Ky është një korrik jo vetëm me temperatura ekstreme. Ky është një muaj i përgjakshëm në kantieret e Kosovës. Edhe sa vdekje duhet të ndodhin, që të ndërpritet kjo masakër?
Ndërsa vëmendja e opinionit publik vazhdon të jetë e drejtuar nga parlamenti i pakonstituuar dhe klasa politike, përgjegjësia e së cilës arrin vetëm deri te grabitja e mëditjeve dhe privilegjeve të tjera si dhe mbajtja e fjalimeve boshe, në Ferizaj dje vdiq edhe një punëtor. I katërti brenda pak ditësh. Më parë vdiqën dy punëtorë në Gjakovë, vdiq një punëtor nga Istogu - dhe tani si pasojë e rrëzimit të vinçit ndërroi jetë edhe një punëtor në Ferizaj. Një tjetër u lëndua rëndë.
Lidhur me tragjedinë në Gjakovë, prokuroria ka njoftuar se në vendin e ngjarjes u gjetën shkelje të rënda të masave për siguri në punë. Ndërmarrja ku punonin punëtorët ishte gjobitur dy herë, sipas Inspektoratit Qendror i Punës. Duket se gjobat nuk kanë bërë punë. Në të vërtetë, shkelja e rregullave të sigurisë në punë në mënyrë të përsëritur do të duhej të çonte në mbylljen e përkohshme të ndërmarrjes. Për aq kohë sa autoritetet shtetërore - nga niveli komunal deri në atë qendror - nuk kryejnë punët e tyre si duhet, mafia ndërtimore do të vazhdojë avazin e saj. Duke i shfrytëzuar punëtorët pamëshirshëm! Duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve! Duke mos iu siguruar kushte elementare të punës!
Më 24 qershor vdiq një punëtor, i cili më parë ishte rrëzuar në vendin e tij të punës në Suharekë. Më 5 prill shembja e dheut në lagjen Veternik të Prishtinës la të vdekur një punëtor. Më 28 mars po në Veternik vdiq një punëtor ndërtimtarie pasi ra nga objekti ku po punonte. Më 25 shkurt u rrëzua nga një ndërtesë në Lipjan një punëtor dhe pas pak ditësh vdiq në spital.
Si pasojë e aksidenteve në punë në 15 vitet e fundit në Kosovë kanë vdekur rreth 200 punëtorë. Një varr masiv para syve të shoqërisë kosovare. Një masakër para syve të shtetit.
Një dështim kolosal i tërë sistemit - nga inspektorët që nuk kryejnë punën e tyre si duhet deri te gjykatat joefikase dhe punëdhënësit që ditë për ditë ua pinë gjakun punëtorëve duke mos respektuar masat elementare për mbrojtjen e punëtorëve. Në sektorin e ndërtimtarisë përfitimi nëpërmjet shtypjes është bërë gati rregull. Rrjedhimisht edhe humbja e jetëve po bëhet rregull përballë heshtjes së përgjithshme që ka kapluar shoqërinë.
Pas tragjedive të fundit, u lëshuan disa komunikate të zbehta nga autoritetet kosovare, të cilat rekomandonin masa për mbrojtjen e punëtorëve për shkak të temperaturave të larta. Me rekomandime nuk shmanget rreziku. Nëse një punëtor i ekspozohet diellit në ambient të hapur me temperaturë deri në 50 gradë celsius, atëherë gjasat e një aksidenti janë shumë të mëdha.
Nëse shikojmë në fqinjësi, vërejmë dallimet mes Kosovës dhe Greqisë. Në këtë shtet autoritetet kanë ndaluar punën jashtë mes orës 12:00 dhe 17:00. Kjo vlen për shembull për kantieret e ndërtimit apo sektorin e bujqësisë. Punonjësit e shërbimeve të shpërndarjes duhet të kenë automjete me ajër të kondicionuar. Madje edhe për turistët ka ndryshime për shkak të vapës së madhe. Për shembull në Akropolis, i cili gjatë mesditës, në kulmin e temperaturave, qëndron i mbyllur.
Nuk duhet patjetër të jesh mjek për të ditur se vapa e madhe rrezikon jetët. Kur trupi nuk arrin më të rregullojë temperaturën, mund të ndodhë, për shembull, një goditje nga të nxehtit. Në Marmaris, në jug të Turqisë, pushuesit në plazh u befasuan nga derrat e egër, të cilët kishin zbritur për të kërkuar freski.
Sa e rrezikshme mund të jetë vala e të nxehtit u pa në Francë: Autoriteti kombëtar i shëndetësisë raportoi 480 vdekje që lidhen me temperaturat e larta, pas valës së të nxehtit në fillim të verës. Autoritetet njoftuan se 70 për qind e vdekjeve të shkaktuara nga vapa nuk ndodhin gjatë ditëve më të nxehta. Më tepër janë periudhat e gjata të të nxehtit apo mungesa e freskisë ato që paraqesin rrezik.
Kjo vapë ka të bëjë edhe me ndryshimet klimatike. Por për këtë temë në Kosovë nuk flet askush. Klima? Çka është ajo? Deri më 8 gusht 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të pushojnë. Mund të shkojnë në det, të freskohen në male apo pranë ndonjë lumi (nëse ka mbetur një lumë i pandotur në Kosovë). Rrogat e honoraret i kanë marrë. Frikësohem se deri atëherë nga kantieret e Kosovës do të marrim lajme të tjera tragjike. Ndërkohë loja e pistë politike do të vazhdojë.
Hapi i parë për të filluar një dialog pa paragjykime është të pranosh se ndoshta tjetri - qoftë ai edhe kundërshtar i ashpër politik - mund të ketë të drejtë. Kjo cilësi e dialogut në Kosovë ka vdekur qëmoti. Po jetohet “mirë” me polarizim, me eliminim retorik të tjetrit, me banditizëm digjital, me “goditje”, me deformim faktesh, me cinizëm. Me këtë miks të urrejtjes, mosdurimit, ligësisë e dashakeqësisë janë përmbysur vlerat shoqërore, janë përlyer autoritetet publike, janë dehumanizuar ata që nuk janë pjesë e taborrit agresiv politiko-propagandistik. Kështu, në këtë kënetë vulgaritetesh, kur çdo ditë vjen një lajm për një a më shumë punëtorë të vdekur, disa po jetojnë mirë në dëm të shoqërisë. Por demokracia kosovare dhe higjiena e debatit publik janë ndotur rëndë. Urrejtja, tërbimi, dhuna verbale ka rrezik ta dendësojnë edhe më shumë mjegullën politike. Empatia pothuaj nuk ekziston më. Shteti dhe shoqëria po hyjnë në një zonë të mjegullt jo vetëm juridike. Në këtë terren urtësia dhe largpamësia shihen vetëm si dobësi. Kjo është periudha e biznesmenëve të urrejtjes.