Hoti mund të përsërisë deri në pafund se ai do të jetë udhëheqës i dialogut dhe askush nuk do t'i besojë - për shkak se si nëpër to, e tha në mbledhje të Qeverisë se do ta themelojë një trup koordinues për negociatat, duke mos treguar se kush do të jetë koordinatori. Nuk duhet shumë imagjinatë për të konstatuar se ai koordinator do të duhej të ishte njeri i afërt i Thaçit - ashtu që ky i fundit, edhe pse jo prezent fizikisht, do t'i ngrehte penjtë nga distanca
COVID-i nuk ka të ndalur dhe tashmë i kemi mbi 3000 raste të konfirmuara me koronavirus përderisa trendi nuk po ndalet. E gjithë disiplina që na veçoi nga marsi deri në qershor mbaroi me t'u hapur gastronomia, shëtitja e lirë dhe protestat. Fatkeqësisht, është në rritje numri i atyre që besojnë se virusi nuk ekziston dhe se e gjithë kjo është një skemë e qëllimshme e dikujt me ide të errëta për ta shkatërruar ekonominë.
Në Kosovë nuk ka mbetur shumë ekonomi për t'u shkatërruar - tashmë e kemi prekur fundin moti, e burimi i kësaj është politika. Shteti i cili nuk është në gjendje ta zbatojë madje në plan emergjent me ndihma për dy muaj, tregon se nuk mund të ecën larg. E nuk mundet për shkak se 170 milionët që i kishte planifikuar qeveria e shkuar nuk mund të realizoheshin, sepse nuk kishte pasur vullnet politik. Kurse tash, kjo qeveri deklaron se nuk ka më para, dhe po qe se nuk votohet rishikimi i buxhetit, nuk do të ketë para për asgjë.
Nuk jam e sigurt që tash ekziston vullneti politik për ta kaluar as këtë rishikim, për shkak se në të nuk parashihen vetëm linjat e ndihmës emergjente, por edhe projektet kapitale që ishin pezulluar nga qeveria e shkuar - sikurse është autostrada e Dukagjinit.
Sido që të jetë, punët i kemi keq, në rend të parë për shkak të politikës. Dhe po të mos ishte diaspora, e cila nuk u ndal së dërguari para në mes të krizës globale, kush e di ku do të ishim tash.
Popull i çuditshëm
E me gjithë paraqitjen edhe më agresive të virusit, me t'u hapur kufiri me Shqipërinë, kosovarët u nisën në det. Pavarësisht faktit se as në Shqipëri nuk po ndalet përhapja e virusit dhe sidomos pavarësisht faktit se atje po shkojnë njerëz nga e gjithë Kosova - pra bartës të mundshëm të virusit. Nëse në qytet nuk i bartin maskat, kush do t'i bartë ato në plazh? Askush. E kush do të garantojë kontrollin sanitar nëpër restorante e bujtina? Askush.
Pra, edhe gjasat që të na kthehet një numër më i madh i të sëmurësh nga Shqipëria është shumë i madh. Posaçërisht nëse për shembull e marrin kryeministrin e Shqipërisë, i cili në vizitën e tij në Prishtinë tregoi mospërfillje absolute ndaj masave parandaluese. Maskë jo se jo, por edhe as distancë sociale.
Rama erdhi në Prishtinë në ditën kur Thaçi kishte vendosur t'i drejtohej opinionit publik. E kishte shtyrë paraqitjen për një ditë - kishte thënë se do ta bënte të dielën, më 28 qershor, porse mandej doli komunikata ku thuhej se kjo do të ndodhte të nesërmen në 20:00.
Nuk doli të fliste para gazetarëve. E kishte incizuar fjalimin, të cilin e lexoi nga prompteri, me një ritëm të ngadalshëm dhe me një përmbajtje skajshmërisht patetike. Do të thuhej se mbase është e kuptueshme patetika duke i marrë parasysh rrethanat, porse, nga ana tjetër, nevoja për ta shndërruar në dramë një situatë të cilën e ka krijuar vetë nuk la mbresa të mira.
Prej asaj dite më nuk është parë kund, as nuk ka shkruar statuse. Ka darkuar me Ramën po atë natë, dhe është tërhequr për të bërë plane të mëtejme se çfarë duhet lënë pas, po qe se aktakuza i konfirmohet dhe jep dorëheqje.
Rama, nga ana tjetër erdhi, dhe sinqerisht nuk e kuptova se përse erdhi. Nëse ka menduar se po e merr rolin e babait të kombit dhe në këtë formë do të bëjë përpjekje për unifikimin e faktorit politik kosovar, ka bërë gabim. Ngase si përkrahës i parezervë i atij që do të duhej të ishte simbol i unitetit në Kosovë, e që në fakt ishte simboli i kaosit politik dhe përçarësi kryesor i skenës politike, nuk mund ta luante rolin e babait. Përkundrazi. Do të mund ta luante vetëm rolin e vëllait të madh të atij që është futur në telashe, e që për t'u ikur atyre thërret ndihmë nga jashtë.
Përpjekja për përfshirjen e PDK-së në koalicion
Burimet e KOHËS tregojnë se porosia e përçuar nga Rama ishte që të krijohet një qeveri thuajse gjithëpërfshirëse pa VV-në në të. Kështu do të siguroheshin 89 vota në Parlament, dhe askush nuk do të mund të thoshte se kjo qeveri nuk ka fuqi të mjaftueshme politike për t'i shtyrë agjendat e veta para.
Pra, po qe se, pas ngritjes së aktakuzës ndaj Veselit, PDK-ja mendon se nuk duhet të mbetet në opozitë, atëherë bashkimi i saj në qeveri do të ishte shumë i mundshëm. E do të ishte edhe super i favorshëm. E para, për shkak se do ta merrte sërish prapa fuqinë ekzekutive - me dikasteret që do t'i zgjidhte, apo edhe se do të krijoheshin për ta akomoduar edhe atë. E dyta, për shkak se do të mund ta siguronte për vete postin e kryetarit të shtetit - pra institucionin problematik që falë lidhjeve me Kushtetuesen rrëzoi një qeveri në mes të pandemisë, pa asnjë pardon.
Inkuadrimi i PDK-së në qeveri do t'ia siguronte koalicionit të gjerë shumicën e kërkuar për ndryshimin e Kushtetutës, e edhe të cilitdo ligj që i kërkon dy të tretat e votave të shumicës shqiptare dhe të pakicave - pra edhe të Ligjit për Specialen. Dhe pavarësisht asaj që e tha Avdullah Hoti në Tiranë, se nuk do ta shfuqizojnë gjykatën, Hotit nuk i besohet. Ngase Hoti e shkeli premtimin zgjedhor se nuk do të kishte koalicion me PAN-in (e bëri me AN-in) dhe pranoi të bëhej kryeministër i Thaçit - pas favorit që këtij të fundit ia bëri Kushtetuesja.
Dhe Hoti mund të përsërisë deri në pafund se ai do të jetë udhëheqës i dialogut dhe askush nuk do t'i besojë - për shkak se si nëpër to, e tha në mbledhje të Qeverisë se do ta themelojë një trup koordinues për negociatat, duke mos treguar se kush do të jetë koordinatori. Nuk duhet shumë imagjinatë për të konstatuar se ai koordinator do të duhej të ishte njeri i afërt i Thaçit - ashtu që ky i fundit, edhe pse jo prezent fizikisht, do t'i ngrehte penjtë nga distanca.
Dialogu duhet të presë
I pakuptimtë insistimi që dialogu të vazhdojë me çdo kusht ose në Evropë, ose në Amerikë. Që nga procesi i Vjenës, Kosova nuk ka pasur unitet politik sa i përket çështjes së dialogut, i cili u pati bërë lodër e Hashim Thaçit në përpjekje për ta shpëtuar veten nga aktakuza që edhe i erdhi.
Sa herë që ishte pyetur nëse ishte marrë në pyetje nga Haga, kishte gënjyer. Nuk do të ishte aspak befasi po qe se do të kuptohej se do ta ketë pasur informatën për ngritjen e aktakuzës dhe se për këtë shkak do të ketë insistuar që takimi në Washington në mbahej, ku ai do të dëshmohej si "i vetmi njeri që mund ta zgjidhë problemin me Serbinë", duke mos qenë fare e rëndësishme se çfarë do të nënshkruante.
Tash, si njeri që ka aktakuzë, sado e pakonfirmuar, nuk mund të pritet në asnjë shtet perëndimor - posaçërisht jo në SHBA, katër muaj para zgjedhjeve presidenciale. Dhe nëse duhet pritur konfirmimin tre muaj, kjo i lë atij hapësirë që të punojë nga hija, pra ta dirigjojë punën e dialogut nëpërmjet ndonjë emisari, që do të quhet koordinator. E që do të mund të ishte po i njëjti që kishte mbajtur këtë titull edhe më parë. Ndërkohë, do të sigurohej se "njeriu i tij" të zgjidhej kryetar që në çastin që ky do të jepte dorëheqje, në rast konfirmimi akuze.
Për Kosovën, situata e këtillë çfarë është, lëmsh, është tepër e papërshtatshme për të marrë pjesë në dialog. Përderisa ende mungon uniteti i të gjithëve rreth parimeve negociuese, druaj se do të futemi sërish në një proces nga i cili nuk do të dimë të dalim të palënduar. Do të ballafaqohemi me një palë që ka pushtet absolut në shtet të vetin, dhe me ndërmjetës të cilët me çdo kusht duan ta pasurojnë biografinë e tyre politike e profesionale, pavarësisht pasojave që do t'i pësojë Kosova.
E do t'i pësojë për shkak se gjasat janë se do ta përfaqësojë një qeveri kukull e dalë nga shkelja e premtimit, si dhe nga makinacionet e Thaçit dhe të Kushtetueses, që do të veprojë sipas udhëzimeve të koordinatorit, përfaqësuesit e atij që e bëri llom procesin e negociatave deri tash. Dhe, për shkak se në këtë proces nuk do të marrë pjesë partia më e madhe në Kuvend, me numër jo të vogël përkrahësish.
Kosova nuk është e përgatitur për vazhdimin e dialogut përderisa ende nuk e di se a do të japë dorëheqje kryetari, dhe nëse do të gjendet dikush, që nuk është Edi Rama, që do t'i bëjë bashkë në lidhje me interesin e Kosovës në dialog. Interes i cili nuk është personal; i cili nuk nënkupton këmbim territoresh dhe i cili nuk udhëhiqet me frazën bajate "do ta kemi ulësen në OKB", sepse ulësja në OKB nuk varet nga Serbia. Kaq thjesht.
* * *
Për javën tjetër paralajmërohen protestat e OVL-së me kërkesë eksplicite për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ftesa për protestë është gjithëpopullore, prandaj do të duhej pritur se më 9 korrik në Prishtinë të zbarkojnë me dhjetëra autobusë nga e gjithë Kosova në shenjë solidarizimi me Thaçin, Veselin dhe të tjerë të akuzuar të cilëve ende nuk ua mësuam emrat. Sikur protesta paraprake e VV-së, edhe kjo do të jetë vatra potenciale e përhapjes së virusit.
Ndërkohë, në televizionin publik e edhe nëpër rrjete sociale kanë nisur linçimet kundër njerëzve që mendojnë ndryshe - në përpjekje të qartë për të krijuar "armiq" që duhen luftuar. Dhe, në përpjekje të qartë për të krijuar atmosferë armiqësore që do të mund të përshkallëzonte në konflikte kot, me pasoja të padëshiruara.
E kjo në kohën kur problemin më të madh për shtetin tonë e kemi mungesën e sundimit të ligjit dhe një proces të papërfunduar me Serbinë, të cilin e rihapi në formën më naive të mundshme Thaçi, me fusnotën dhe me marrëveshjen për Zajednicën.
Papërgjegjësia ka qenë ajo që e ka udhëhequr këtë shtet edhe para se të shpallet shtet i pavarur. Prandaj edhe nuk është çudi që askush nuk mërzitet për rekomandimet e IKSHKP-së, e sidomos të ministrit të Shëndetësisë.
Sepse vazhdojnë të thonë "hajt se bahet mirë". Qe njëzet vjet.