Partia Demokratike ka kërkuar zbardhjen urgjente të përgjegjësit për ligjëratën mbi Gjykatën Speciale, të mbajtur një javë më parë në një gjimnaz në Prishtinë. Këtë aktivitet, anëtari i PDK-së, Përparim Gruda, e quajti skandaloz dhe propagandë politike teksa theksoi se lufta çlirimtare e UÇK-së, përveç në Gjykatën në Hagë, po luftohet edhe në banka shkollore
Skandaloze dhe propagandë politike e quajti Partia Demokratike ligjëratën e një jave më parë në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e për të cilën pretendoi se është mbajtur nga përfaqësues të Gjykatës Speciale.
Koordinatori për drejtësi në PDK, Përparim Gruda, tha se gjatë ligjëratës, nxënësve, shumica nën 18 vjeç, iu paraqitën pretendime të njëanshme, duke i etiketuar ish-udhëheqësit e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës.
“Shkollat nuk janë vend për propagandë politike, ato duhet të jenë hapësirë arsimimi, edukimi dhe zhvillimi të të rinjve e jo platformë për indokrinim. Së dyti, jemi të shqetësuar me përpjekjen për të ndryshuar historinë dhe rishkruar të vërtetën për Kosovën. Së treti, gjuha e përdorur trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke shkelur kështu një nga parimet bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë”, ka thënë Gruda.
Në emër të PDK-së, Gruda e kërkoi zbardhjen urgjente të përgjegjësit.
“PDK kërkon që, sa më parë dhe urgjentisht, të zbardhet se kush është përgjegjës për këtë propagandë dhe si ka ndodhur që ligjëratat e parapara të shndërrohen në prezantime politike. Po ashtu, në emër të PDK-së kërkojmë llogari nga MASHTI-i për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve të Kosovës pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standarde profesionale”, ka theksuar ai.
Gruda shtoi se, në këtë mënyrë, lufta çlirimtare e UÇK-së po sulmohet jo veç në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por edhe në banka shkollore.
Ligjërata e 22 janarit, sipas drejtorisë së shkollës “Xhevdet Doda”, pati për qëllim informimin e nxënësve mbi mandatin dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Por aktiviteti nxiti reagime të shumta në opinionin.
Pas kësaj, drejtoria sqaroi se ligjërata nuk është mbajtur nga zyrtarë apo gjyqtarë të Speciales, porse ishte aktivitet i organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR.
Në Komunë dhe në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë njoftuan se aktiviteti është organizuar pa autorizim të tyre. E lidhur me deklaratat e shprehura në konferencë, KOHA nuk mori përgjigje gjatë ditës nga drejtoria e shkollës dhe as nga organizata.
Por, një javë më parë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) ka thënë se aktiviteti është realizuar me lejen e institucionit arsimor. Përmes një reagimi, YIHR ka deklaruar se gjatë ligjëratës është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara.
“YIHR KS sqaron se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor. Sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën”, thuhet në reagimin (YIHR), të datës 23 janar.
Të njëjtën ditë edhe Gjykata Speciale pati dhënë sqarime për ligjëratën e mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Specialja ka thënë se që prej vitit 2018 organizohen aktivitete të tilla komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në Kosovë.
“Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë. Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunale të tjera”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, informacionet që jepen në këto aktivitete janë të njëjta me ato që gjenden online. Aty thuhet po ashtu se prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet në aktivitete.