Gabimet drejtshkrimore të presidentit Trump, një mysliman pretendues për ta udhëhequr New Yorkun dhe një botë e tërë që po e braktis demokracinë
1.
Disi m’u kujtua biseda me një mik republikan dhjetorin e kaluar në Washington DC.
Mikun e njihja prej viteve të hershme nëntëdhjetë, kishte shërbyer në disa administrata republikane dhe u pajtua kur i thashë se presidenti Trump ishte duke vendosur standard krejtësisht të ri të Partisë Republikane, një që shënonte ndërprerje vazhdimësie me partinë, të atillë çfarë e kishim njohur deri tani.
Shkas për rikujtim të bisedës qe letra që ua dërgoi presidenti Trump liderëve të 14 vendeve - mbretërve, presidentëve e kryeministrave - lidhur me vendosjen e tarifave ndaj produkteve të atyre vendeve që shkojnë në tregun amerikan. Interesimi im nuk kishte të bënte me tarifat, ndonëse edhe këto janë krejtësisht të kundërta me partinë tradicionale republikane, avokatja më e madhe e tregut të lirë dhe kundërshtuesja më e madhe e taksave ndaj qytetarëve e mu këto tarifa importi janë në fund taksa që i paguan qytetari amerikan kur e blen produktin nga importi. Interesimi im u përqendrua te stili i paprecedent i shkrimit - i një letre të njëjtë në të cilën ndërrohen vetëm të adresuarit dhe përqindjet e tarifave të vëna - që fillon me shpërfillje bazike të të shkruarit anglisht dhe vazhdon me formulime që janë pak më larg komunikimit diplomatik dhe shumë më afër letërkëmbimit biznesor me gjithnjë e më pak kurtuazi. Presidenti Trump shkruan në letër kështu: "Nder i Madh" ,"Marrëdhënie Tregtare", "Deficit Tregtar", "Tarifat, Politikat dhe Barrierat Tregtare", "Barrierat Jo Tarifore"- që të gjitha me shkronja të mëdha e jo me të vogla, siç e kërkon drejtshkrimi (pra “nder i madh”, “marrëdhënie tregtare” etj.).
Letra, me këtë stil ortografie, u përngjante më shumë postimeve të zotit Trump në medie sociale, në të cilat ai rregullisht përdor shkronja të mëdha. Por, kalimi i lirisë së keqshkrimit të medieve sociale në komunikim ndërshtetëror gjithsesi është një ndërprerje vazhdimësie, tashmë të nivelit diplomatik të komunikimit. Në vend të gjuhës së diplomacisë tashmë po konsolidohet gjuha e agjencive reklamuese amerikane të viteve pesëdhjetë që ngrinin në qiell cigaret, whiskyn, veturat dhe pushimet në Karaibe me porosi të drejtpërdrejta. Në këtë stil presidenti Trump i shkruan homologut të tij në Serbi se SHBA-ja është “Larg Tregu Më i Madh në Botë” dhe se "Ju nuk do të zhgënjeheni kurrë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
2.
Por, konstatimi të cilin ia thashë mikut tim republikan kishte edhe pjesën e dytë. Ashtu si presidenti Trump që do ta shënojë diskontinuitetin me republikanët e së kaluarës - pra të largimit prej Qendrës politike - ashtu do të ketë nevojë për një figurë a lëvizje që këtë ta bëjë tek Partia Demokratike; edhe e majta amerikane do të ketë nevojë të ndërtojë disi një pozitë të largimit nga Qendra e saj politike tradicionale.
Kjo më duket se ndodhi më befasishëm se ç’prisja. Pesë muaj pas ardhjes në pushtet të presidentit Trump, në garën për ta fituar postin e kryetarit të New Yorkut pretendues me gjasa të mëdha u bë Zohran Mamdani, i cili paraqet kundërtinë më të madhe ndaj bashkëqytetarit të tij të dikurshëm Donald Trump. Mamdani është 34 vjeçar, është i lindur në Ugandë nga një çift ugando-indian të emigruar më vonë në Amerikë, është mysliman dhe i deklaruar si “socialist demokrat”. Ka dy pika afërsie me presidentin Trump: ka kuptuar që porosia e tij duhet të bëhet me medie sociale dhe ka kuptuar që porosia e tij duhet të jetë jotradicionale, do të thotë të mos e përsërisë ligjërimin tradicional të demokratëve ashtu siç kishte ndërprerë së përsërituri atë ligjëri te republikanët kandidati Trump. Në primaret e demokratëve për kandidat, Mamdani fitoi kundër Andrew Cuomos, ish-guvernatorit që kishte buxhet pesëmbëdhjetë fish më të madh dhe mbiemër që njihej në New York gjatë tërë shekullit XX (babai i tij po ashtu ka qenë guvernator).
Mamdani është duke paraqitur një vizion krejtësisht të ri për demokratët amerikanë, diçka që është më afër socialdemokracisë evropiane (madje në disa aspekte edhe më majtë se ajo) me propozime që transporti me autobus të jetë falas, që të ketë vetëshërbime sociale me çmime të ulëta dhe që të ndërpritet rritja e qirave - që të gjitha këto natyrisht do të paguheshin nga rritja e taksave për të pasurit. Për më tepër, si person me prejardhje aziatiko-afrikane, me besim mysliman dhe i biri i dy intelektualëve të arritur (babai Mahmood është profesor në Columbia dhe autor librash të thelluar në çështjet identitare e nëna Mira është regjisore e njohur filmi) ka mbrojtur me elokuencë të drejtat e palestinezëve (duke sulmuar njëkohësisht terrorizmin e Hamasit). Një personalitet kaq i ndërlikuar - dhe kaq i ndryshëm nga presidenti Trump - është duke fituar përkrahjen e shtresave të ndryshme të New Yorkut - prej rinisë së bardhë, hispanikëve e zezakëve dhe deri te hebrenjtë progresivë e shekullarë. Nëse fiton dhe bëhet kryetar i New Yorkut, do të jetë lëvizja më e madhe tektonike politike amerikane, pas asaj që bëri presidenti Trump.
3.
Demokracia amerikane është shumë e veçantë dhe mbase nuk është shumë lehtë të nxirren analogji të shpejta me kontinentin evropian apo kontinentet e tjera. Për më tepër, është vështirë të kuptohet edhe në vetë Amerikën; ndër miqtë me të cilët komunikoj atje ka të atillë që flasin e shkruajnë se Trumpi po e fut Amerikën në autokraci dhe ka të atillë që analizën e drejtojnë kah interpretimi se Trumpi vetëm konfirmon sëmundjen e modelit të demokracisë amerikane, pra se ardhja e tij në pushtet vetëm dëshmon se sistemi politik amerikan deri në ardhjen e presidentit Trump ka dështuar të gjenerojë përgjigje alternative ndaj sfidave të sotme apo, siç cekin miqtë kritikë republikanë e demokratë, kishte humbur madje vija ndarëse mes këtyre dy lëvizjeve.
Pra, nëse ia vlen të nxirret një përfundim në këtë rrjedhë të vitit 2025, Amerika po shkon në drejtim të diskontinuitetit politik - nga e djathta dhe e majta - dhe rrjedhimisht faktori Trump nuk është kalimtar, pra nuk do të ketë kthim prapa në politikën tradicionale amerikane pasi ai ta përfundojë mandatin.
Koincidentalisht, një shumicë e të rinjve evropianë në një sondazh të bërë nga TUI/YouGov besojnë të njëjtën gjë, pra se nuk do të ketë kthim në gjendjen para-Trump. Në perceptimin e gjashtë mijë të anketuarve nga Britania e Madhe deri në Greqi e nga Polonia në Itali, del se jetojmë në kohë të dyshimeve në përcaktim: vetëm 57 për qind e të rinjve e shohin demokracinë si formën më të mirë të qeverisjes, 21 për qind pajtohen se një regjim autoritar mund të jetë i pranueshëm në rrethana të caktuara dhe 8 për qind thonë se nuk ka rëndësi nëse regjimi është demokratik apo jo.
Në fund 48 për qind e të rinjve mendojnë se demokracia është e rrezikuar në vendin e tyre.
4.
Kjo kohë pavendosmërie në mesin e lavjerrësit që ecën në skajshmëri duket se është tashmë gjendje globale. Instituti V-Dem botoi raportin e vet “Demokracia në botë 2024” dhe vlerësimet e ekspertëve janë bukur zhgënjyese.
Sipas analistëve globalë të këtij instituti, niveli i demokracisë për qytetarin mesatar të botës është kthyer në nivelin e vitit 1985 dhe pesha ekonomike e demokracive është në nivelin më të ulët në mbi 50 vjet. Rënia është globale, me Evropën Lindore dhe Azinë Jugore e Qendrore në rënie të thellë.
Për herë të parë pas më shumë se 20 vjetësh, ka më shumë autokraci (91) sesa demokraci (88) në botë.
Në të hyrë në çerekun e dytë të shekullit XXI, ky është rezultati që do mbajtur mend si pikënisje: vetëm 29 demokraci liberale kanë mbetur në vitin 2024 – janë regjimi më i rrallë që ndërkohë 72% e popullsisë së botës jeton nën autokraci – përqindja më e lartë që nga viti 1978.