OpEd

Pse s’jemi si ata

Rekordi i Belgjikës pa qeveri funksionale për plot 541 ditë dhe rasti i Kosovës e kanë një ngjashmëri rastësore, por dallim të madh në substancë. Te njëra kriza mbeti veç e politikës, te tjera u normalizua në kurriz të qytetarit

Dikur kur i hapja dhe i mbyllja sytë përnatë me lajmet që e përshkonin botën – të cilën, si rubrikë, ne të ekipit të dikurshëm të gazetës e quanim “dynja” – pati ndodhur një vaki që rroku vëmendje ngado. Detajet u mundova që, ndër vite, të mos i arkivoj në mendje. Nejse, s’është se u mundova fort. E bëri të veten mosha. Por një tjetër vaki që u reprizua kush e di se sa herë këtë vit ma kristalizoi atë më të moçmen.

Qe 13 qershori i 2010-s. Qytetarë belgë që nga mëngjesi i asaj të diele fillimvere dolën para kutive të votimit për ta zgjedhur kastën që do ta udhëhiqte në vitet pasuese. Por rezultati nuk qe konkret. Asnjëra parti nuk e mori shumicën.

Për pasojë, u bë i nevojshëm një koalicion i gjerë mes subjekteve të nuancave të ndryshme politike, gjuhësore e institucionale. Kompromisi doli të jetë i vështirë. Nuk u arrit për plot pesëqind e dyzet e një ditë. Krejt deri më 5 dhjetor të 2011-s. Kur, pas përplasjesh e akuzash të ndërsjella të njerëzve të politikës, mbreti shpalli përbërjen e kabinetit qeverisës e kryeministrin e ri, dhe i dha fund paqartësisë së mbi një viti e gjysmë. Gjatë së cilës, as edhe për një ditë të vetme administrata nuk pushoi së funksionuari. Shërbimet publike nuk u ndalën. Ekonomia nuk u shemb. Shtyllat e shtetit nuk i lëkundën pazaret ditore të politikës. Shteti nuk u trajtua si pronë partish. Dhe kriza mbeti veç e politikës. S’e preku qytetarin.

***

Nja treqind e njëzet e kusur ditë (deri në momentin e shkrimit të kësaj kolumne) pa institucione funksionale i kaloi edhe Kosova që 2025-shin e nisi dhe e përmbylli me zgjedhje. Ato të parat, që u mbajtën më 9 shkurt, as këtu nuk e dhanë një fitues me shumicë komode. Pasoi krizë e inateve dhe e pazareve kryekëput të politikës. Ama ndryshe prej asaj të Belgjikës, kjo e Kosovës e preku secilën pore - nga qeverisja tek administrata, nga ekonomia e natyrshëm te xhepi i qytetarit, të cilit për pasojë ia lëkundi besimin te politika. Për këtë, arsye pati me bollëk.

Konstituimi i Kuvendit për muaj të tërë u mbajt peng i mungesës së konsensusit. Ata që i morën mandatet për t’ia dhënë qytetarit institucionet nxorën tyrlifarë tekesh... Janë apo s’janë legjitimë ligjvënësit e zgjedhur, munden apo s’munden t’i mbajnë njëkohësisht edhe postet ministrore, e edhe ato të deputetit. Bën apo s’bën ky a ai emër për kryetar Parlamenti. E çka jo tjetër... bllokadë, bojkot. E edhe pauza të imponuara. Në pritje të vendimeve që do t’i nxjerrë Gjykata Kushtetuese për t’i zgjidhur “enigmat” që dolën rrugës, e të cilave instanca të tjera s’u jepnin përgjigje.

Diku midis krejt këtyre e një seance konstituive prej vazhdimesh maratonike, një bllokadë u kapërcye. Kryeparlamentari më në fund u zgjodh, por kriza e politikës u lidh edhe më nyjë. Lëmshi kësaj radhe u ngatërrua te nënkryetarët. Ai nga radhët e komunitetit serb nuk u zgjodh, pasi për të procedura e votimit u veçua prej asaj të nënkryetarit tjetër të komuniteteve joshumicë. Kryetari i ri i Kuvendit e shpalli seancën konstituive të mbyllur. Por saga vazhdoi. Çështja i shkoi prapë në derë Kushtetueses, që konstatoi se Kuvendi s’mund të konsiderohet i konstituuar pa u shterur të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit.

Përbërja e legjislaturës së nëntë edhe u mbajt disi pas kësaj. Jo gjatë.

Presidentja e shpërndau Kuvendin, pasi përpjekjet e disahershme pasuese të partisë fituese për ta formuar qeverinë e re përfunduan secilën herë me dështim. Në fund, qytetarët dolën sërish në zgjedhje – të katërtat, pas atyre nacionale të fillimshkurtit e dy të tjerave për qeverisjet lokale.

Edhe këtë herë i zgjodhën udhëheqësit e rinj nga mesi i (në të shumtën e rasteve) atyre që morën paga e mëditje mijëra euroshe nga Kuvendi, pa e kryer as edhe një punë. Pa e marrë asnjë vendim në të mirë të qytetarit, që ndërkohë u varfërua me rritjen e çmimeve të rrymës, të ngrohjes, të produkteve ushqimore bazë...

***

Rekordi i Belgjikës pa qeveri funksionale dhe rasti i Kosovës jam e vetëdijshme që nuk krahasohen. As për nga përmasa, as historia e as pesha. Sepse dallojnë në substancë.

Derisa në Belgjikë kriza u menaxhua si problem i taborëve politikë, në Kosovë u shndërrua në barrë të qytetarit. Të cilit krizat iu shndërruan në normale. Sharjet e polemikat prej gjithfarë soji në sallë Kuvendi e nga mos tjetër, në përditshmëri. Zgjedhjet në procedura të mësuara përmendsh. Rezultatet në pritje për një fund. Atij që do të prodhojë dikur institucione të cilat do ta vënë atë në qendër.

Në këtë pritje të zgjatur e që mori ngjyrim të banales, u shpenzua jo veç një vit kalendarik, por edhe kapitali i durimit. Ngase kur krizat normalizohen, shteti pushon së qeni garanci. Shndërrohet në shpresë të largët. E qytetari mbetet veç numër.

Që ai të mos e paguajë krejt çmimin, krizat e politikës duhen mbajtur përbrenda mureve ku prodhohen.

Gëzuar për një vit në të cilin kriza pushon së qeni gjendje normale dhe qytetari vihet në qendër - jo si justifikim, por si përgjegjësi.