Arbëri

Kthehet në rigjykim çështja e kompleksit afaristo-banesor në “Lakrishtë”

Komuna e Prishtinës

Gjykata Komerciale e Kosovës, në shkallën e dytë, ka vendosur ta kthejë në rigjykim çështjen e ndërtimit të kompleksit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë.

Vendimi është bërë i ditur nga kryeasamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, i cili ka thënë se ky është një vendim në favor të interesit publik dhe të qytetit.

“Sot u vërtetua ajo që bëmë në qershor të vitit 2023. Si udhëheqës i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë dhe ish-anëtar i Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), morëm vendimin për të ndalur pasojat e një kontrate që ishte lidhur me kompani private të krijuara vetëm një muaj para shpalljes së tenderit, të cilat do të përfitonin pronë publike milionëshe për ndërtim,” ka shkruar Retkoceri në Facebook, tek ka publikuar vendimin e Komerciales. 

Në shkallën e parë, Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të kompanive “MADE GROUP CONSTRUCTION SHPK”, “ARKOS SHPK” dhe “MADEKOS SHPK”, duke i hapur rrugë ndërtimit të kompleksit në tokë komunale me vlerë mbi 120 milionë euro.

Ky vendim kishte nxitur reagime, pasi kundër tij ishin shprehur të gjitha partitë kryesore, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kishte ngritur padi në tetor të vitit 2022, duke kërkuar anulimin e kontratës dhe vendosjen e masave të sigurisë, me pretendimin se Ndërmarrja Publike Banesore dhe kompanitë private kishin kryer shkelje dhe keqpërdorime serioze gjatë realizimit të projektit.

Në qershor të vitit 2023, NPB-ja, e cila në atë kohë udhëhiqej nga PDK-ja, e anuloi kontratën. Ky vendim u kundërshtua nga kompanitë private, të cilat më pas fituan rastin në shkallën e parë të Gjykatës Komerciale.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga LDK-ja, e kishte cilësuar të paligjshëm procesin e dhënies së pronës publike për ndërtim në lagjen “Lakrishtë”.

Kontrata ndërmjet NPB-së dhe kompanive private për ndërtimin e kompleksit ishte arritur në vitin 2020, gjatë kohës kur Komuna e Prishtinës udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.