Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Holanda, përfaqësuesja më e mirë që nuk e ka fituar Botërorin asnjëherë

Holanda

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rruga që dërgon në qendrën stërvitore që Holanda po e përdor si kamp për Kupën e Botës, duket mikëpritëse. Tabelat “mirë se vini” në holandisht bëjnë që njëri prej ekipeve më të mira në botë të ndihet si në shtëpi.

Madje edhe emri i rrugës është ndryshuar përkohësisht në “Oranje Rising Way”. Dhe këtë emër do ta mbajë në gjashtë javët e ardhshme në nderim të ngjyrave portokalli të ekipit.

Por ndoshta dikush është dashur të rishqyrtojë tabelat e bardha që tregojnë momente të rëndësishme të Kupës së Botës për Holandën.

Secila prej tyre është kujtesë që Holanda nuk e ka fituar ende Botërorin.

“Shpresojmë të shkojmë deri në fund”, thotë mbrojtësi Virgil van Dijk, që merr pjesë në Kupën e Botës për herë të dytë. Van Dijk është kapiten i përfaqësueses holandeze, që ndeshjen e parë e luan të dielën ndaj Japonisë në Dallas.

“Ne e dimë se sa vështirë do të jetë”, ka shtuar mbrojtësi i Liverpoolit.

“Por i gjithë fokusi ynë është te Japonia. Kjo ndeshje e ka gjithë vëmendjen tonë. Nuk do të shikojmë shumë përpara. Por të gjithë kemi ëndrra të mëdha dhe do të japim çdo gjë”.

Holanda prej kohësh e ka “nofkën” e padëshiruar të përfaqësueses më të mirë që nuk e ka fituar kurrë trofeun e Kupës së Botës. Në fakt Holanda është e vetmja përfaqësuese që ka arritur në tri finale, por pa triumfuar.

Në vitin 1974 Holanda ishte kthyer në Kupën e Botës pas gati katër dekadave. Loja e mahnitshme e Johan Cruyffit e kishte dërguar deri në finale. Aty u përball me Gjermaninë Perëndimore dhe lojtarin yll të saj, Franz Beckenbauer. Finalja në Mynih, para 78 mijë shikuesve, u takoi gjermanëve.

Ishte zhgënjyese, sigurisht, por çdo tifoz holandez thotë se humbja në finalen e vitit 1978 ishte edhe më e rëndë.

Sërish u përball me nikoqiren, Argjentinën, që udhëhoqi 1:0 në pjesën e parë. Dick Nanninga barazoi në minutën e 82-të. Rezultati mbeti i barabartë dhe ndeshja shkoi në vazhdime, ku Mario Kempes shënoi golin e tij të dytë për Argjentinën. Daniel Bertoni shënoi një tjetër për fitoren 3:1 të Argjentinës dhe festë të madhe në stadiumin e River Plates në Buenos Aires.

Holandezët arritën në finalen e tyre të tretë në vitin 2010, kur u përballën me Spanjën në Afrikë të Jugut.

Edhe ajo ndeshje u vendos në vazhdime, kurse Andres Iniesta shënoi në minutën e 116-të për triumfin e Spanjës.

Holanda arriti në gjysmëfinale në vitin 2014, ndërsa në mënyrë të pashpjegueshme mbeti jashtë Botërorit 2018. U kthye në Botërorin 2022 në Katar, ndërsa u ndal në penallti në çerekfinale nga Argjentina, që më pas fitoi titullin.

Pa llogaritur penalltitë, “tulipanët” janë të pamposhtur në 12 ndeshjet e fundit në Kupë të Botës. Vetëm Brazili ka një seri të tillë më të gjatë, 13 ndeshje, me Pelen në përbërje nga viti 1958 deri në vitin 1966.

“Mendoj se kemi grup të shkëlqyer lojtarësh. Kalojmë shumë mirë me njëri-tjetrin”, thotë Van Dijk. “Por qartë se ka të bëjë me rezultate. Ka të bëjë me paraqitje. Të gjithë që janë këtu kanë fituar trofe, kanë luajtur në klube të mëdha dhe kanë karrierë të shkëlqyer. Jemi këtu dhe duam ta bëjmë vendin krenar. Është gjëja më e madhe që mund të bëjmë”, ka thënë ylli holandez.

Holanda është favorite për ta kaluar grupin, por rruga drejt fazës nokaut nuk vlerësohet e lehtë. Japonia, Suedia dhe Tunizia pritet ta bëjnë të vështirë për holandezët favoritë.

Holanda ka pasur telashe me lëndime. Mbrojtësi cilësor, Jurrien Timber, është larguar ditë më parë për shkak të një lëndimi në ije, ndërsa portieri Bart Verbruggen po e trajton po ashtu një lëndim.

Megjithatë, nëse dëshiron të mos njihet më si përfaqësuesja më e mirë pa trofe të Botërorit, Holanda duhet t’i kalojë me sukses ndeshjet e grupit.