OpEd

Rreziku i dytë

…dhe nevoja urgjente për një pozicion në Qeveri

1.

Natyrisht Serbia, sepse vazhdon të jetë rreziku i parë dhe kjo ishte përgjigjja që ia dhashë dramaturgut Jeton Neziraj në bashkëbisedimin tonë në “Pikë” kur më pyeti se cilat ishin dy rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova. Konflikti i papërfunduar me Serbinë e ngarkon Kosovën jo vetëm nga aspekti i sigurisë por për faktin se po rriten gjenerata të reja në Kosovë të cilat po e trashëgojnë këtë konflikt, një barrë që përmban në vete forcën e madhe gravitacionale të së kaluarës. Fëmijët e lindur në shekullin XXI vazhdojnë të përjetojnë çdo ditë shekullin XX, një gjendje mungese paqe mes popujve të Kosovës e Serbisë, një kulturë lufte.

Dhe, edhe po mos të ishin të ngarkuar me konfliktin e papërfunduar me Serbinë, qytetarët e Kosovës të lindur në shekullin XXI ballafaqohen me rrezikun e dytë të madh: ai i hyrjes së papërgatitur në revolucionin teknologjik të inteligjencës artificiale. Shprehja “hyrja e papërgatitur” në fakt është një zbutje e skajshme e gjendjes reale të sfidës kosovare. Gjendja reale është kjo: në mënyrë konsistente fëmijët kosovarë demonstrojnë se në shumicë të kualifikuar (mbi dy të tretat) nuk e kuptojnë tekstin të cilin e lexojnë dhe ky grupacion i qytetarëve të Kosovës, i lindur në shekullin XXI ballafaqohet me revolucionin e Inteligjencës artificiale, një për të cilin nuk kanë përgatitje bazike kognitive. Në kontinentin evropian nuk besoj të ketë dallim kaq të skajshëm mes mundësive ende jo krejtësisht të kuptuara të këtij revolucioni dhe mungesës së aftësive të popullatës për ta shfrytëzuar. Nëse ekziston një analogji në histori, do të jetë viti 1945 në të cilin Kosova e pas Luftës së Dytë Botërore hyri me shkallën më të lartë të analfabetizmit në kontinent, mbase 95 për qind.

2.

Natyrisht, përgjigjja imediate e argumentit kundërshtues është se kjo gjeneratë tashmë e ka përqafuar inteligjencën artificiale. Siç dëshmojnë mësimdhënësit në të gjitha nivelet, prej shkollës fillore deri në fakultet, përdorimi i ChatGpt për të kryer detyrat e dhëna është tashmë rregull e jo përjashtim. Por, ky është qark vicioz: një popullatë që në shumicë të kualifikuar ka mungesë informimi dhe aftësie kritike mendore ia delegon këto ushtrime kritike mendore një sistemi makinash llogaritëse. Ky veprim mund t’i japë më shumë informata aty për aty por kjo nuk është gjë që do të bëjë ndryshimin: problemi nuk është te qasja ndaj informatës, problemi është të dish çfarë kërkon dhe çka të bësh me të. Dhe, shumica e kualifikuar e popullatës së Kosovës, madje shumica e atyre që do të bartin në supe Kosovën dhe revolucionin nuk di se si do të përdorë këtë mjet të ri, madje këtë mjet i cili është krejt kohën në zhvillim e sipër.

Dhe, pjesë e përgjigjes kundërshtuese mund të jenë statistika (depërtueshmëria e internetit, numri i telefonave celularë) apo numërimi i kurseve kompjuterike në të cilat prindërit i çojnë fëmijët e vet instinktivisht, duke ditur për nevojën e përgatitjes për teknologji të reja. Por, as këto nuk janë ndonjë ngushëllim ngase depërtueshmëria e internetit apo numri i celularëve janë sërish mjete për t’u qasur informatës, ndërkohë që problemi është mungesa e njohurisë bazike se çfarë informate kërkon. Në ambient të mosdijes, teknologjia ka rrezik që të jetë vetëm shumëzues i saj. 

Për më tepër, të mësuarit e kodimit të software-it bazik, çfarë bëjnë fëmijët tanë në kurse, është një aktivitet që shumë shpejt ka gjasa të tejkalohet mu nga Inteligjenca artificiale. Dhe prapë, dilema për fëmijët tanë nuk do të jetë më si të shkruhet kodi, por për zgjidhje të çfarë problemi nevojitet ai kod? 
Apo, në dilemën që e kanë universitetet në botë gjithandej:  si të ndërtohet të menduarit kompjuterik që përfshin ndarjen e problemeve në detyra më të vogla, zhvillimin e zgjidhjeve hap pas hapi dhe përdorimin e të dhënave për të arritur në përfundime të bazuara në prova.  
(Kjo fjali nuk është imja, është e ekspertëve amerikanë të fushës).

3.

Natyrisht, sfida e revolucionit të Inteligjencës artificiale është universale, është e pranishme gjithandej. Por, në Kosovë mund të ketë pasoja shumë më të theksuara. Ta marrim një zhvillim i cili është i ri dhe me të cilin po merret një konzorcium shkencëtarësh e universitetesh botërore, të mbledhur në IPIE (Paneli Ndërkombëtar mbi Mjedisin e Informacionit) me seli në Zurich. Ky konzorcium analizoi ndërhyrjen e GenAi-Inteligjencës artificiale gjenerative (me video, fotografi, tekste, etj) në zgjedhje parlamentare e presidenciale në botë. Në raportin për vitin 2024 IPIE konstatoi se GenAI u përdor 80 për qind në 50 shtete të analizuara. Prej këtij numri 90 për qind të ndërhyrjeve ishin video “deepfake” (të mashtrimit të thellë) , audio apo krijim të posteve sintetike (artificiale) në medie sociale. Në 69 për qind të rasteve u vlerësua se këto ndërhyrje kishin efekt të dëmshëm, madje në njërin rast, siç ishin zgjedhje në Rumani, u bë anulimi i rundit zgjedhor mu për këtë shkak.

Që të gjitha shtetet evropiane dhe SHBA-ja ku u shënuan këto ndërhyrje kanë shkallë më të lartë të arritshmërisë në testin PISA. Kur ndërhyrjet e GenAi në zgjedhje të shteteve me demokraci të konsoliduar e me një popullatë që kupton më shumë nga të lexuarit se ajo e Kosovës arrijnë të marrin vëmendjen e një rreziku për demokracinë si të tillë, mund të përllogaritet me shumëfishin rreziku për demokracinë kosovare. Dhe, kjo nuk është ndonjë gjë e papërjetuar në Kosovë: jeta politike e Kosovës është ndikuar jashtëzakonisht me lindjen e Facebook-ut, që ka mundësuar jo vetëm shumëzim të varfërisë mendore por ka hapur dyert që në atë varfëri mendore të futen operacione speciale dezinformimi, në masë të madhe nga Fabrika e Shën Petersburgut, siç njihet drejtoria e veçantë e shërbimeve sekrete ruse për dezinformim.

Në një ambient toksik- të bërtimës së debateve të “analistëve”, algoritmit të Facebookut që i jep përparësi hapësire sharjes dhe fyerjes-hapi i ardhshëm i sulmit ndaj trupit politik kosovar mund të jenë video të shkurta GenAi që u ngjasojnë deri në fije atyre të vërteta e ku figura publike të pushtetit a opozitës shqiptojnë fjalë të drejtuara për ta acaruar edhe më gjendjen në vend.

4.

Natyrisht që inteligjenca artificiale tashmë është çështje e sigurisë kombëtare të çdo vendi. Por, edhe po të mos ishte në këtë kuptim të ngushtë të fjalës-pra të përdorimit të IA për sulme kundër vendit- revolucioni i inteligjencës artificiale ka potencialin e ndryshimeve rrënjësore shoqërore- prej tregut të punës deri te mënyra e administrimit të shtetit; në çdo vend shtrohet pyetja se cilat profesione do të pësojnë tkurrje e cilat rritje, diçka që ndodhi në çdo revolucion që prej shpikjes së makinës së avullit. Inteligjenca artificiale, që sot mund të jetë një filtër komod i kontrollimit të një teksti të shkruar (artikull a libër), nesër mund të jetë filtri redaktues për hartues të ligjeve, leje ndërtimi, matësi mujor të rritjes ekonomike apo propozuesi për ndryshime kushtetuese. Në të njëjtën kohë mund të jetë paralajmëruesi besnik i çmimeve të pemëve e perimeve në muajin gusht të këtij apo të vitit të ardhshëm, çmimit të metrit katror të ndërtesës së pafilluar në njërën prej lagjeve periferike të qytetit dhe paralajmërues se në cilën shkollë është më së miri të regjistrohet fëmija ende i palindur i një çifti të porsamartuar... Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut e fillimit të  ndërmjetësimit në vendimmarrjen tonë që ka kapacitet ta bëjë Inteligjenca artificiale. (Të frikësuarit nga ky revolucion thonë se nuk bëhet fjalë vetëm për ndërmjetësim në vendimmarrje, por për një stad kur IA të bëhet vetë vendimmarrëse).

5.

Dhe natyrisht që Kosova është në fazë kur ka probleme imediate politike me konstitium institucionesh dhe këto e konsumojnë oksigjenin politik. Por ndërkohë do t’ia vlente që të mendohet, për kurdo të formohet qeveria e ardhshme,  për nevojën e përcaktimit të një dikasteri qeveritar për Inteligjencë artificiale (a revolucionin digjital), madje që  ky dikaster të jetë në nivel zëvëndëskryeministri e që ta përgatisë vendin për revolucionin që do të përfshijë dikasteret e tjera- prej arsimit deri në mbrojtje. 
Për shumë prej shteteve evropiane-Franca e Spanja, për shembull-teknologjia digjitale apo inovacioni në këtë fushë ka arritur vëmendjen parësore, e për Estoninë është thellësisht e integruar në qeverisje.  Për Kosovën, një shtet që dështon në PISA në mënyrë konsekuente, ky është momenti kur duhet kuptuar analogjinë e vitit 1945.