Insistimi i partive politike në Kosovë në parime, duke besuar se kanë të drejtë, ka krijuar tashmë krizë institucionale e cila në këtë moment është e dëmshme. Asnjëherë pas lufte nuk ka pasur më shumë pakënaqësi të qytetarëve me strukturat politike. Partitë politike duhet të jenë të vetëdijshme se e kanë irrituar tej mase shoqërinë dhe të gjejnë zgjidhje për daljen e shpejtë nga kriza
Sa herë që udhëtoj drejt Kosovës kam rastin që të bisedoj me shumë udhëtarë, edhe nga diaspora edhe nga Kosova. Që prej shpalljes së pavarësisë, kosovarët më së shumti interesoheshin për lehtësimet për udhëtim, e pastaj për liberalizimin e vizave. Prej kur ndodhi liberalizimi, janë të interesuar për tema të tjera, ndërsa zakonisht politikanët e Kosovës i gjykojnë sipas kritereve subjektive. Kritikojnë ata të cilët nuk i mbështesin ndërsa i arsyetojnë ata për të cilët votojnë. Javën e shkuar më ndodhi për herë të parë që secili me të cilin bisedova, që nga Aeroporti i Brukselit, avioni, e deri te nëpunësit në Aeroportin e Prishtinës, te jetë i dëshpëruar me të gjithë politikanët, pa dallim dhe nuk mbronin asnjë prej tyre siç ndodhte më herët. Maratona e Kuvendit të Kosovës ku takohen me qëllimin për të mos i krijuar institucionet në bazë të zgjedhjeve i ka irrituar qytetarët, edhe në atdhe, por edhe në diasporë. Disa shkojnë aq larg, saqë thonë se i kanë rënë pishman që kanë shpenzuar kohë, e besa edhe para, për të votuar dhe se nuk do ta bëjnë këtë më. Të tjerët naivisht shpresojnë se “do të vijnë ndërkombëtarët t’ua ngrehin veshin dhe të na i bëjnë institucionet”, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ka mundësi që liderët e partive politike të mos e ndiejnë këtë zhgënjim të qytetarëve. Sepse atyre mund t’u vijnë raportet “nga baza” prej militantëve partiakë e ata t’u thonë se “baza mendon se duhet të jemi të qëndrueshëm në pozicionin tonë parimor”! Por ky nuk është realiteti.
Insistimi i partive politike në Kosovë në parimet, duke besuar se kanë të drejtë, ka krijuar tashmë krizë institucionale, e cila në këtë moment është e dëmshme. Asnjëherë pas luftës nuk ka pasur më shumë pakënaqësi të qytetarëve me strukturat politike. Partitë politike duhet të jenë të vetëdijshme se e kanë irrituar tej mase shoqërinë dhe të gjejnë zgjidhje për daljen e shpejtë nga kriza.
Kur dëgjon deklaratat e përfaqësuesve të partive politike, fiton përshtypjen se argumenti i secilit ka logjikë dhe mund të jetë i vërtetë. Fituesja relative e zgjedhjeve, Vetëvendosje ka të drejtë kur thotë se vetëm asaj i jepet e drejta të propozojë kryetarin e Kuvendit dhe këtë e ka bërë. Por edhe opozita ka të drejtë kur thotë se nuk ka obligim të votojë në favor të propozimit të fituesit. Pastaj VV-ja ka të drejtë kur thotë se ajo në atë rast do të veprojë sipas parimit të reciprocitetit dhe nuk do t’i votojë kandidatët e opozitës për nënkryetarë. E pastaj po ashtu ka të drejtë kur thotë se nuk mund t’ua imponojnë partitë e tjera se kë do ta propozojë. Dhe ka të drejtë kur thotë se “nuk do të heqin dorë nga parimet”.
Bravo, të gjithë keni të drejtë! Por çka tash. Cila është zgjidhja nëse secili insiston në atë që e konsideron si qëndrim parimor.
Mund të kuptohen taktizimet e shumta që bëjnë partitë politike, sidomos duke pasur parasysh zgjedhjet lokale që zhvillohen në vjeshtë, e ato zgjedhje për partitë politike janë shumë të rëndësishme. Sepse, e pranuan apo jo, në Kosovë, sikurse dhe në vendet e tjera të rajonit, partitë politike kanë edhe klientë, e jo vetëm votues. E ata duhet mbajtur. Më lehtë mbahen kur pushteti, qoftë në qendër apo në nivel lokal, ka pushtet apo pjesë të pushtetit.
Sjellja e politikanëve jep përshtypjen se atyre nuk u ngutet. Kjo është papërgjegjësi, sidomos është papërgjegjësi kur bëhen krahasime me vendet e zhvilluara, në të cilat vonesat në krijimin e qeverisë janë shpesh disamuajshe. Belgjika për shembull e ka rekordin botëror për kohëzgjatjen e procesit të krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve, duke e lënë shtetit me qeveri në largim për 589 ditë. Kosova nuk e ka këtë luks, sepse nuk është shtet ku administrata publike është e depolitizuar, ku tregu i energjisë është krejtësisht i rregulluar pa ndërhyrje politike dhe ku qytetarët pos si kuriozitet nuk e ndiejnë në lëkurën e tyre mungesën e qeverisë së re.
Kur jemi te Belgjika duhet përmendur edhe shembuj negativë. Ja për shembull, Brukseli si njësi rajonale në Federatën e Belgjikës akoma nuk ka arritur të krijojë qeverinë rajonale as pas një viti sa kanë kaluar prej kur u zhvilluan zgjedhjet. Në Belgjikë, zgjedhjet rajonale u zhvilluan së bashku me ato nacionale dhe ato evropiane më 9 qershor të vitit të kaluar. Dhe Brukseli ka tashmë pasoja. Decentralizimi i Brukselit në 19 komuna, në disa zona policore, mungesa e koordinimit në nivel rajonal, ka bërë që ky kryeqytet i Evropës të jetë vërtet një vend i pasigurt. Brukseli është një qytet ku policia nuk po arrin me sukses të përballet me trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar, ku vrasjet dhe të shtënat me armë janë pothuajse dukuri të përditshme. Dhe ku Policia nuk e ka as të qartë se cila zonë është përgjegjësi dhe nga cili kryetar komune policia duhet të marrë urdhra. Për shkak të mospajtimeve politike, Brukseli dhe qytetarët e tij po pësojnë dhe janë bërë jashtëzakonisht të frustruar.
Kosova, nëse nuk arrihet një zgjidhje me këtë përbërje të Kuvendit dhe nëse shkohet në zgjedhje të reja në vjeshtë, do të mund të jetë pa qeveri deri në pranverën e vitit 2026. Sepse pas zgjedhjeve do të jetë numërimi i votave, pastaj ankesat dhe parashtresat, pastaj konstituimi i Kuvendit dhe pastaj krijimi i qeverisë së re. Dhe mund të ndodhë që as rezultati i zgjedhjeve të mos jetë shumë i ndryshëm nga ai që ishte në muajin shkurt. Kosova nuk ka kohë për të pritur kaq shumë. Një zgjidhje politike duhet të arrihet përmes kompromisit, sepse në politikë kompromisi është pjesë përbërëse e lojës e jo diçka e keqe.