Viti 2025 e ka bërë të qartë luftën e pushtetit mes grupeve brenda sistemit prokurorial. Në fund të mandatit të tyre, pesë anëtarë kanë shkarkuar kundërligjshëm ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit, Besim Kelmendi. Po ata, pas këtij shkarkimi, e ngarkuan për ta ushtruar detyrën e kryeprokurorit Agron Qalajn, ndërsa e bllokuan legjitimimin e raportit që e konstaton zgjedhjen e anëtares së re të Këshillit, Elza Bajrami-Kastrati. E krejt këto ndodhën pak ditë para nisjes së 2026-s, kur duhet të hyjë në fuqi ligji i ri për Këshillin Prokurorial
Qe një prej vendimeve më të kritikuara të 2025-tës ai që institucioni më i lartë vendimmarrës i sistemit prokurorial e mori në nëntor për ta shkarkuar ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Këtë vendim, organizata të shoqërisë civile e kualifikuan të kundërligjshëm dhe i fajësuan pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial (KPK) se synojnë ta ruajnë strukturën e pushtetit që udhëhoqi me sistemin prej të paktën 10 vjetësh dhe se tentojnë ta bllokojnë reformën në drejtësi. Shkarkimi i Kelmendit u shpall i kundërligjshëm edhe nga Gjykata Supreme, e cila konstatoi se vendimi është marrë në mënyrë arbitrare dhe pa kuorum. Pas vendimit të Supremes, Kelmendi u tërhoq nga ushtrimi i detyrës.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vendimi i anëtarëve Ardian Hajdaraj, Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci, Milot Krasniqi e Jetish Maloku është reflektim i tendencës për ta ruajtur strukturën aktuale të pushtetit në sistem.
“Diskutimet që kanë qenë në këtë këshill, nxjerrja e vendimit edhe në mungesë të kuorumit dhe po ashtu momentumi kur janë marrë këto veprime, që është pak para se reforma në Këshillin Prokurorial, efektet në kuptim të përbërjes së këtij institucioni, atëherë haptazi mund të themi se ka pasur tendencë të një grupi të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës për ta ruajtur korporatizmin dhe për ta ruajtur shumicën edhe në përbërjen e re të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thekson ai.
Kelmendi u tërhoq nga detyra, pasi fitoi betejat ligjore për rastin e tij dhe pa dhënë shpjegime të hollësishme. E anëtari Veton Shabani shprehu dyshime se ai u vu nën presion.
Pas tërheqjes së Kelmendit, ushtrues detyre i kryeprokurorit, me gjashtë vota, u zgjodh Agon Qalaj. Kuorumin për Qalajn e bëri anëtari i KPK-së, Dardan Vuniqi, që bashkë me anëtarë të tjerë i pati braktisur mbledhjet për shkarkimin e Kelmendit. Qalaj e propozoi për zëvendës të tij Aleksandër Lumezin, i cili është përmendur në skandalin “Pronto”. Por ai, në funddhjetor e njoftoi Këshillin Prokurorial se nuk mund ta pranojë detyrën, shkaku i angazhimeve “profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve”.
Kritika rreth mënyrës së shkarkimit të Kelmendit, krahas organizatave të shoqërisë civile, janë shprehur edhe nga misioni i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, si dhe nga Ambasada britanike. Vendimi u kualifikua për përpjekje për pengimin e reformës në drejtësi.
“E kuptoj që ka diskutime për dorëheqje të parakohshme të bashkërenduar të anëtarëve të Këshillit në mënyrë që të ruhet përbërja aktuale e çekuilibruar e Këshillit dhe të vonohet zbatimit i reformës. Po ashtu e kuptoj që ka diskutime lidhur me zëvendësimin e mundshëm të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Është e qartë që këto nisma do të minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit”, pati thënë ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, më 28 maj.
Shkarkimi i Kelmendit u propozua nga zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, pas raportimit në media se ai gjatë luftës ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, e cila e pati quajtur trillim masakrën e Reçakut.
“Çdo vendim i juaji nuk e prek vetëm një emër, një dosje apo një mandat, por e prek besimin e një kombi të tërë, aq më tepër që keni parë vetë se për çfarë po bëhet fjalë”, theksoi Grantolli tek e bëri propozimin për shkarkimin e Kelmendit, duke pretenduar se ai “ka shprehur publikisht qëndrim të njëanshëm, përfshirë deklarimet e tij në takimet e Këshillit si dhe në pronocimet publike për media”.
Lidhur me masakrën e Reçakut, Kelmendi është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit. E raportimin e medias e ka mohuar.
Dimensioni politik
Pak kohë pas shkarkimit, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, pati nxjerrë akuzën se prapa gjithë këtij plani qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të cilin presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar ta dekretojë.
Deputetja e legjislaturës së shkuar, Ganimete Musliu, e cila është nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), ka reaguar pas kësaj akuze, duke thënë se presidentja Osmani e ka mbajtur në detyrë Kelmendin teksa nuk e ka dekretuar Isufajn, pasi që ai është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare (UÇK).
“Besim Kelmendi, që prej tre vjetësh mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, po qëndron aty falë një vendimi të pastër politik të presidentes Vjosa Osmani. Ajo refuzoi të dekretonte Blerim Isufajn, një ish-ushtar i UÇK-së, dhe zgjodhi të mbajë në krye të Prokurorisë një person me të kaluar të diskutueshme në raport me Reçakun”, pati reaguar Musliu.
E Osmani, e cila është zgjedhur presidente në kohën kur shumicën në Kuvend e ka pasur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me të cilën partia e saj “Guxo” është në koalicion, ka thënë se do ta analizojë “tentim-shkarkimin” në bashkëpunim me aleatë ndërkombëtarë, ndërsa ka shtuar se ajo nuk do të ndërhyjë në drejtësi.
Pretendimi i anëtarit Krasniqi për orkestrimin e ngjarjeve përbrenda KPK-së u mohua edhe nga Prokuroria Speciale.
“Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial. Kryeprokurori z. Blerim Isufaj mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhej në reagim.
Anëtarja që s’e mori vulën e KPK-së
Pas emërimit për ushtrues detyre të kryeprokurorit, Qalaj e ka siguruar kuorumin prej gjashtë anëtarësh në mbledhjen e KPK-së, në të cilën u votua kundër raportit të komisionit zgjedhor që e nxori Elza Bajrami-Kastratin fituese të zgjedhjeve për anëtare Këshilli. Këtë situatë e pati paralajmëruar Kelmendi, kur tha se një pjesë e anëtarëve kanë për synim ta pamundësojnë zgjedhjen e saj.
Akuzën e kanë hedhur poshtë Hajdaraj dhe anëtarë të tjerë të KPK-së që votuan për shkarkimin e Kelmendit. Ata theksuan se zgjedhja e Bajrami-Kastratit nuk ka qenë e rregullt, ndërsa Rregulloja për zgjedhjen e anëtarëve ka qenë e kundërligjshme.
Këto pretendime, menaxherja e programeve në Lëvizjen FOL, Burbuqe Kastrati, i vlerësoi të paqëndrueshme.
“Mënyra se si u tentua të hidhet poshtë ai raport ishte jashtëzakonisht joligjore, sepse raporti ishte thjesht një procedurë shumë formale, që prezantohet para Këshillit, sepse vendimi, votat janë dhënë nga prokurorët. Përzgjedhja dhe votimi i anëtarit të ri, prokurores, në këtë rast të prokurorive themelore është vullnet i pastër i prokurorëve nga i gjithë vendi”, thotë ajo.
Para refuzimit të raportit, kryesuesi Hajdaraj e përmendi mesazhin “e një prokurori dërguar kryeprokurores së Pejës”, e në të cilin, sipas tij, dërguesi pretendon se anëtari Arian Gashi i ushtroi ndikim për ta votuar “kandidaten e tij”. Ky mesazh u përdor si argument për ta refuzuar raportin.
Kastrati nga Lëvizja FOL vlerëson se leximi i mesazhit u bë veç për konsum publik.
“Nëse je prokuror dhe ke dëshmi se është bërë një akt, një vepër penale prej një kolegu dhe ti e shfrytëzon momentin e fundit dhe e hedh atë si një lajm para publikut dhe nuk merresh me hetimin e atij rasti, kjo me të vërtetë është për keqardhje”, thotë ajo.
Prokurori që e dërgoi mesazhin, Ramiz Buzhala, i çoi letër Këshillit me kritikë për leximin e porosisë për kryeprokuroren, Lumturije Vuçetaj. Ai mohoi se Gashi e ka kontaktuar për qëllim vote.
“Nëse do të kisha ndonjë kërkesë të tillë, presion eventual, rastin do ta kisha paraqitur tek institucionet kompetente për trajtim”, shkroi ai në letër.
Sytë kah gjykatat
Më 2026, gjyqësori do të marrë vendim për paditë kundër vendimmarrjeve të Këshillit Prokurorial. Gjykata Supreme veçse e ka nxjerrë një për padinë e prokurores Merita Kurtishi-Gaka, e cila e ka sfiduar refuzimin që KPK-ja ia ka bërë ankesës së saj rreth procesit zgjedhor për anëtare. Për këtë rast, Supremja konstatoi se me ndryshimet në ligjin për KPK-në nuk lejohen ankesa. Në trajtim është edhe Rregullorja për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të KPK-së, pasi portali “Paparaci” ka ushtruar padi, me kërkesë për anulimin e saj. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është aprovuar kërkesa e prokurores Bajrami-Kastrati, me të cilën është pezulluar vendimi për ta refuzuar zgjedhjen e saj.
Zëdhënësja e Themelores, Mirlinda Gashi, tha se rasti do të trajtohet me prioritet.
“Gjykata lidhur me masën e sigurisë ka vendosur brenda afateve të parapara ligjore ndërsa në lidhje me padinë, të njëjtën gjykata do ta trajtojë me prioritet dhe do të vendoset për çështjen kryesore në pajtim edhe me dispozitën e nenit 100 paragrafi 11 të Ligjit Nr. O8/L-182 për Konfliktet Administrative”, tha ajo.
Viti i reformës
Kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj, zëvendëskryesueses Jehona Grantolli e anëtarëve Ariana Shajkovci, Veton Shabani e Jovo Radoviq u përfundon mandati më 1 janar të 2026-s, kur edhe hyjnë në fuqi ndryshimet në Ligjin për KPK-në. Sipas këtij ligji, numri i anëtarëve nuk do të jetë 13, por 7.
E në fillim të vitit, në këtë këshill do të jenë pesë anëtarë – Arian Gashi, Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Milot Krasniqi dhe ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Qalaj – aq sa është minimumi për vendimmarrje.
Prej tyre, prokurori special Krasniqi e votoi shkarkimin e Kelmendit, Qalaj u zgjodh nga anëtarët që e zgjodhën Kelmendin, ndërkaq Vuniqi e kundërshtoi shkarkimin e Kelmendit, por e mundësoi kuorumin për Qalajn.
Krejt zhvillimet që e përcollën KPK-në në 2025-tën, Burbuqe Kastrati e FOL-it i vlerësoi si një njollë e zezë për shtetin. Por shprehu pritjen për llogaridhënie më të madhe përbrenda KPK-së në 2026-n.
“Besoj se ky do të jetë momenti i fundit për ta përmbyllur këtë cikël, i cili ka qenë jashtëzakonisht jotransparent, jollogaridhënës dhe besoj që prej 1 janarit, me hyrjen në fuqi të ligjit, do të jetë një vendimmarrje e re në KPK, e cila nuk do t’i ketë më këto dinamika që i pamë deri më tash”, u shpreh ajo.
Korporatizmi, i konstatuar edhe nga Komisioni i Venedikut e ka dominuar udhëheqjen e KPK-së për një kohë të gjatë. E shpresën se kjo do të ndryshojë më 2026 e shprehu Shala i IKD-së.
“Shpresoj që anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës të punojnë në drejtim të rritjes së transparencës, llogaridhënies, integritetit në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat parime këtij këshilli i kanë munguar tash e mbi një dekadë në mënyrë që ta shndërrojnë Këshillin Prokurorial të Kosovës në një institucion me besim të publikut e i cili u kontribuon çështjeve me interes publik”, thotë Shala.