të cilin e qeveris, në tubimin e mbajtur në sheshin kryesor. Aty, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia është ringritur.
Ai tha se tubimi përbën moment historik për partinë dhe për Kosovën.
“Në sheshin më të madh ku kryengritja e djathtë kombëtare po merr formë, po merr trajtë, po merr flakë. Në sheshin ku historia e Kosovës do të shënojë edhe një datë, datën kur u kuptua qartë se LDK është ringritur edhe një herë në këmbë. Datën kur LDK-ja dhe populli i Kosovës u bënë një. Datën kur themi me plot zemër: ‘Krejt Kosova LDK’”, ka thënë Abdixhiku, i cili është kandidat i LDK-së për kryeministër. “Sonte e shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën. Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë dhe kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës”.
Edhe bartësja e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila është nominuar nga partia kandidate për presidente, ka thënë se shteti po hyn në një kapitull të ri të historisë së tij, të bazuar në bashkim, dinjitet dhe besim.
“Për të mbyllur këtë fushatë, por në të njëjtën kohë për të hapur një kapitull krejtësisht të ri të historisë sonë, një kapitull të bashkimit, një kapitull të dinjitetit të rifituar. Një kapitull ku Kosova ecën përpara, e lirë, e bashkuar dhe sypatrembur për të ardhmen e saj”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se fushata ka shërbyer si një rrugëtim në gjithë Kosovën, ku janë dëgjuar shqetësimet e qytetarëve nga të gjitha komunat.
“Kemi udhëtuar kudo në Kosovë këto ditë. Nga Prizreni deri në Mitrovicë, nga Peja deri në Gjilan, nga fshatrat e Drenicës deri në lagjet e Prishtinës. Kemi parë fytyrat e prindërve që zgjohen çdo mëngjes me frikën se fëmijët e tyre do të marrin rrugën e mërgimit. Kemi dëgjuar të rinjtë që ëndërrojnë një të ardhme këtu, në atdheun e tyre. Kemi dëgjuar gratë që punojnë ditë e natë dhe shpesh nuk u njihet merita e tyre”, u shpreh ajo. “Çdo takim kudo në Kosovë na ka treguar një gjë: Kosova meriton shumë më tepër sesa ajo që po e merr sot. Unë besimin e kam te ju, te forca, mençuria dhe vendosmëria e këtij populli”.
Të dy kanë ftuar kryeqytetasit dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, që të votojnë LDK-në të dielën, kur mbahen zgjedhjet e parakohshme.
Kurti: Më 7 qershor bëhuni pjesë e rekordit të ri historik
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë gjatë tubimit elektoral në Prizren se subjekti politik që drejton pret rekord të ri të rezultatit zgjedhor. Këtë e ka theksuar të premten, në përmbyllje të fjalimit para mbështetësve, tek të cilët ka apeluar për mobilizim.
“Ditën e diele, me krejt akrabatë që i keni, i madh e i vogël, që i njihni mirë e që i njihni më pak, kolegë, miq e dashamirë, kojshi të punës, të mëhallës së vjetër, të mëhallës së re, të shkollës fillore e të mesme. Të gjithë bashkë, i thirrni një nga një dhe u thoni ‘Krejt për shtet. Shtet për krejt. Qitja pikën’”, ka thënë Kurti. “Më 7 qershor bëhuni pjesë e një rekordi të ri historik të fitores së lëvizjes sonë e tuaj, të fitores së Vetëvendosjes me partnerët e saj”.
Paraprakisht ai ka numëruar zotimet e deklaruara deri tash në shumë fusha, dhe ka përmendur edhe investimet e bëra.
Ai i është referuar investimeve në Spitalin e Prizrenit, për të thënë se nuk mund të krahasohet me qeveritë paraprake.
“Qysh me u krahasu me dikë tjetër? Kur je pak më shumë, 10 për qind, 15 për qind, 20 për qind, po kur je më shumë se 6 herë më shumë, nuk ka krahasim më. Gjashtëfish është 500 për qind. Prandaj, është gjithë ky siklet i madh kundër neve, jo vetëm për shkak të privilegjeve të humbura, se njeri kur është mësu me privilegje, kur ia heq privilegjet i duket padrejtësi. Nuk është padrejtësi, është drejtësi se tu kanë heqë privilegjet. Kanë pasë shumë privilegje, ne ua kemi heqë privilegjet. Po u duket e padrejtë se u patën mësu fortë me to. A drejtësia është pikërisht heqja e privilegjeve”, ka thënë Kurti. “Pra, natyrisht që ky është problemi i madh që e kanë me neve dhe një siklet i papërmbajtur, por është edhe fakti tjetër, se ne kemi tregu sa shumë kohë ka humbë, ka mundur të bëhet më mirë, më shumë më herët. Shumë kohë kemi humbë. E ata numra që u kanë humbë shumë kohë, janë ata numrat e tjerë në listë. A është një numër aty me të cilin ju fitoni jo vetëm kohë, por edhe dinjitet, e sovranitet, e integritet, e ligj, e mirëqenie, e ai është numri 116”.
Kurti ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, që i përket PDK-së për pengim në realizimin e projekteve. Këto ka përmendur rastin e stadiumit kryesor, për të cilin tha se janë ndarë 13.2 milionë euro.
Gjini: Shpejt do të vijë dita e fitores
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tubimin qendror elektoral të premten në Pejë, ku është zotuar për zhvillim projektesh në rast se kjo parti merr drejtimin e qeverisë.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka shtruar një mori pyetjesh para pejanëve gjatë fjalës që ka mbajtur.
“Pejë a doni edhe nja katër vjet me folë për ‘Borenë’, apo me e kry. Me e kry? Atëherë, vërini veshin të dielën sepse nëse shkon qysh ka shkuar në të kaluarën, atëherë keni me folë edhe nja katër vjet dhe asgjë nuk ka me ndodhë. A po e doni autostradën e Dukagjinit, apo doni me folë për të?”, ka pyetur ai.
Ai ka thënë se Kosova është duke kaluar ditë të zorshme e periudhë të zorshme të zhvillimit të vet, pasi ka theksuar se shteti qeveriset prej njerëzve që mendojnë se duhet të jenë vet përmbi gjithçka.
“Që e kuptojnë zhvillimin e demokracisë prej kohës nuk ka ekzistu, që mendojnë se dikush që qeverisë duhet të jetë xheloz edhe në Dua Lipën, se i pengon suksesi i dikujt edhe në punën e vet, se duhet të jenë xhelozë edhe në Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën, veç që nuk bën dikush me i mbërri majat e suksesit në zanat të vetin, në punë të veten e në shkathtësi e talent të vetin. Këtë e kemi sot në Kosovë. Që nuk bën me e pa një ndërmarrës duke u rritur e duke u zhvilluar, se nuk bën se shefi duhet të jetë më i madhi”, ka thënë Gjini, në tubimin e mbajtur në komunën fqinje të Gjakovës, të cilën e udhëheq. “Këto janë mënyrat qysh e ngulfasin jetën e njerëzve, e mbysin iniciativën dhe nuk e lënë një popull me u ngritë në këmbë dhe me u zhvilli. Por mbani në mend, e ka thënë dikush, shumë i madh: ‘të gjithë popujt e botës e kanë një moment kthese kur vendosin me e ndërru drejtimin dhe me shku në drejtim që duhet. E kanë një moment kur vendosin me zbritë prej trenit të gabuar”.
Gjini ka thënë se Kosova është në tren të gabuar dhe se kur është në tren të gabuar, krejt stacionet do të jenë të gabuara pasi, sipas tij, drejtimi është i gabuar.
“Qëllimi ynë është me e kallxu rrugën. Me kallxu qysh nuk bën dhe, nëse nuk bën ashtu, me kallxu qysh bën. Dhe këtë jemi duke e bërë edhe sonte”, ka thënë ai. “Nuk ka me qenë e largët dita, e bën vaki është shumë shpejt, kur kemi me fitu dhe kemi me i dhënë Kosovës rrugë”.
Gjatë ditës, AAK-ja ka mbajtur edhe aktivitete të tjera parazgjedhore, përfshirë edhe në Drenas, komunë të cilën e ka vizituar Gjini.
Hamza: Do ta kthejmë Kosovën kah e mbara
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, tubimin qendror elektoral në ditën e parafundit të fushatës e ka organizuar në komunën që e ka quajtur shtëpi të tij. Në parkun e qytetit të Mitrovicës, para mbështetësve, ai ka thënë se nëse qytetarët i kanë besuar për ta udhëhequr Mitrovicën në një mandat, ua kërkon besimin për ta udhëhequr edhe Qeverinë e Kosovës.
Para se t’i shpaloste premtimet, ai ka thënë se Kosova nuk është mirë.
“Ne lëvizëm gjithandej Kosovës. Jemi në fund të fushatës. Kemi qenë në qytete e fshatra, kemi takuar njerëz të moshave, gjinive e të profesioneve të ndryshme. Kosova është në krizë”, ka thënë ai. “Kjo situatë duhet ta ketë një fund, sepse qeveria që do ta udhëheqë PDK-ja, do ta kthejë Kosovën kah e mbara dhe kah rruga e progresit”.
Hamza ka thënë se qeveritë maten me rezultate e me të arritura. Pas Qeverisjes së Kosovës prej gjashtë vitesh nga Vetëvendosja, ai ka thënë se duhet shtruar një numër pyetjesh.
“Cilat janë projektet me të cilat identifikohet një qeveri? A është përfunduar rruga Prishtinë-Pejë, rruga Prishtinë-Podujevë, rruga Prishtinë-Gjilan, rruga Dollc-Gjakovë, rruga Prishtinë-Mitrovicë, hekurudha Hani i Elezit-Leposaviq? Sa shkolla, sa spitale? A janë rritur pagat, a janë rritur pensionet, a është përmirësuar standardi i jetesës së qytetarëve?”, janë pyetjet e listuara nga Hamza. “Ne ballafaqohemi çdo ditë me çmime të larta. Çmimet janë rritur 30-40 për qind. Ka çmime që janë rritur edhe 100 për qind, siç është çmimi i energjisë elektrike”.
Ai ka shtruar pyetje edhe për investimet e planifikuara në energji.
“Pse u ndërpre investimi amerikan në Kosovën e Re. Pse u refuzua projekti i gazit? Më kë me u lidhë Kosova nëse nuk ka partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ka dy zgjidhje. Ose me ngelë pa furnizim me energji elektrike dhe pasiguri energjetike, ose me u lidhë me gaz nga Rusia”, ka thënë Hamza. “E jo, Kosova është me Amerikën”.
Në këtë tubim, Hamza ka ironizuar me disa projekte të Qeverisë Kurti.
“Nuk them që nuk kanë punuar kurrgjë, sepse po i përmendin dy projekte me të cilat mund të identifikohet kjo qeveri – është ura e Saradranit dhe së fundmi vada e Lupqit”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se PDK-ja garon me program të matshëm, të zbatueshëm, konkret e që i adreson nevojat e qytetarëve dhe prioritetet e Kosovës. Ai ka bërë thirrje për mobilizim e votim të PDK-së.
Gjini: Votoni për ata që dinë t’i realizojnë ato që i premtojnë para jush
Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dielën të dalin masivisht në zgjedhje dhe të mbështesin ata që sipas tij, dinë t’i realizojnë premtimet që japin para qytetarëve.
Në një video në profilin e tij në Facebook, ka thënë se gjatë gjithë fushatës e kanë treguar rrugën që duhet të ndjekë Kosova.
“Bashkë me kolegët e mi në Aleancë, gjatë gjithë kësaj fushate kemi folur për rrugën që i duhet Kosovës. Të dielën, dilni sa më shumë dhe votoni, për atë që e di rrugën për me mbërri te ato që i premtojnë para jush”, ka deklaruar Gjini.
Kurti premton mbështetje prej 1 miliard eurosh për biznese për mandatin e ardhshëm
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti ka premtuar përkrahje të shtetit për bizneset prodhuese dhe eksportuese.
Ai ka shkruar në Facebook për vizitën që e ka zhvilluar te një biznes prodhues dhe ka premtuar investime prej 1 miliardë euro për prodhim dhe mbështetje të bizneseve.
“Bizneset që prodhojnë dhe eksportojnë do ta kenë shtetin përkrah. Për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe vende pune me paga më të larta, mandatin e ardhshëm 1 miliard euro për prodhim dhe mbështetje të bizneseve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërkohë për vizitën në një kompani tjetër Kurti ka shkruar se “si qeveri kemi investuar dhe do të investojmë shumë në inovacion, teknologji dhe në zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit”.
Hamza: Bizneset që investojnë dhe hapin vende pune do ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar kompaninë “Muqa Solar”, të cilën e cilësoi si një shembull të investimeve të mençura që krijojnë vlerë për ekonominë dhe mirëqenie për qytetarët.
Hamza theksoi se zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të mbështetet tek bizneset prodhuese, inovative dhe investimet në energjinë e pastër, të cilat krijojnë vende të reja pune dhe rrisin konkurrueshmërinë e vendit.
“Muqa Solar është dëshmi se investimet e mençura krijojnë vlerë për ekonominë dhe mirëqenie për qytetarët. Bizneset që investojnë, hapin vende pune dhe sjellin inovacion do ta kenë gjithmonë mbështetjen e shtetit në qeverisjen time”, deklaroi Hamza.
Ai kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e rezultateve konkrete në zhvillimin ekonomik dhe realizimin e projekteve kapitale, duke theksuar se pas gati gjashtë vitesh qeverisje dhe shpenzime rekord, qytetarët ende presin investimet e premtuara.
“Ku janë autostradat, fabrikat, çerdhet, stadiumet, parqet solare, digat dhe shumë projekte të tjera që iu premtuan qytetarëve?”, pyeti Hamza.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që e sheh sektorin privat si partner zhvillimi dhe që krijon kushte më të mira për investime, me tatime më të ulëta, më shumë mbështetje për bizneset dhe politika që nxisin prodhimin vendor.