Kandidati për deputet nga LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Driton Selmanaj, ka thënë se manipulimin me votat e kishte vënë rë edhe në zgjedhjet 9 shkurtit për çka edhe kishte reaguar por Selmanaj thotë se u injoruan nga të gjithë.
Sipas Selmanajt, për shkak se ishin injoruar nga KQZ-ja dhe të gjithë subjektet politike, komisionerët morën guxim që të njëjtin veprim ta përsërisnin edhe në këto zgjedhje.
“Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, pata reaguar me status publik pěr dyshimet e mia për manipulim votash në Qendrat Komunale të Numrimit në gjithë Kosovën si dhe në përfaqësitë diplomatike dhe votat me postë. Në atë kohë bashkë me disa kolegë ish deputet, kërkuam rinumërim të përgjithshëm të votave por përgjigja që morëm, u INJORUAM totalisht nga të gjithë. Nga injorimi institucional nga KQZ si dhe na mungesa e vullnetit të të gjitha subjekteve politike për ta zbardhur të vërtetên, komisionerët morën guxim dhe e përsëritën të njëjtën situatë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Selmanaj ka thënë se ndryshimit në vota nuk i ka shpëtuar as vetë ai, por në reagimin ka shkruar se distancohet tërësisht nga “kushdo që ka marrë guximin të tjetërsoj vullnetin e qytetarëve të komunës sonë”.
Kandidati i LDK-së poashtu ka deklaruar se kanë dyshime që ky skenar ka qenë i mirë organizuar dhe ka përfshirë të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem.
Në procesin e rinumërimit i cili akoma po vazhdon, Selmanajt iu përshkruan rrejshëm 895 vota.