Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Sikur të kishim lindur në kohë lirie?

Karrigia

Tematika e kësaj vepre letrare është një kthim në kujtesën njerëzore

Gjatë rrëfimit estetik në romanin “Karrigia e Dashurisë”, autori Fehmi Pireva ndërlidh fitoren e jetës, me frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Liria, atdheu, dashuria ishin vetëm një! Kjo është e vërteta e pamohueshme për të gjithë ata, të cilët vetëdijen shoqërore e shpalosin edhe si vlerë artistike. Romani mbetet dëshmi e komunikimit letrar, me qasje bashkëkohore dhe arritje cilësore në nivelin artistik

Violeta Allmuça

 

Pas disa romaneve të suksesshme autori Fehmi Pireva vjen me romanin më të ri të tij “Karrigia e Dashurisë”.  Tematika e kësaj vepre letrare është një kthim në kujtesën njerëzore. Çfarë është njeriu para vetes, para dashurisë, para lirisë, para atdheut? 

Ngjarja zhvillohet nga fillimi deri në fund në karrigen e dashurisë, një lidhje dialektike, në stinët e vjeshtës, udhëkryqe dhe dimra të ftohtë. Ah sikur të kishim lindur në kohë lirie, shkruan rrëfimtari?! Romani shfaqet si një pasqyrë me fytyrën e vërtetë të dashurisë. Kthimi në të kaluarën shkon drejt së tashmes dhe të nesërmes, aty ku të gjithë nuk ndiheshin aspak të lirë prej një shekulli. Subjekti i marrë në vitet e qëndresës së popullit shqiptar në Kosovë përbën narracionin e pasur të librit, ku spikat një ngjarje e pazakonshme, kontraste dhe imazhe të kohës.  

Nuk është se tema të tilla nuk janë shkruar edhe më herët. Ndryshimi qëndron se bota e dashurisë ndeshet me batica e zbatica brenda një realiteti që kushtëzohet dukshëm nga mungesa e lirisë. 
Lënda artistike natyrshëm vjen me zërin e autorit, në një gjuhë të thjeshtë duke e kthyer në protagonist të mendimit filozofik e shpirtëror, i cili shkruan dramën e vetvetes së tij. Personazhet lëvizin nëpër hije e kohë të nëmura. A ishim edhe një popull i nëmur, pyet njeriu? 

Edhe “Grue prej zjermi” në rrëfimin e sinqertë ku rilind pasioni Kulturë 3 d. më parë “Grue prej zjermi” në rrëfimin e sinqertë ku rilind pasioni

Dy të rinj studentë brenda një hapësire dhe kohe takohen mes dilemës, shpresës dhe qëndresës. Dashuria e tyre pothuajse është një e vërtetë e barabartë me lirinë, dinjitetin e madhështinë e saj. Mënyra se si ta përcaktosh jetën e përvojën individuale për të shkruar një vepër letrare artistike në realitetin, përmasën e së kaluarës dhe një botë që e ndiqte e keqja, është metaforikisht, “hija”. 
Çfarë do të ishin personazhet kryesore, Iliri dhe Vjosa, pa të shkuarën e tyre në rrëfimin artistik të sotëm? Dashuria gjithmonë ngadhënjen kur ngadhënjen liria. 

Gjatë rrëfimit estetik autori ndërlidh fitoren e jetës, me frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Liria, atdheu, dashuria ishin vetëm një! 

Kjo është e vërteta e pamohueshme për të gjithë ata, të cilët vetëdijen shoqërore e shpalosin edhe si vlerë artistike. Romani mbetet dëshmi e komunikimit letrar, me qasje bashkëkohore dhe  arritje cilësore në nivelin artistik.  

Synimi i  rrëfimit në romanin “Karrigia e Dashurisë” natyrshëm parashtron e shtjellon ngjarjet gjatë gjithë strukturës gjuhësore, përmbajtjes, perceptimit të botës së brendshme të autorit dhe forcën shprehëse artistike.    

Edhe Dua Lipa dhe Lea Ypi diskutojnë për lirinë dhe komunizmin në Shqipëri Showbiz 5 d. më parë Dua Lipa dhe Lea Ypi diskutojnë për lirinë dhe komunizmin në Shqipëri

Do të jetë vetë lexuesi i cili do të vlerësojë romanin më të ri të këtij shkrimtari tashmë të mirënjohur në letërsinë shqipe.