OpEd

Liria e shprehjes, kritika dhe sharja

Pushtetet që e ngatërrojnë kritikën me sharjen rrezikojnë të kthehen në autokraci të maskuara. Në vend të reagimit emocional, pushtetet duhet ta zhvillojnë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe, kur është e nevojshme, për t’u korrigjuar. Demokracia nuk zhvillohet duke i heshtur kritikët, por duke i dëgjuar ata. Një pushtet që e refuzon kritikën, e refuzon mundësinë për t’u përmirësuar. Prandaj, është detyrë qytetare dhe intelektuale të mbrojmë të drejtën për të kritikuar dhe të nxisim një kulturë të dialogut dhe respektit. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sistem politik që nuk i frikësohet së vërtetës — sado e pakëndshme të jetë ajo

Liria e shprehjes, përfshirë lirinë akademike, është themel i domosdoshëm i çdo rendi demokratik.

Ajo paraqet mekanizmin më të fuqishëm për të kufizuar abuzimin e pushtetit dhe për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kritike të shoqërisë. Liria e shprehjes, në parim është antidot i çdo pushteti. Pushteteve politike u pengon liria e shprehjes, sepse përmes saj pushteti sfidohet, analizohet dhe kritikohet. E pushteteve zakonisht u pengon mendimi i pavarur kritik, sepse vetë mendimi kritik e vë në pikëpyetje pushtetin absolut dhe të përhershëm. Pra, parimi i lirisë së ndërgjegjes dhe i lirisë së të shprehurit gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë motori i lulëzimit demokratik të çdo shoqërie.

Historia politike e njerëzimit ka dëshmuar se pushteti, në çdo formë të tij, është përballur me rezistencën e mendimit të lirë. E drejta për të thënë të vërtetën, për të sfiduar versionin zyrtar, për të analizuar dhe për të kritikuar veprimet e pushtetit ka qenë gjithmonë nën sulm nga ata që e konsiderojnë mendimin e lirë si kërcënim për pushtetin e tyre. Kjo përballje është e përhershme, sepse ndërgjegjja e lirë është në konflikt permanent me autoritetin që synon kontrollin absolut mbi diskursin publik. Nëse nuk e mbrojmë këtë të drejtë themelore, rrezikojmë që demokracia të bëhet një fasadë formale, pa përmbajtje të vërtetë demokratike.

Gjatë periudhës së mesjetës, Kisha katolike kishte monopol absolut mbi të vërtetën dhe e ndëshkonte mendimin ndryshe si herezi. Gjyqet e Inkuizicionit dënuan me djegie, burgim dhe censurë të gjithë ata që guxuan të mendojnë ndryshe nga dogma zyrtare e kishës katolike. Giordano Bruno u dogj për së gjalli për idetë e tij kozmologjike që sfidonin botëkuptimin biblik. Galileo Galilei u detyrua të mohojë teorinë heliocentrike për të shpëtuar jetën e tij. Megjithëkëtë, ai gjatë kohës sa po torturohej, e mbrojti mendimin e tij se toka rrotullohej përreth diellit e jo e kundërta, duke thënë: “E pour si move”. Peter Abelardi, Roger Baconi e Jan Husi, secili në mënyrën e vet, u përballën me represion për idetë që binin ndesh me rendin ekzistues fetar. Ky kontroll i rreptë mbi fjalën dhe mendimin solli një errësirë shekullore të zhvillimit shkencor dhe filozofik në Evropë. Lufta kundër mendimit kritik nuk ishte vetëm politike apo fetare; ajo ishte një përpjekje për të kontrolluar vetë burimin dhe përmbajtjen e dijes.

Në shekullin XX, regjimet komuniste, me gjithë retorikën për çlirim dhe emancipim, shndërruan lirinë e shprehjes në herezi moderne. Ideologjia komuniste e zuri vendin e fesë dhe partia e vetme e zëvendësoi kishën si autoritet suprem. Për më tepër, ky sistem instaloi një frymë të vetëcensurës, ku qytetarët mësonin të heshtnin edhe përballë padrejtësive të dukshme, duke e braktisur hapësirën publike si mjedis të mendimit të lirë dhe të debatit të argumentuar.

Kritikët u shpallën armiq të popullit. Solzhenitsyn, Blloshmi, Leka, Demaçi, Hoti — janë vetëm disa prej emrave që u përndoqën, u burgosën apo u zhdukën për fjalën e lirë. Në Shqipëri, regjimi i Enver Hoxhës ushtroi një kontroll ekstrem mbi fjalën e lirë, ku disa shkrimtarë, si Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, u ekzekutuan për poezi që shprehën lirshëm ndjenja dhe mendime që nuk përputheshin me ideologjinë e partisë. Në Kosovë, me qindra aktivistë politikë u shpallën kundërrevolucionarë, u burgosën dhe u torturuan për shprehjen e mendimit të lirë mbi çështje politike. Rasti më i njohur është ai i Adem Demaçit, i burgosur i ndërgjegjes, i cili kaloi 30 vjet në kazamatet jugosllave për shkak se mendimet e tij politike ishin në kundërshtim me doktrinën e regjimit komunist jugosllav të udhëhequr nga Josip Broz Tito. Rasti tjetër është ai i Ukshin Hotit, i cili pas shumë vjetësh të kaluar në burgjet serbe, u ekzekutua në mënyrë tinëzare në vitin 1999. Ai sot e kësaj dite konsiderohet person i zhdukur, sepse trupi i tij nuk u gjet asnjëherë.

Në demokracitë moderne, forma e represionit është më subtile. Në vend të burgosjes, përdoren ligje për shpifje, paditë strategjike (SLAAP), censura digjitale, shtytja për vetëcensurë dhe stigmatizimi publik. Në vend të përjashtimit fizik, përdoren margjinalizimi social dhe presioni ekonomik. Në Kosovë, këto forma të presionit mbi mendimin e pavarur nganjëherë aplikohen përmes dhunës psikologjike, përgjimeve, padive strategjike dhe presioneve të drejtpërdrejta, apo përmes anëtarëve të familjes. Kështu, mendimi i lirë dhe kritika cilësohen si sharje e jo si një shprehje e lirisë akademike dhe ndërgjegjes së lirë. Këto taktika krijojnë një ambient frike dhe pasigurie që nxit konformizmin, vetëcensurën dhe e zbehin cilësinë e debatit publik. Mbi të gjitha, i kthejnë institucionet e pavarura dhe intelektualët në instrumente të heshtjes, në vend që të jenë mbrojtës të lirisë.

Në vend se të përgjigjen me argument, disa përfaqësues të pushtetit reagojnë emocionalisht dhe e interpretojnë kritiken si “sharje”. Nëse do ta njohësh dikë në tërë vërtetësinë e tij apo të saj, jepi pushtet. Pushtetarët që kritikën e marrin personale dhe si sharje apo kërcënim për pushtetin e tyre, kanë prirje për t’u bërë pushtetarë autoritarë, pavarësisht bagazhit të tyre akademik dhe intelektual. Pushtetarët e tillë, të cilët para se të hyjnë në politikë kanë vlerësuar lirinë akademike, ndryshojnë sapo të vijnë në pushtet. Kjo e vërteton argumentin se liria e shprehjes, duke përfshirë lirinë akademike, është në konflikt të përhershëm me pushtetin politik, sepse pushteti e ndryshon njeriun duke e bërë instrument të shtypjes së mendimit të lirë.

Por cili është dallimi në mes të kritikës dhe sharjes?

Dallimi në mes të kritikës dhe sharjes qëndron në qëllimin, përmbajtjen dhe mënyrën e shprehjes së mendimit. Kritika është akt racional dhe argumentues që synon përmirësimin e një gjendjeje, politike apo sjelljeje. Ajo është pjesë thelbësore e lirisë akademike dhe e diskursit demokratik. Kritikët nuk janë armiq; ata janë zëra të nevojshëm për zhvillimin institucional dhe për të garantuar llogaridhënie. Sharja, në anën tjetër, është ofendim i zbrazët, pa përmbajtje analitike. Ajo ka për qëllim të lëndojë, të dehumanizojë e të delegjitimojë të tjerët. Sharja është sulm mbi personalitetin e tjetrit apo të tjerëve. Prandaj, është e rëndësishme që të gjithë — përfshirë edhe pushtetin — të bëjnë dallimin mes këtyre dy formave të komunikimit. Shprehja e lirë kërkon përgjegjësi, maturi dhe respekt për dinjitetin e tjetrit.

Në një demokraci funksionale, liria për të kritikuar është parim i domosdoshëm i një shoqërie të lirë e të hapur. Pushtetet që e ngatërrojnë kritikën me sharjen rrezikojnë të kthehen në autokraci të maskuara. Në vend të reagimit emocional, pushtetet duhet ta zhvillojnë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe, kur është e nevojshme, për t’u korrigjuar. Demokracia nuk zhvillohet duke i heshtur kritikët, por duke i dëgjuar ata. Një pushtet që e refuzon kritikën, e refuzon mundësinë për t’u përmirësuar. Prandaj, është detyrë qytetare dhe intelektuale të mbrojmë të drejtën për të kritikuar dhe të nxisim një kulturë të dialogut dhe respektit. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sistem politik që nuk i frikësohet së vërtetës — sado e pakëndshme të jetë ajo.