Kur simbolet kombëtare përdhosen dhe identiteti ynë i përbashkët vihet në shënjestër, detyra jonë si qytetarë nuk është vetëm të indinjohemi, por edhe të vetëdijesohemi për të reaguar dhe për ta rikthyer peshën që këto simbole e kanë në ndërgjegjen tonë kolektive. Sepse pa to rrezikojmë jo vetëm ta humbim një pjesë të historisë, por edhe boshtin shpirtëror që na mban bashkë si komb. Rrënjët e kombit nuk duhen mbrojtur vetëm nga të huajt, por, mbi të gjitha, nga mosdija, apatia dhe përçarja që vjen nga brenda
Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një fenomeni shqetësues, i cili ka marrë hov në Kosovë: atij të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare. Javën e kaluar, disa të rinj në Suharekë e shkelën dhe e përdhosën flamurin kombëtar shqiptar, kurse gjatë kësaj jave dikush në Prizren e përdhosi shtatoren e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këto dukuri janë më shqetësuese kur kemi parasysh se bëhen nga shqipfolës, tek të cilët vërehet një urrejtje patologjike ndaj vlerave kombëtare shqiptare. Këta shqipfolës e paraqesin një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e vendit dhe për orientimin e tij historik perëndimor. Prandaj, këta elementë jo vetëm që duhen luftuar, por edhe çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga ambienti në të cilin veprojnë.
Mos të më keqkuptojë lexuesi: me çrrënjosje, nuk po e mendoj çrrënjosjen fizike në kuptimin e eliminimit fizik të tyre. Çrrënjosja e këtyre elementeve, përveç me masa ligjore, siç janë ndëshkimi sipas ligjit, duhet bërë edhe me masa edukative, duke nisur nga niveli parashkollor e tutje. Po ashtu, me ligj duhet sanksionuar përdhosja verbale, simbolike dhe fizike e simboleve kombëtare. Ata që nuk i duan këto simbole dhe i luftojnë vlerat kombëtare shqiptare, duhen luftuar pa kompromis.
Shtrohet pyetja, cilat janë simbolet dhe vlerat kombëtare shqiptare? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje shkurtimisht, duhen numëruar disa prej elementeve që e krijojnë identitetin kombëtar shqiptar.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu është themeli i çdo gjëje shqiptare. Nga ai rrjedh edhe flamuri kombëtar, edhe tolerance e harmonia ndërfetare. Flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenare e paraqet stemën e familjes së Kastriotëve dhe është përdorur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këtë flamur e ringjalli Faik Konica, i cili në revistën e tij “Albania”, që është botuar ndërmjet viteve 1896-1909, e përdorte shpesh shqiponjën dykrenare, duke e afirmuar këtë simbol si themel të identitetit kombëtar shqiptar.
Ky flamur - me shqiponjën dykrenare të zezë në sfond të kuq - u ngrit më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë, kur edhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. Sikurse sot në Kosovë, edhe atëherë në Shqipëri pati kundërshtarë të shpalljes së pavarësisë. Ekzistonin elementë që e preferonin zgjatjen e jetës së Perandorisë Osmane dhe mbetjen e trojeve shqiptare nën këtë perandori.
Prandaj, konsideroj se nuk qe e rastësishme që brenda pak ditësh u përdhosën edhe flamuri kombëtar shqiptar e edhe shtatorja e Skënderbeut, sepse ekziston një simbiozë e fuqishme midis këtyre dy simboleve kombëtare: nuk do ta kishim këtë flamur kombëtar, po të mos e kishim Skënderbeun.
Nga Skënderbeu rrjedhin edhe koncepti dhe filozofia ekzistenciale shqiptare e harmonisë ndërfetare. Skënderbeu u lind ortodoks, u rrit si mysliman dhe luftoi e vdiq si katolik. Këto janë sot tri religjionet dominuese ndër shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni të Veriut e Mal të zi. Ani se në shekullin 15 koncepti i kombit dhe rrjedhimisht i identitetit kombëtar nuk ekzistonte, simbolizmi i multikonfesionalizmit të Skënderbeut e përbën shtyllën kurrizore të shqiptarizmit. Nga ky multikonfesionalitet dhe rikonvertim i tij rrjedh forca e bashkimi kombëtar jo vetëm në kuptimin e bashkimit politik, por edhe në atë të bashkimit shpirtëror e simbolik. Ky multikonfesionalitet dhe ky rikonvertim i Gjergj Kastriotit Skënderbeut e mban premtimin e përjetësisë së identitetit kombëtar shqiptar, si bazë brumore e gjithçkaje që vjen më pastaj.
Nga koha e Skënderbeut i kemi edhe simbolin dhe vlerën e tretë që e ruajti identitetin kombëtar e kulturor i shqiptarëve dhe që shërbeu si armë kulturorë kundër asimilimit në sllavë dhe në turq. Ky është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Këtë kanun, apo ligj zakonor, e mblodhi dhe e vuri në formë të shkruar në fillim të shekullit 20, Atë Shtjefën Gjeçovi, një famullitar katolik nga Janjeva. Edhe pse shpeshherë, duke qenë se është i emërtuar sipas emrit të fisnikut bashkëkohanik të Skënderbeut, Lekë Dukagjini gabimisht thuhet se rrjedh nga shekulli 15, sipas Ismail Kadaresë, origjina e Kanunit buron nga antikiteti. Në veprën e tij briliante “Eskili, ky humbës i madh”, Kadarja i analizon dramat e Eskilit, një dramaturg i antikiteti helen, nga perspektiva e Kanunit dhe në këtë mënyrë e argumenton praninë shqiptare në Ballkan që nga koha e antikitetit. Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte antipod i zakonikut të Car Dushanit (1349), i cili ishte sundimtar i pjesës më të madhe të Ballkanit Qendror dhe Jugor (1346-1355) dhe i cili përmes këtij zakoniku e filloi fushatën e asimilimit të dhunshëm të shqiptarëve, duke i persekutuar katolikët për t’i kthyer dhunshëm në ortodoksë. Po ashtu, Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte një antipod i Sheriatit, i cili ishte në fuqi gjatë sundimit osman. Duke iu falënderuar kanunit, shqiptarët e viseve veriore dhe qendrore të trevave shqiptare iu shmangën efekteve asimiluese të sheriatit dhe në këtë mënyrë e ruajtën kulturën e tyre dhe kultivuan vlera sociale, që e mbajtën gjallë identitetin kombëtar, pavarësisht se një pjesë e madhe e shqiptarëve u konvertuan në myslimanë. Falë Kanunit, konvertimi në islam nuk e pati efektin edhe të asimilimit kombëtar e social. Natyrisht se vlera praktike e kanunit në bashkëkohësi është e pakuptimtë, sepse jeta e njerëzve duhet bazuar në ligje dhe në norma shoqërore moderne. Sidoqoftë, vlera kulturore e kanunit është e pamatshme dhe ai duhet të ruhet jo vetëm si trashëgimi kulturore shqiptare, por edhe botërore, ngase tregon për një vazhdimësi civilizuese, ndoshta mijëravjeçare.
Simboli tjetër kombëtar, që e kemi trashëgimi nga epoka e Skënderbeut, është formula e pagëzimit, si shkrimi i parë i njohur i gjuhës shqipe. Arqipeshkvi i Durrësit, Imzot Pal Engjëlli, diplomat, mik e bashkëpunëtor i Skënderbeut, e shkroi në vitin 1462 “Formulën e pagëzimit” për t’u shërbyer famullitarëve lokalë në pagëzimin e foshnjave të sapolindura. Përtej një fraze kishtare, formula e pagëzimit i paraqet fillet e gjuhës së shkruar shqipe e që u pasua nën sundimin osman nga priftërinjtë e tjerë, si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e Pjetër Budi, e që të gjithë ishin nga Kosova e sotme ose nga Shqipëria e Veriut. Ata shkruan në gjuhën shqipe në kohën kur ajo ishte në shënjestër edhe të reaksionizmit latinizues të Vatikanit, e edhe të shtypjes së egër otomane. Pra, ata bënë që gjuha e shkruar shqipe t’i mbijetojë shkombëtarizimit në emër të feve.
Përderisa shumë popuj i kanë kryqin apo gjysmëhënën si simbole kombëtare, tek ne shqiptarët, simbolet dhe identiteti kombëtar nuk lidhen me simbole fetare. Sulmet ndaj simboleve më të rëndësishme kombëtare janë sulm ndaj identitetit kombëtar shqiptar. Këto sulme e kanë një agjendë të rrezikshme që duhet luftuar në mënyrë të pakompromis në familje, shkolla, shoqëri, institucione shtetërore e pse jo, edhe fetare. Nëse elementë nga bashkësitë fetare e nxisin përdhosjen e simboleve kombëtare, me ta duhet të merren institucionet e sundimit të ligjit. Propagandimi në favor të krijimit të identiteteve të reja, transnacionale në emër të solidaritetit fetar është jo vetëm i dëmshëm, por edhe i rrezikshëm në pikëpamje kulturore, sociale e politike. Përdhosja e simboleve kombëtare bëhet në emër të këtyre identiteteve transnacionale, të cilat kanë agjendë politike të zhvendosjes strategjike e kulturore të shqiptarëve nga Perëndimi në Lindjen e Mesme.
Kjo tendencë e shkombëtarizimit merr hov kur vlerat kombëtare e shoqërore vihen në pikëpyetje nga interesat e ngushta të akterëve politikë dhe kur, si pasojë, shkaktohet polarizimi shoqëror. Elementet shkombëtarizues e shfrytëzojnë dëshpërimin individual e shoqëror, i cili lind nga krizat e njëpasnjëshme politike, që ndikojnë në humbjen e shpresës se do të bëhet më mirë, për t’u ofruar njerëzve vlera alternative, si prehje ndaj padurueshmërisë së jetës së përditshme, në të cilën shteti u shërben interesave parciale për pushtet dhe për pasurim të individëve të pushtetshëm. Kjo shkakton krizë morale e shoqërore, e cila zëvendësohet nga një moral tjetër, si alternativë më e mirë e cila e mban premtimin e një bashkësie të re, që mbështetet në vlera që i tejkalojnë kufijtë nacionalë, jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin shpirtëror.
Në këtë kontekst të errët, në të cilin simbolet kombëtare përdhosen dhe identiteti ynë i përbashkët vihet në shënjestër, detyra jonë si qytetarë nuk është vetëm të indinjohemi, por edhe të vetëdijesohemi për të reaguar dhe për ta rikthyer peshën që këto simbole e kanë në ndërgjegjen tonë kolektive. Sepse pa to rrezikojmë jo vetëm ta humbim një pjesë të historisë, por edhe boshtin shpirtëror që na mban bashkë si komb. Rrënjët e kombit nuk duhen mbrojtur vetëm nga të huajt, por, mbi të gjitha, nga mosdija, apatia dhe përçarja që vjen nga brenda.