OpEd

Loja e budallait

Ligji për Qeverinë ka specifikuar se ata që zgjidhen deputetë, zëvendësohen automatikisht nga zëvendësit e tyre – për kryeministrin, zëvendësimi bëhet nga zëvendëskryeministri i parë. Kjo siguron që vendi nuk mbetet pa qeveri. Kjo dispozitë bën një dallim të qartë mes shtetit dhe pushtetit: pushteti bartet te funksionarët e tjerë shtetërorë, sepse shteti e vazhdon jetën e tij, pavarësisht se kush është sot në krye të pushtetit ekzekutiv. Logjika e Luigjit të 14-të, që e përmblodhi duke thënë: “Shteti jam unë”, ka perënduar para shumë shekujsh. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka një qeveri uzurpuese, të udhëhequr nga zoti Albin Kurti, ndërsa qeveria kushtetuese dhe ligjore është ajo që formohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe zëvendësit e ministrave, pasi ata nuk janë certifikuar dhe betuar si deputetë të Kuvendit. Ky është një fakt i qartë. E dinë të gjithë, përveç atyre që duan të luajnë lojën e budallait

Avni Dehari dhe vizioni juridik kundër rendit gjerontokratik

Në kohën e shkrimit të këtyre rreshtave janë mbajtur tashmë nëntë seanca të Kuvendit në përpjekje të konstituimit të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Të gjitha përpjekjet dështuan në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pavarësisht se kandidatura ka qenë e njëjtë – zonja Albulena Haxhiu, e propozuar nga partia fituese relative e zgjedhjeve.

Askund tjetër nuk bëhet më i dukshëm roli kolosal që luajnë normat juridike dhe strukturat normative sesa në përpjekjet e dështuara për konstituimin e Kuvendit. Rregullorja në fuqi e Kuvendit të Kosovës – i vetmi akt normativ nënligjor që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta – përcakton që deputetët duhet të mblidhen çdo 48 orë pas secilit dështim për konstituim, deri në arritjen e tij. Qytetari i Kosovës mund vetëm ta përfytyrojë se si do të dukej skena politike në mungesë të këtij akti juridik me peshë të madhe për rregullimin e jetës parlamentare dhe për sundimin e ligjit. Veçanërisht shqetësues është obstruksioni i vazhdueshëm nga ana e pushtetit në interpretimin e strukturave ekzistuese normative, të cilat qëndrojnë më lart në hierarkinë juridike sesa rregullorja përkatëse. Këtu bëhet fjalë për Kushtetutën dhe për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 2014-s, i cili e mban nënshkrimin e autorit të këtyre rreshtave.

Në seancën e fundit, krejt papritur – siç do të thoshte populli, “pa prit e pa kujtuar” – kryesuesi i seancës e uzurpoi një kompetencë që i takon vetëm kryetarit të konstituuar të Kuvendit, duke pohuar se Aktgjykimi në fjalë urdhëron deputetët të gjejnë zgjidhje përmes votimit të fshehtë. Ai harroi, të paktën për një moment, se është bashkëkryesues i seancës konstituive, krahas deputetes më të re të Kuvendit ende të pakonstituuar – ndoshta i udhëhequr nga logjika e gjerontokracisë. Avni Dehari nuk është për t’u fajësuar personalisht: ai thjesht e pasqyron një standard të përhapur, por të dëmshëm, ku në emër të përfaqësimit të popullit, të drejtën për të folur dhe për të bërë pazare e merr më i moshuari i familjes – siç u dëshmua edhe në tentativat për “blerjen” e votës së një deputeteje nga Skenderaj.

U kuptua qartë: deputetët nuk pranuan të bëhen pjesë e lojës së zotit Dehari – më shumë si një shprehje e hapur e revoltës ndaj këtij uzurpimi primitiv të pushtetit nga kryesuesi i seancës konstituive. Edhe në këtë rast, vota refuzuese ndaj veprimit të tij u mbështet mbi normën e Rregullores së Kuvendit, e cila kërkon shumicën absolute të deputetëve për të ndryshuar mënyrën e votimit. Edhe të enjten, Dehari e mori për vete rolin e interpretuesit suprem të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe, në vazhdim, e uzurpoi edhe atributin e gardianit të Kushtetutës.

Luajtja e lojës së budallait

Pushteti aktual ekzekutiv, i cili vazhdon të mbajë postet ekzekutive në mënyrë uzurpuese, duket se nuk e ka të qartë se çfarë janë rregullat e lojës për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kjo nuk është aspak e vërtetë. Ata e dinë shumë mirë rrugën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve nacionale. E gjithë loja nisi me një kërkesë absurde të zotit Dehari drejtuar presidentes Vjosa Osmani, për të ardhur në ndihmë – ndoshta si aleat i dikurshëm – për të “zhbllokuar” gjendjen e krijuar nga bashkëpartiakët e tij. Nuk është se pushtetarët aktualë nuk e dinë se çfarë ka trajtuar Aktgjykimi i vitit 2014 lidhur me anulimin e zgjedhjes së Isa Mustafës për kryetar jokushtetues të Kuvendit. Kërkesa për “zhbllokim” iu dërgua pikërisht atij personi që e kishte krijuar lajthitjen për Mustafën, e cili tani, me mençuri, u shpreh se kjo nuk është punë e saj, por e deputetëve, të cilët, bazuar në Aktgjykimin e 2014-s, duhej të gjenin mënyra për ta konstituuar Kuvendin.

Me sa duket, kjo përgjigje e presidentes ishte një rikujtim për partinë në pushtet për t’u kthyer në rrugën e daljes nga kriza, përmes votimit të fshehtë dhe jo përmes metodave të tjera të përcaktuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të sanksionuara më pas në Rregulloren e Kuvendit.

Zonja Osmani nuk mund të thoshte ndryshe, edhe për faktin se ajo është garantuese e funksionimit të organeve të shtetit, por jo përgjegjëse për formimin e tyre. Aktualisht, Kosova nuk ka Kuvend, përveç në kuptimin fizik të fjalës: legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është formuar ende dhe pritet të konstituohet. Këtë nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë presidentja e Republikës, por vetë deputetët.

Një deputet më tha një ditë se nuk dëshirojnë ta dërgojnë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese, sepse zgjat shumë. Kur i thashë se maksimumi kohor brenda të cilit Gjykata duhet të marrë vendim është 60 ditë, më tha se kjo është ende shumë gjatë! Mbase kjo tregon se pritet një kompromis politik, por duke e gjykuar situatën sipas tensioneve të momentit, 60 ditët mund të duken shumë të shkurtra për të zgjidhur ngërçin aktual.

Rizbulimi i ujit të nxehtë: Presidentja si palë e autorizuar!

Çdoherë kur ka kriza politike përpara ekranit paraqiten juristë dhe jo juristë, duke e mbajtur Kushtetutën në dorë për ta lexuar dhe interpretuar sipas dëshirës dhe botëkuptimeve të momentit, që formohen nga koniunkturat e pushtetit. Nxirret një paragraf, një nen dhe bëhet publik si një përfundim, nganjëherë në emër të dijes, herë të tjera në emër të autorësisë në draftimin e Kushtetutës, e herë – herë edhe në emër të zanatit të juristit. Kur jo juristët flasin dhe hamendësojnë, kjo nuk ka pasoja serioze, sepse mbetet brenda kornizave të zanatit të atyre që janë juristë me veprimtari të konsoliduar. Por kur kjo bëhet nga ata që janë vetë juristë, situata ndryshon, sepse krijon argumente që mund ta mbështesin vazhdimin e lojës së budallait.

I tillë është zbulimi i fundit nga disa juristë që pretendojnë se presidenti i Republikës ka të drejtë të nisë procedurat për “zhbllokimin” e ngërçit aktual për konstituimin e Kuvendit. Ata kanë lënë mënjanë faktin që këtë të drejtë e kanë edhe Avokati i Popullit, vetë Qeveria e Kosovës dhe një numër i caktuar i deputetëve. Mbi të gjitha, ata harruan përgjigjen që kishte dhënë presidentja Osmani disa ditë më parë, duke e kthyer përgjegjësinë aty ku i takon – te deputetët, të cilët nuk mund të fshehin kokën si struci dhe të bëjnë sikur ngërçi nuk ka të bëjë me ta. Në fakt, Aktgjykimi i 2014-s pikërisht këtë e thotë: deputetët duhet të gjejnë mënyra për konstituimin e Kuvendit, duke përfshirë edhe mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk ka marrëveshje politike. Dhe, siç po shihet, një marrëveshje e tillë është shumë larg horizontit.

Nëse mbahet seanca e radhës, do të shohim çfarë do të ndodhë, por ka pak mundësi që të ketë diçka substanciale. Loja e budallait pritet të vazhdojë dhe tani duhet parë se cilin paragraf të Aktgjykimit të 2014-s do ta nxjerrin në pah si arsyetim për obstruksionin e mëtejshëm.

Çfarë thotë në fakt Aktgjykimi i 2014-s?

Objekt i këtij aktgjykimi ka qenë vlerësimi i kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit, i propozuar nga opozita e kohës, një pjesë e së cilës është në pushtetin ekzekutiv, madje si uzurpatorë. Ata që e njohin siç duhet zanatin e juristit, e kuptojnë se çdo aktgjykim ka pjesën operative dhe atë arsyetuese, përveç pjesëve të tjera teknike. Ata zanatlinjtë e mirë e dinë gjithashtu se arsyetimi nuk mund të përdoret veçse në raport me pjesën operative, së cilës i referohet. Në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, për dallim nga ato të gjykatave të rregullta, pjesa operative gjendet në fund. Arsyetimi i aktgjykimeve të Kushtetueses shënohet me paragrafë, të cilët asnjëherë nuk mund të përdoren, siç po ndodh në Kosovë, të izoluar nga pjesa operative dhe nga vetë objekti i kërkesës kryesore të vendosur me aktgjykim. Këtë duhet ta dinë ata që dalin nëpër ekrane televizive dhe nxjerrin paragrafët e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i interpretojnë sipas dëshirës.

Nga interpretimet e Aktgjykimit të 2014-s, tani dhe në kohën kur është nxjerrë, del se ekzistojnë së paku dhjetë aktgjykime për të njëjtën çështje. Me këtë dua të theksoj shumë qartë se asnjë paragraf nuk ka kuptim të ndarë nga pjesa operative. Në rastin konkret, pjesa operative fare nuk ka të bëjë me mënyrën e votimit, me atë nëse një parti mund të nxjerrë një kandidat për kryetar Kuvendi çdo 48 orë dhe kështu me radhë, por ka të bëjë vetëm me atë nëse zgjedhja e Mustafës, si kandidat i opozitës së asaj kohe, ka qenë kushtetuese. Kaq. Asgjë tjetër.

Çështjet aktuale të këtij ngërçi janë krejtësisht të tjera dhe të ndryshme rrënjësisht nga ato të 2014-s. Këto janë pyetjet që ngrihen tani: A ka fituesi relativ i zgjedhjeve të 9 shkurtit të drejtën të propozojë çdo dyzet e tetë orë, pa kufi, kandidatin e njëjtë për kryetar të Kuvendit? Nëse po, atëherë, cili është roli i deputetëve dhe i grupeve parlamentare që nuk janë fitues relativë të zgjedhjeve të 9 shkurtit? Nëse jo, sa herë ka të drejtë partia fituese relative të propozojë kandidatin e njëjtë dhe në çfarë afati kohor kjo e drejtë shuhet dhe kalon te të tjerët? Të gjitha këto janë pyetje që pushteti aktual i di mirë, por vazhdon ta luajë “lojën e budallait”, sepse nuk beson në rrugën civilizuese për zgjidhjen e problemeve politike.

Pse Albin Kurti dhe disa të tjerë janë uzurpatorë?

Sundimi i ligjit ka qenë dhe vazhdon të mbetet antidoti i çdo uzurpimi të pushtetit ose i çdo ushtrimi të tij në mënyrë të paligjshme. Ky koncept sublim i kulturës kushtetuese dhe politike perëndimore ka lindur në kalimin nga Mesjeta në Modernitet dhe është kristalizuar përfundimisht pas Luftës së Dytë Botërore, si një katekizëm i ri i kësaj kulture. Vendet e Lindjes ish-komuniste, pas një përvoje të hidhur me diktatura dhe sundime autoritare represive, e kanë kopjuar me zell këtë standard të sjelljes kushtetuese e politike, duke e sanksionuar si një parim kushtetues. Kështu ka vepruar edhe Kosova.

Ky parim nënkupton, në kontekstin e ngërçit aktual dhe të atyre që mund të krijohen, se Kushtetuta,

ligjet dhe aktet e tjera normative më të ulëta duhet të jenë udhërrëfyes në formimin e organeve qendrore dhe lokale, si dhe në çdo sferë tjetër të jetës në Kosovë. Interpretimin e këtyre akteve nuk mund ta bëjnë organet ekzekutive dhe legjislative. Ka mbaruar koha kur Kuvendi i interpretonte ligjet në mënyrë autentike dhe kur ekzekutivi ishte organ i Kuvendit: kur kryeministri dhe ministrat kishin zyra në Kuvend dhe në Qeveri.

Ky standard i sundimit të ligjit është i normuar qartë dhe pa asnjë ekuivok nga Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Qeverinë dhe Rregullorja e Kuvendit. Të gjitha këto akte juridike dhe strukturat normative që ato i përmbajnë, njëzëri tregojnë se kushdo që zgjidhet deputet, duke marrë certifikimin nga KQZ-ja, nuk mund të mbajë asnjë post ekzekutiv. Betimi, si akt që shënon fillimin e ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të deputetit, e bën edhe më të qartë dhe të papranueshëm pozicionin e atyre që nuk kanë dhënë dorëheqje nga postet ekzekutive.

Për të mos e lënë vendin pa qeveri, Ligji për Qeverinë ka specifikuar se ata që zgjidhen deputetë, zëvendësohen automatikisht nga zëvendësit e tyre – për kryeministrin, zëvendësimi bëhet nga zëvendëskryeministri i parë. Kjo siguron që vendi nuk mbetet pa qeveri. Kjo dispozitë bën një dallim të qartë mes shtetit dhe pushtetit: pushteti bartet te funksionarët e tjerë shtetërorë, sepse shteti e vazhdon jetën e tij, pavarësisht se kush është sot në krye të pushtetit ekzekutiv. Logjika e Luigjit të 14-të, që e përmblodhi duke thënë: “Shteti jam unë”, ka perënduar para shumë shekujsh. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka një qeveri uzurpuese, të udhëhequr nga zoti Albin Kurti, ndërsa qeveria kushtetuese dhe ligjore është ajo që formohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe zëvendësit e ministrave, pasi ata nuk janë certifikuar dhe betuar si deputetë të Kuvendit. Ky është një fakt i qartë. E dinë të gjithë, përveç atyre që duan ta luajnë lojën e budallait.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare)