Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit.
Partitë politike kanë zhvilluar për tri ditë aktivitetet elektorale.
Kurti nga Vushtria premton rritje të shtesave, flet për bllokadën politike
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në tubimin kryesore të ditës në qytetin e Vushtrrisë ka premtuar serish rritjen e shtesave për fëmijë. Kurti ka thënë se me qeverisjen e Vetëvendosjes do të vazhdojë luftimi i krimit. Ka thënë se “mandati i ardhshëm do të jetë mandat i hekurudhave” e ka premtuar po ashtu mbështetje edhe për bujqit. Kurti ka thënë se në mandatin e ardhshëm do të ndahen 1 miliardë euro për FSK-në.
E Kurti ka përmendur edhe bllokadën politike e ka kërkuar dalje masive në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
“Më 7 qershor i vjen fundi edhe këtyre bllokadave dhe krizave artificiale. Për bindjen time, është shumë e qartë pse bllokojnë. Bllokojnë sepse s’kanë më terminale. Kur e kemi marrë ne detyrën, vetëm një terminal ka qenë i shtetit, e që nga marsi i këtij viti asnjë terminal më nuk është jashtë shteti. E di që e kanë hall Byronë, por ne nuk mund të lejojmë që brezit të ardhshëm t’ua vështirësojmë jetën sepse dikush paska abuzuar me pushtet. Kjo nuk tolerohet. As qytetarët nuk lodhen, as ne nuk dorëzohemi. Prandaj, sot 1 javë me kushërinj, dilni krejt në zgjedhje”, tha Kurti.
Hamza në Skenderaj: Gjashtë vjet polarizime, kriza e sulme për Drenicën
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim zgjedhor në komunën e Skenderajt, ku morën pjesë drejtues të lartë të partisë, kandidatë për deputetë, familjarë të dëshmorëve, veteranë, invalidë të luftës dhe qytetarë të shumtë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë fjalimit të tij vlerësoi rolin historik të Drenicës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke e cilësuar këtë rajon si simbol të sakrificës dhe patriotizmit shqiptar.
“Drenica i ka thënë stop Serbisë, Drenica e ka ndryshuar rrjedhën e historisë, prandaj Drenica i thotë stop edhe krizave dhe i prin marshit për ndryshimin e Kosovës. Shtetit tonë i duhet një kapitull i ri, sepse prej kur Partia Demokratike e Kosovës nuk e udhëheq Kosovën, Kosova ka stagnuar, qytetarët janë lodhur, familjet mezi e dalin muaj me muaj. Unë, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, lëvizëm gjithandej Kosovës, takojmë njerëz të moshuar, njerëz të lodhur nga situata, njerëz të cilët janë në dilemë: a t'i blejnë barërat për shërim apo t'u ndonjë ca para që të blejnë ushqim. Takoj rininë, e cila është buzë situatës me humb shpresën. Pra, Kosova është në krizë dhe kjo krizë e ka një adresë. Adresë është kryeministri aktual, Albin Kurti, dhe qeveria e Vetëvendosjes. Se gjashtë vjet polarizime, drama, kriza, sulme, e sulmon Drenicën, i sulmon opozitën, i sulmon mediat, i sulmon bizneset, i sulmon partnerët tanë strategjikë”, u shpreh Hamza.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe lidership me rezultate konkrete, duke premtuar mbështetje për bizneset, krijim të vendeve të reja të punës dhe rritje të buxhetit të shtetit.
Gjatë tubimit, Hamza prezantoi edhe zotimet e tij programore për sektorin publik, familjet e dëshmorëve, veteranët, shëndetësinë dhe arsimin.
“E kur të rritet buxheti i Kosovës, po, me Partinë Demokratike të Kosovës 50% do të rriten pagat për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Kosovë: edhe për mësuesit, edhe për arsimtarët, edhe për profesorët, edhe për policët, edhe për zjarrfikësit, edhe për personelin shëndetësor, edhe për të gjithë ata që marrin paga përmes buxhetit të Kosovës. E kur jemi te familjet më meritore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, do t'i rrisim pagat, pensionet për familjet e dëshmorëve 50%. Dhe nuk do t'i kushtëzojmë a e marrin pensionin e moshës apo e marrin pensionin e dëshmorit, dhe do të marrin aq pensione sa ka dëshmorë. Dhe kjo nuk është ekuivalente e asaj cfarë ka dhënë ata për Kosovën. Kjo është një kujdes minimal i shtetit për këto familje që kanë dhënë gjënë më të cenueshme, fëmijët e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do ta bëjmë ligjin, ju premtoj që do ta procedojmë dhe do ta bëjmë ligjin i cili i mbron vlerat e luftës. Do t'ju mundësojmë rritje 50% veteranëve, rritje të pagës dhe lejimi, pa pengesë, që ata punojnë kudo që gjejnë punë dhe janë të kualifikuar në sektorin privat. Shëndetësi më të mirë, listën e barnave esenciale do ta zgjerojmë. Pacientët nuk do të frikësohen se do të mbesin pa barna. Ne do t'i modernizojmë spitalet. Ne do t'i t'i fusim në funksion sigurimet shëndetësore. Arsim më cilësor, pagesat e dinjitetshme për personelin arsimor. Fond të veçantë për bursa që të rejat dhe të rinjtë mos të ngelin pa përfunduar studimet si mungesë e mjeteve financiare dhe 30 milionë euro do të ndahen në vitin e parë për bursa. Qeveritë maten me rezultate. Jo me zhurma, jo me propagandë”, tha Hamza.
Në pjesën tjetër të fjalimit, kandidati i PDK-së kritikoi qeverinë aktuale për, sipas tij, mungesën e realizimit të projekteve infrastrukturore dhe investimeve strategjike në vend, duke përmendur një sërë projektesh rrugore dhe energjetike që ende nuk kanë përfunduar.
Tubimit iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili shprehu mbështetjen e tij për kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër.
“Vota për Partinë Demokratike është votë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin”, u shpreh Lushtaku.
Sot, është dita e katërt e fushatës zgjedhore. Zgjedhjet mbahen më 7 qershor./KSP
Kurti premton për çdo diplomë vend pune
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti fushatën e ka vazhduar me vizitë në fshatin Bob të Kaçanikut. Në një video të publikuar nga kjo vizitë, Kurti ka treguar edhe zotimet që ka bërë atje.
“Kush e punon tokën, shtetin e ka përkrah. Për çdo diplomë shkolle, një vend pune. Dronët do t’i kemi Made in Kosova – tri lloje i kemi blerë nga shtete partnere, e të katërtin e prodhojmë vetë”, shkroi Kurti.
Kreu i VV-së ka premtuar për Kaçanikun stadiumin e ri, e ka thënë se do ta restaurojnë shtëpinë në lagjen Kukaj të fshatit Bob, si shtab i UÇK-së. E për Hanin e Elezit ka thënë se kanë bërë plan ndërtimin e çerdhes publike, investimet në ujësjellës dhe në trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtratit të lumit Lepenc, si dhe realizimin e rrugës magjistrale Han i Elezit – Gorancë – Glloboçicë.
“Krahas ekonomisë, do të rritet edhe pensioni. Për më tepër, secila gjyshe apo gjysh pensionist që përkujdeset për mbesa dhe nipa të moshës 13–36 muaj, kur të dy prindërit janë në punë, do të përfitojë 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin ekzistues”, ka thënë ai.
PSD-ja kritikon LDK-në e PDK-në për taksën 10-euroshe të Prishtinës
Kandidati për deputet nga Partia Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka kritikuar partitë opozitare LDK e PDK, e që qeverisin në Komunën e Prishtinës, për nismën që qytetarëve jorezidentë të kryeqytetit t’u vihet taksë 10 euro për futje me makinë në qytet.
Ai ka thënë se kjo është e turpshme dhe ka premtuar se këtë nuk do ta lejojnë të ndodh një gjë e tillë. Sipas tij, kjo tregon se sa merakosen këto parti për qytetarët. “Shiheni qysh Përparim Rama dhe Uran Ismaili, pra LDK dhe PDK, duan me i taksu 10 euro qytetarët që hyjnë në Prishtinë nga qytetet tjera. Ky është turp”, ka thënë ai.
“Njerëzit vijnë në Prishtinë se kanë nevojë me punë, se është kryeqytet, njerëzit hyjnë në Prishtinë se kanë nevojë me u shëru në spital të Prishtinës, njerëzit vijnë në Prishtinë për me u shkollu, e ju po doni me ua marrë nga 10 euro veç pse nuk janë të Prishtinës. Kaq ua ndien juve për qytetarët”, ka thënë Krasniqi.
Në një video tjetër të tij, ai ka folur për pëlqimet në statuset e Lumir Abidixhikut e Vjosa Osmanit në Facebook. Sipas tij, pëlqimet në statuset e tyre kanë rënë dukshëm kohëve të fundit, pasi siç ka thënë, më nuk po i blejnë ato.
“Pra këqyreni çfarë opozite kemi, opozitë që mundohet me falsifiku mbështetjen e qytetarëve duke blerë ‘llajka’. E kur u del sheshit e bëhen horë, tash bien për toke”, ka thënë ai.
E kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një video i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, pasi nga kjo parti e kanë kritikuar Qëndron Kastratin për qeverisjen e tij të mëhershme në Komunën e Kamenicës. Molliqaj ka thënë se Kastrati njihet për punën e tij të shkëlqyeshme si kryetar jo vetëm në Kamenicë, por në mbarë Kosovën. “Të pakënaqur me të janë vetëm Sekti VV, të cilët çdo ditë gjejnë diçka për të vajtuar. Në mungesë të veprimeve konkrete dhe me xhelozi të madhe ndaj aktivitetit politik të PSD-së, vajtimi tashmë u është bërë përditshmëri”, ka thënë Molliqaj duke shtuar se vazhdojnë me politikat socialdemokrate.
Kastrati ishte kryetar i Kamenicës deri para pesë vjetësh.
Me video, ku opozita është vënë “në shënjestër”, kanë dalë edhe kandidatët e tjerë të PSD-së për zgjedhjet e 7 qershorit, si Nol Nushi, Teutë Rrusta dhe Natyra Kuçi. Kjo e fundit, ka kritikuar Vjosa Osmanin e LDK-së, duke thënë se po i instrumentalizon shqetësimet e qytetarëve.
Hamza: Mësuesit meritojnë paga më të larta, dinjitet dhe vlerësim të merituar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar të dielën qindra mësimdhënës, arsimtarë, profesorë dhe punëtorë të arsimit, me të cilët diskutoi për sfidat e sektorit të arsimit dhe nevojën për përmirësimin e pozitës së tyre profesionale dhe sociale.
Në fjalën e tij, Hamza theksoi se ata që edukojnë dhe formësojnë brezat e rinj nuk duhet të përballen me pasiguri ekonomike apo mungesë vlerësimi nga shteti.
“Mësuesit nuk duhet të mendojnë nëse u del paga për të kaluar muajin. Arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të ndihen të nënvlerësuar. Punëtorët e arsimit duhet të kenë siguri dhe dinjitet në punën e tyre”, ka thënë Hamza.
Ai u zotua se me të ardhur në qeverisje, arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar.
“STOP krizës, PO ndryshimit! PO ndryshimit për një arsim që i respekton mësimdhënësit dhe e mbështet çdo punëtor të dijes: me paga më të larta, me kushte më të mira dhe me vlerësim të merituar për punën e tyre”, ka theksuar ai.
Gjini nga Podujeva: Dikush po do t’ia hapë gropën Kosovës
Aleanca mbajti tubimin e radhës zgjedhor në Podujevë në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku morën pjesë figura të rëndësishme të kësaj partie.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Ardian Gjini, theksoi se në Kosovë po qeverisin njerëz që duan ta hapin “gropën për vendin”.
“Nëse në një vend të vogël si i joni, dikush ngreh majtas, dikush ngreh djathtas, sikush prapa e dikush para kemi me u vendnumëru, do të sillemi në vend. Edhe ne e dimë që kur sillesh në vend nuk mbetesh aty, por madje shkon në gropë. E në Kosovë janë ardhur disa njerëz që donë të hapin gropën për vendin tonë, janë duke e hapur gropën në emër të patriotizmit, në emër të punëve më fisnike të mundshme”, tha Gjini, raportoi KSP.
Ndërsa, Ramush Haradinaj kryetar nderi i Aleancës, tha se do të ishte i gatshëm të qeverisë edhe me Kurtin po të ishte në drejtimin e duhur.
“Ju e dini kam qeverisur një herë me presidentin Rugova, pastaj me presidentin Thaçi, më besoni se do të kisha bashkëqeverisur edhe me Kurtin nëse do të bindesha se drejtimin e ka në rregull, por nuk e kam marr këtë vendim. Kam dëshirë që Aleanca të qeverisë me vend, ta kryejë edhe një punë, unë e di që janë 100 punë në Kosovë por të paktën vetëm një…Aq e rëndësishme që ka qenë ushtria, aq është edhe ndërtimi i termocentralit që prodhon energji…Dy kontrata ia kam lënë Kurtit në tavolinë, një kontratë për një termocentral me qymyr, 450 megavat….në momentin që ka ardhur Kurti e ka anuluar, ka dërguar email Rozeta dhe ka thënë nuk e vazhdojmë këtë projekt”, u shpreh Haradinaj.
Besnik Tahiri, kandidati për deputet është shprehur se Kosova është në udhëkryqin më të madh historik.
“Kosova është në udhëkryqin më të madh historik, këto zgjedhje të 7 qershorit janë zgjedhje vendimtare për ta dërguar një porosi në mbrojtje të lirisë, të shtetit dhe të amanetit që e kemi. Është Ardian Gjini, i cili si një ndër kandidatët për kryeministër, si një ndër udhëheqësit dhe liderëve të dëshmuar të 35 viteve të kaluara, i del Kosovës në ballë. Jo me fjalë, me veprat që i ka lënë në çdo etapë të karrierës së tij politike, duke filluar nga angazhimi i menjëhershëm politik në vitet e 90-ta, duke ardhur nga një familje atdhetare, duke qenë krah i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke qenë pjesë e secilës betejë për shtetndërtimin e këtij vendi që ne e gëzojmë sot. E kemi një liderë të urtë, të matur, serioz por shumë të vendosur”, tha Tahiri.
Kryetari i degës së Aleancës në Podujevë dhe kandidati për deputet, Arbnor Fazliu tha se Podujeva është një ndër trevat që ka dhënë më së shumti për lirinë e Kosovës, andaj sipas tij, kanë obligim që duke kujtuar të kaluarën ta krijojnë edhe të ardhmen. Sipas tij, kjo është e mundur me kandidatin e tyre për kryeministër, Ardian Gjini.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor.
LDK premton zgjidhjen e problemit me rrymën për Malishevën
Lidhja Demokratike e Kosovës, mbajti një tubim zgjedhor në Malishevë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin dhe zotimet e partisë së tij në Malishevë. Duke folur para simpatizantëve dhe strukturave të LDK-së, Abdixhiku vlerësoi kontributin e qytetarëve të Malishevës dhe rolin e tyre në mbështetjen e vazhdueshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u ndal veçanërisht te problematika e furnizimit me energji elektrike në Malishevë, duke kritikuar qeverisjen aktuale për mungesën e investimeve në rrjetin energjetik të kësaj komune. Ai premtoi se një qeveri e udhëhequr nga LDK-ja do ta adresojë këtë çështje që në javët e para të mandatit.
“Jeni e vetmja komunë në Kosovë që keni pasur reduktime të energjisë elektrike në vazhdimësi dhe kjo për fajin e një qeverie që përkundër se ka pasur 20 miliardë euro, 20 miliardë euro buxhet për gjashtë vjet e 51% nuk ka arritur të bëjë zgjerimin e rrjetit në Malishevë. Prandaj, më lejoni të zotohem që në javët e para, me ekipin tonë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të përkushtohemi që kjo çështje të marrë fund njëherë e përgjithmonë për Malishevën tonë. Sepse çfarë po kërkoni shumë? Energji elektrike si detyrim bazik i shtetit ndaj njerëzve të vet. Dhe atëherë kur keni pasur energji elektrike në ato pak orë, ju ka ardhur me çmime të rritura, me fatura të fryra tre vite rresht dhe po kështu, në këtë moment, LDK në planin 113 pikësh ka një zotim shumë të thjeshtë, bukur fisnik, ballëhapur e faqebardhë para popullit të Kosovës, çmimet e energjisë elektrike nuk kanë me guxuar me u rritur për as edhe një cent në katër vitet e qeverisë sonë“, tha Abdixhiku, raporton KosovaPress.
Përveç sektorit të energjisë, Abdixhiku paraqiti edhe një sërë zotimesh ekonomike dhe sociale, duke premtuar uljen e kostos së jetesës për qytetarët. Ai tha se LDK-ja synon heqjen e TVSH-së për produktet bazike të konsumit, si mielli, vaji, buka, sheqeri dhe kripa, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për familjet kosovare.
Kandidatja për postin e presidentes, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje për bashkim politik dhe për një drejtim të ri për Kosovën pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Osmani vlerësoi kontributin historik të Malishevës për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar këtë komunë si simbol të qëndresës dhe sakrificës shqiptare.
Gjini: Sektori privat është motori i ekonomisë, pas 7 qershorit plani ynë kthehet në realitet zhvillimi
Nga vizita në bizneset e Mitrovicës, kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka deklaruar se ka parë nga afër historitë e suksesit të sipërmarrësve lokalë, të cilët sipas tij janë “motori i ekonomisë së Kosovës”.
Gjini theksoi se gjatë vizitave ka dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e bizneseve, duke u zotuar se programi i AAK-së për sektorin privat do të sjellë përmirësime konkrete në kushte, infrastrukturë dhe stabilitet ekonomik.
“Po dëgjoj me kujdes secilën kërkesë të sipërmarrësve tanë. Para tyre, si në çdo komunë të vendit, shpalosa planin tonë që garanton kushte, infrastrukturë dhe stabilitet për sektorin privat,” u shpreh ai përmes një video-mesazhi.
Ai shtoi se ky plan do të fillojë të zbatohet menjëherë pas 7 qershorit, duke e quajtur atë një fazë të re të zhvillimit ekonomik.
“Pas 7 qershorit, ky plan do të kthehet në realitet zhvillimi,” tha Gjini.
Vizitat në terren, sipas tij, do të vazhdojnë në komuna të ndryshme të vendit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit me bizneset vendore dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime.