Kosova dhe Serbia nuk janë më në të njëjtën rrugë drejt Brukselit. Pyetja nuk është më kush po vonohet, por kush po largohet
Nuk dyshoj se Antonio Costa, kryetar i Këshillit Evropian, ka marrë me vete analiza të mjaftueshme me shkrim për ardhjen e tij të sotme në Prishtinë. Por, mbase një më shumë nuk do të bëjë dëm. Analiza është e thjeshtë, e përpiluar nga raportet e Komisionit Evropian në dy vjetët e fundit dhe së fundmi e adoptuar nga Parlamenti Evropian. Dhe, nuk është e gjatë; është kjo tabelë krahasimtare këtu poshtë që tregon se si i vlerëson BE-ja (së bashku me Parlamentin Evropian) Kosovën dhe Serbinë:
Kategoria | Kosova | Serbia |
Angazhimi për anëtarësim në BE | Angazhim i fortë për integrim evropian; aplikim për anëtarësim në 2022 dhe përkrahje e gjerë publike. Harmonizim i plotë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë. | Deklarativisht angazhuar për anëtarësim deri në 2026, por përparim i kufizuar dhe përkrahje publike në rënie. Vetëm 51% harmonizim me politikën e jashtme të BE-së në 2024. |
Demokracia | Zgjedhjet e vitit 2025 vlerësohen të lira dhe të ndershme; megjithatë, ekzistojnë shqetësime për përfaqësimin plural të komunitetit serb. Bojkot i zgjedhjeve lokale në 2023 nga partitë serbe. | Regres demokratik i theksuar; zgjedhjet e vitit 2023 shënojnë parregullsi procedurale dhe anshmëri mediatike. Parlament i bllokuar nga zgjedhjet e shpeshta. |
Sundimi i ligjit | Progres i kufizuar në reformën e Prokurorisë Speciale dhe trajtimin e korrupsionit. Vazhdon shqetësimi për pavarësinë e gjyqësorit. | Mungesë përparimi në pavarësinë e gjyqësorit; ndërhyrje politike e vazhdueshme. Strategji e re anti-korrupsion, por korrupsioni në nivelet e larta i pandëshkuar. |
Liritë themelore | Mjedis mediatik pluralist, por në rënie (vendi i 75-të në 2024 në indeksin global). Komisioni i Pavarur për Media nën presion politik. | Liri mediatike në përkeqësim të vazhdueshëm (vendi i 98-të në 2024). Dezinformim i sponsorizuar nga shteti, sulme ndaj gazetarëve. |
Të drejtat e njeriut | Kornizë progresive për të drejtat e komuniteteve, por zbatim i dobët, sidomos për bullgarët. Shoqëria civile është aktive por përballet me mungesë financimi. | Mbrojtja formale e të drejtave e minuar nga përfaqësimi i kontrolluar nga shteti dhe gjuha e urrejtjes. Shoqëria civile e nënshtrohet intimidimit dhe mbikëqyrjes. |
Harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së | Harmonizim i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, mbështetje e qartë për Ukrainën. | Harmonizim në rënie (51%). Asnjë sanksion ndaj Rusisë; ruajtje e lidhjeve të ngushta me Moskën. Votim kontradiktor në OKB për Ukrainën. |
Pajtimi dhe marrëdhëniet rajonale | Angazhim konstruktiv në dialogun me Serbinë dhe nismat rajonale; megjithatë, zbatim i ngadalshëm i Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Kërkon drejtësi për sulmin në Banjskë. | Veprimtari destabilizuese rajonale; asnjë ndjekje penale për autorët e sulmit në Banjskë. Kundërshton anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës. |
Indeksi i perceptimit të korrupsionit (CPI) | Përmirësim me 10 vende në 2024, por ende i pakënaqshëm për shkak të mungesës së strategjisë që nga 2019. | Vendi i 105-të në 2024, shumë poshtë mesatares së BE-së; korrupsioni vazhdon të jetë pengesë madhore. |
Liria e mediave (WPFI 2024) | Rënie nga vendi i 56-të në të 75-tin, por ruan pluralizëm relativ. | Rënie në vendin e 98-të; kontroll shtetëror i madh dhe klimë armiqësore ndaj gazetarëve. |
Shoqëria civile | Aktive dhe konstruktive, por përballet me mungesë mbështetjeje financiare dhe përfshirje të kufizuar në politikëbërje. | Në rritje frika dhe mbikëqyrja; projektligji për “agjentë të huaj” rrezikon ekzistencën e organizatave. |
Të drejtat e komuniteteve | Kornizë ligjore progresive, por zbatim i dobët për komunitetet e vogla si bullgarët. Shqetësime për integrimin e komunitetit serb. | Mbrojtja formale e zbehur nga përfaqësim i kontrolluar dhe narrativat përçarëse ndaj bullgarëve e kroatëve. |
Konstatimi faktik, në përmbledhjen ekzekutive që do t’i dorëzohej presidentit Costa nga kjo tabelë do të ishte ky:
“Kosova perceptohet si partnere e përkushtuar për integrim në BE, me përputhje të plotë në politikën e jashtme dhe një mjedis relativisht pluralist për mediat dhe shoqërinë civile. Megjithatë, sfidat vazhdojnë në zbatimin e të drejtave të komuniteteve dhe forcimin e pavarësisë gjyqësore.
Serbia përballet me regres demokratik, probleme serioze me lirinë e mediave dhe ndikim destabilizues në rajon. Harmonizimi i dobët me politikën e jashtme të BE-së dhe iniciativa ligjore kufizuese e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj si kandidate për anëtarësim”.
Problemi, natyrisht, do të jetë në përkthimin e gjuhës faktike në atë të politikës së BE-së. Këtu qëndron sfida për përbërjen e re të udhëheqjes në Bruksel. Nëse Kosova, në analizat e vet Komisionit është vend partner i përkushtuar i BE-së, ndërsa Serbia një vend që po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga binarët evropianë ky kontrast nuk është më thjeshtë statistikë. Ky kontrast shtron pyetjen thelbësore për politikat e BE-së: si është e mundur që një vend që sillet si aleat, sikur është Kosova, të mbetet jashtë mekanizmave thelbësorë të integrimit – siç janë fondet IPA(në formë të plotë e barabartë), procesi i zgjerimit apo programet e përfshirjes graduale – ndërkohë që një vend që i sfidon vlerat e BE-së, si Serbia, vazhdon të gëzojë privilegje të kandidatit?
Mungesa e konsensusit për njohjen e Kosovës në mesin e vendeve anëtare të BE-së është padyshim faktori parësor që ndikon në këtë trajtim asimetrik. Por kjo nuk duhet të jetë justifikim për politikën e "dy standardeve". Për BE-në, koha e dykuptimësive duhet të ketë kaluar. Nuk mund të pretendohet se politika e zgjerimit është instrument i transformimit demokratik, nëse shpërblen më shumë ata që sfidojnë vlerat evropiane sesa ata që i respektojnë. Kosova dhe Serbia nuk janë më në të njëjtën rrugë drejt Brukselit. Pyetja nuk është më kush po vonohet, por kush po largohet.
Për Kosovën, kjo situatë është një thirrje për dy lëvizje të njëkohshme: së pari, për të vazhduar konsolidimin e brendshëm demokratik, përfshirë trajtimin serioz të sundimit të ligjit, forcimin e institucioneve të pavarura dhe përpjekje plotësuese për përfshirjen reale të të gjitha komuniteteve; dhe së dyti, për të artikuluar më qartë së bashku me BE-së një narrativë politike që kërkon trajtim të barabartë për sjellje të përgjegjshme.
Kjo gjendje paraqet tashmë edhe një shkallë konceptuale përpara për Kosovën: Kosova, më nuk është në pozitë që të kërkojë më thjesht “trajtim të barabartë” me Serbinë por njohje për faktin se ajo tashmë sillet si anëtare e BE-së në vlera dhe orientim strategjik.
Për Serbinë dhe BE-në kjo tabelë duhet të jetë edhe një përkujtim se me vazhdim të politikës së zakonshme-me shpresë se gjërat vetvetiu do të përmirësohen-nuk do të prodhojë rezultate ndryshe prej atyre deri më sot. Disa muaj pasi janë dhënë vlerësimet në tabelë Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe ka kërkuar nga presidenti Putin në Moskë që Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova të jenë pjesë e botës ruse në ndarjen e re gjeopolitike. Disa ditë më vonë presidenti Vuçiq me praninë e tij fizike në Moskë simbolizoi përcaktimin afatgjatë të zgjatimit të politikës ruse në pjesën e butë të stomakut evropian, në Ballkanin Perëndimor. E ndërkohë një pjesë e madhe e Serbisë e ngritur këmbë, prirë nga revolta e studentëve, po kërkon që Serbia të jetë vend demokratik, me sundim të ligjit, pluralizëm mediatik e liri qytetare. Pra, të jetë diçka që duhej ta kualifikonte për të qenë shtet kandidat të anëtarësimit në BE, që Serbia të jetë ajo që duhej të ishte në vitin 2012.