Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se po e përcjellë me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës.
Në një komunikatë për media, PDK-ja ka thënë indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme, duke shtuar se vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkelë parimet demokratike që ajo mbron.
“Standardi ynë është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Vjedhje industriale votash brenda llojit gjatë numërimit në Prizren, ka shpërfaqur procesi i rinumërimit të shtunën. Devijimet më të mëdha janë evidentuar te kandidatët e Partisë Demokratike, e cila udhëheq me këtë komunë.
Pas rinumërimit të gati gjysmës së kutive të votimit, rezulton se kandidati i PDK-së Fetah Paçarizi është kampion për kah votat që ka përfituar nëpërmjet abuzimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Aty, gati gjysma e votës së kësaj partie i është përshkruar rrejshëm këtij kandidati për deputet. Nga 9,682 vota që i janë rinumëruar në këtë komunë PDK-së, rezulton se 3,926 i janë paraqitur rrejshëm Paçarizit.