OpEd

Një vijë e hollë në Kushtetutën e mbindërtuar

Pse jemi “shoqëri shumetnike”, pse mund të mos jemi apo të jemi “shtet shumetnik” dhe pse në vend të debateve doktrinare duhet kthyer te vendimet politike?

1.

Leximi dhe komentimi i Kushtetutës është, si ndoshta në asnjë vend tjetër, sport kombëtar në Kosovë. Kërkoj ndjesë, sport shoqëror-referenca “sport kombëtar” na fut në një temë bukur të gjatë, që meriton shkrim më vete.

Pra, ritualisht kur ka ndonjë krizë politike nxirret në debat publik Kushtetuta e Kosovës dhe ritualisht çdokush që ka kapacitet bazik leximi jep mendimin e vet për kushtetutshmërinë apo jo të ndonjë veprimi. Për këtë ekzistojnë, në vija të trasha, dy arsye themelore. E para, se është krijuar një shteg i veçantë që tashmë është traditë politike që për probleme reale politike e që kanë zgjidhje politike të kërkohet ndërhyrja juridike e Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht edhe politizimi i kësaj gjykate. E dyta është se Kushtetuta e Kosovës është një ngrehinë e mbindërtimit (nëse mund të marrim analogjinë me objektet e banimit) në të cilën shihen që nga fasada pjesa e Rambouillet-së, UNMIK-ut e Pakos së Ahtisaarit. Ky mbindërtim nuk po ndalet prejse Kosova është shtet i pavarur, ngase me çdo krizë politike dhe ndërhyrje politike të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shtohet edhe një radhë tullash që e ngarkojnë atë.

Kështu po ndodh edhe në këtë krizën e zgjatur politike që po e merr pjesën më të madhe të vitit 2025 dhe ku debati po shkon aq poshtë sa të kërkojë që Kushtetuta (gjegjësisht GJKK) të përcaktojë për hollësi procedurale, siç janë a duhet votuar për një, dy a tre nënkryetarë të Kuvendit së bashku, kur bën së bashku e kur jo dhe cili bën e cilin nuk bën kandiduar a zgjedhur. Në traditën pozitive kushtetuese evropiane Kushtetuta përcakton bazat mbi të cilat zhvillohen liritë politike; në traditën kosovare po vendoset një kulturë që Kushtetuta të shndërrohet në listë të gjerë mikromenaxhimi hapash. Një ditë, me këso tradite, do t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë se kur mund të jepen pauzat për të shkuar në banjë dhe a mund të jepen për grupe parlamentare veç e veç apo kjo mund të bëhet pa dallim përkatësie politike apo etnike.

2.

Në mesin e këtij debati megjithatë doli në sipërfaqe edhe një pyetje doktrinare - a është Kosova “shoqëri shumetnike”, “shtet multietnik” e “shtet konsocional”- dhe këto pyetje dolën nga interpretimi i gabuar, sipas mendimit tim, të raundit të fundit të krizës institucionale të krijuar me moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Në debat u shtrua (prapë në vija të trasha) dilema se a mund të paralizojë ndërtimin institucional komuniteti serb, pra a ka të drejtë të vetos dhe rrjedhimisht a është ky një keqpërdorim ngaqë Kosova është “shoqëri shumetnike” dhe jo “shtet shumetnik”, siç është B e H, ku komunitetet kanë fuqi bllokuese të funksionimit të shtetit.
Së pari ia vlen të jepet një sqarim. Në Kushtetutë dhe Rregullore të Kuvendit ka liri të mjaftueshme për të zgjedhur njërin prej dhjetë deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb; asnjëri prej deputetëve nuk është më i vlefshëm se tjetri. Pastaj ka pasur dhe ka mundësi që në formë legjitime e legale që zgjedhja e kandidatit serb të mos lidhet me zgjedhjen e kandidatit që përfaqëson komunitetet e tjera joshumicë. Dhe rrjedhimisht del se bllokimin e zgjedhjes së kandidatit përfaqësues të komunitetit serb nuk e bënë deputetët serbë e as dhjetë deputetët e komuniteteve të tjera, por shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Shumicën në këtë Kuvend e bëjnë shqiptarët.

Por me këtë rast ia vlen të shpjegohen edhe dilemat doktrinare, në mos për kurrgjë atëherë ngase këto dilema kanë qenë të pranishme që në përgatitje të Kushtetutës së Kosovës në Procesin Ahtisaari. Asokohe dhe duke qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti kemi vendosur për këtë përcaktim: “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore”.

3.

Ndonëse do të ishte normale që formulimi “shoqëri shumetnike” të barasvlerësohet me “shtet multietnik” (shikuar nga jashtë nuk ekziston ndonjë dallim i madh) , kemi zgjedhur që të mos e përdorim termin “shtet multietnik” për shkak të implikimit të mundshëm institucional, apo interpretimeve të mundshme në funksionimin institucional që do të shkonin ndesh me përcaktimin qytetar të nenit 2 kushtetues se “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet”.
Për ne në praktikë modelet e shteteve shumetnike ishin Bosnja e Hercegovina dhe Libani. Një shtet shumetnik, sipas modeleve të njohura dhe të imponuara – Libani e  Bosnja dhe Hercegovina – është i detyruar të krijojë institucione të përbashkëta të pushtetit, ku përfaqësues të komuniteteve etnike marrin pjesë si “pala” në një kontratë të brendshme. Presidenca kolektive, vetoja etnike, ndarja e posteve sipas kuotave – janë instrumentet me të cilat mbahet kjo arkitekturë. Në këtë logjikë shteti nuk është vetëm shprehje e sovranitetit të qytetarëve, por edhe e marrëveshjes së grupeve etnike për ta ndarë atë sovranitet mes vete.

Nëse do të duhej të jepja në përkufizim të asaj që deshëm në Procesin e Vjenës, atëherë kështu do ta definoja shtetin: 

Kosova është një shtet i qytetarëve të saj, jo një kontratë midis grupeve etnike. Ajo është një shoqëri shumetnike me institucione qytetare. Komunitetet joshumicë gëzojnë të drejta të garantuara plotësuese, por vetë shteti nuk funksionon si një marrëveshje e përhershme për ndarjen e pushtetit ndërmjet komuniteteve.

4.

Ky formulim është optimal dhe nuk është krejtësisht i vërtetë në realitet. 

Duke qenë dokument i mbindërtimeve, Kushtetuta ka të integruar zgjidhje të modeleve të shtetit multietnik, sikur është detyrimi që nga koha e Kornizës Kushtetuese të UNMIK-ut, që në Qeveri të jenë domosdo përfaqësues të komuniteteve joshumicë - zgjidhje që nuk do ta kalonte testin e jodiskriminimit të Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

Por nga aspekti pozitiv, Kushtetuta ka elemente të “shtetit multietnik” në, për shembull, zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, të drejtat e mbrojtura identitare me çelësin e dyfishtë të Badinterit apo me fuqi asimetrike komunale. Që të gjitha këto janë elemente të “shtetit konsocional” dhe kjo nuk e dëmton për asgjë shtetin. Përkundrazi, përfaqësimi më proaktiv i komuniteteve joshumicë në institucionet shtetërore është shenjë drejt forcimit të atyre institucioneve. 

Gjatë procesit të përcaktimit të natyrës së vet si shtet e në bashkërenditje me bashkësinë ndërkombëtare, Kosova ishte mes dilemës demografike të shumicës absolute etnike dhe nevojës së adresimit të identiteteve historike të komuniteteve joshumicë. Prandaj u zgjodh një rrugë tjetër: shtet i qytetarëve, shoqëri shumetnike. Kjo do të thotë se të drejtat themelore i përkasin secilit qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike, ndërsa komunitetet joshumicë gëzojnë të drejta shtesë – përfaqësim të garantuar, përdorim të gjuhës, arsim dhe kulturë në gjuhën e tyre dhe mbrojtje kushtetuese që këto të drejta nuk mund të merren nga shumica. Komunitetet joshumicë kështu nuk do të duhej të ishin “palë” që ndajnë pushtet, por qytetarë që gëzojnë mbrojtje shtesë.

Ky dallim krijon një bazë të re për demokracinë. Ai e zhvendos vëmendjen nga pazari etnik te ndërtimi i institucioneve funksionale dhe i shërbimeve për të gjithë. Ai e vendos barazinë e qytetarëve si pikënisje e jo ndarjen e tyre. Dhe, megjithatë, kjo vijë e hollë kërkon mençuri politike për t’u ruajtur: sa herë që një pushtet e injoron dimensionin e mbrojtjes së komuniteteve joshumicë, ajo i afrohet modelit të shtetit kombëtar ekskluziv; sa herë që komunitetet joshumicë përdorin të drejtat e tyre për ta bllokuar funksionimin e shtetit, ato e shtyjnë vendin drejt krizave të formulave “libanizuese”.
Tash, në këtë krizë të radhës, do ecur me kujdes të shtuar dhe kjo vlen në veçanti për forcat politike të shumicës.