Dy skena nga një shoqëri që nuk i vjen më marre dhe një djalë me banane që na përkujton se ende ka shpresë
- A bën të hyj para teje?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE shikova me habi.
- Nëse nuk të vjen marre të hysh pa radhë…
- Ja, nuk më vjen. Faleminderit!
Hyri pa rend, duke shpërfillur aktin ilokutor të komunikimit tim, ndjekur nga turfullimet e njerëzve që ishin pas, ku më së shumti mund të dëgjohej shprehja: Marre të koftë!
Në gjithë këtë valë reagimesh, nuk po ndihesha i befasuar. Prej se kam shkuar herën e parë të pres radhë për qumësht në fund të viteve shtatëdhjetë në dyqanin e “Zhitoprometit” te Lakrishtja, do të kem qenë nja pesë vjeç, hyrjet pa radhë kanë qenë të zakonshme dhe të pritshme në jetën time. Pret në aeroport: qe se jam tu u ngutë, pret për dokumente: qe se e kom shkurt, pret për burek: motër a bon mu ma shpejt, pret te mjeku: a bon se jom smutë. E unë çka jom? A pe sheh që krejt na te mjeku kena ardhë? Tybe, te mjeku nuk vijmë kur jemi shnosh! Po derisa t’i mendosh të gjitha këto, ai/ajo hyri pa rend.
Njëri nga shembujt më është dukur posaçërisht i rëndë, se më ka mbetur në kujtesë tash e sa vjet.
Vajza ime ishte nja katër vjeçe dhe e kishim krijuar një rutinë mëngjesi. Shkonim te supermarketi i afërt që më nuk ishte “Zhitopromet” dhe as në Lakrishte. Ia jepja 10 centë, ajo hynte brenda, shkonte te rafti i parë, merrte një lëpirëse dhe pastaj afrohej te kasa për të paguar. Vetë. I dukej vetja më e madhe. Priste në radhë me durim e disiplinë, ndërsa unë e shikoja nga hyrja, rëndom me një buzëqeshje të përzier me krenari e dashuri. Njërën nga ditët, një burrë, më i vjetër se unë, qëlloi në radhë pas saj. E pyeti nëse ishte vetëm. Kjo, duke dashur të tregonte se ishte e madhe tashmë, i tha bindshëm: Po. Ai nuk foli, vetëm e shtyu dhe doli para saj. Gjithë ai gomar. Mbi 180 cm, me një fëmijë sa grima.
- Ku je nisë, o Tarzan? – i thashë, ndërsa po afrohesha me rrëmbim.
- O tybe n’e dita që o fmija yt! Na fal, allahile!
E bëri një aso fytyre me një buzëqeshje të vizatuar prej trullani, thuajse ma ka shkelur këmbën rastësisht, doli pas vajzës sime dhe po rrinte tashmë si një ushtar në togë. Pa marre.
Nuk paska lidhje që ai shtyu një fëmijë katërvjeçar për t’ia vjedhur radhën, por fakti që babai i fëmijës është aty, qenka e nevojshme për të që të disiplinohej. Prej tutës. Çfarë shëmtie njerëzore!
Ajo që e mendoj gjithë kohën është që ky burri tutës që vjedh radhën e një fëmije, në vend se ta ndihmojë, dhe ajo gruaja që thoshte se nuk i vjen marre për të hyrë pa radhë, janë, me siguri, prindër që edukojnë fëmijë dhe, i edukojnë kësisoji. Kjo e bën disi paedukatën ngjitëse si kilja, a si kovidi.
Si u rritëm si brez duke kujtuar se të presësh në radhë nuk është institucion, por disi pengesë dhe humbje e kohës sate personale? Si e bartëm këtë praktikë edhe te fëmijët tanë? Si u bënë e liga dhe e shëmtuara kaq ngjitëse, si viruse, në shoqërinë tonë?
Përgjigjen mund ta hamendësoj, por në vend të saj do të ofroj një shembull të tretë që stërmbulon përgjigjet e pritura.
Para disa ditësh, po hyja në një dyqan ku shesin pemë e perime. Para dyqanit, një grua po e ushqente fëmijën e saj që, siç duket, kishte aftësi të kufizuara. Sa hyra në dyqan, një djalë i ri, me jelek fluoreshent që shiste shkrepëse, hyri brenda dhe e bleu një banane. Doli jashtë dhe ia dha gruas që po e ushqente fëmijën. Shitësi u prek nga ky gjest dhe doli e ia ktheu paret djalit që shiste shkrepëse. Dy gra që ishin para meje në radhë i lanë bakshish shitësit dhe një tjetër doli jashtë dhe ia bleu disa shkrepëse djalit që bleu bananen.
- Ju falemnderit. Të gjitha (paratë) i çoj në shtëpi, tha djali.
Edhe ky tip sjelljeje ishte po kaq ngjitës. Ndoshta më ngjitës se mungesa e marres dhe ligësia. Një sërë veprimesh zinxhirore të mirësisë u shfaqën brenda pak minutash. E gjitha që duhet në shoqërinë tonë është vetëm një shembull i mirë. Na duhet dikush që të na lërë kilen.
Me fjalë të tjera: A lë banania kile, allahile!