Arbëri

Në Spitalin e Gjilanit ndërpritet shërbimi i hemodializës në mungesë të materialit

Mungesa e materialit të nevojshëm ka bërë që 12 pacientë të mos e marrin shërbimin e hemodializës të mërkurën në Spitalin e Gjilanit. Në spital kanë konfirmuar mungesën, e SHSKUK-ja, si institucioni përgjegjës për furnizim të institucioneve shëndetësore, ka mohuar mungesën e materialit. Tenderi i rregullt për furnizim me material të hemodializës është anuluar e edhe ai emergjent, është bllokuar

Tetë pacientë me dializë kanë pasur fatin të kryejnë shërbimin e hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit të mërkurën, por jo edhe 12 të tjerët që ishin në program për ta kryer këtë trajtim gjatë ditës. Në mungesë të materialeve për hemodializë, në ndërrimin e pasdites që nisi në orën 13:00 nuk pati pacientë në repart.

Në orën 14:00 shtretërit ishin të zbrazët.

Një punonjëse nga Reparti i Hemodializës tha se institucioni është dashur të furnizohej të mërkurën, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas saj, material pati vetëm për pacientët e paradites.

“Tetë pacientë paradite, 12 pasdite. Disa e kanë edhe dy herë në javë, tash vijnë prej jashtë. Tash është më vështirë. Pritet ndërrimi i dytë prej orës 1, po s’kanë pru material. Veç kapak, për 2-3 ditë, po na sjellin”, tha ajo.

Një prej pacientëve që arriti të kryejë këtë shërbim të mërkurën është Tahir Shabani. 

Megjithatë edhe ai është detyruar të blejë vetë disa gjëra të nevojshme për procesin.

“Që 10 vjet e marr dializën. Disa injeksione na kanë ra me i ble vetë. Nëse ndalet, duhet me nejt pa dializë, se s’muna me shku larg me e marrë”, tha Tahiri.

Mungesën e materialit e ka konfirmuar drejtori i Repartit të Hemodializës, Afrim Bekteshi, i cili ka thënë se për në ditët në vazhdim mbetet në dorën e SHSKUK-së se si do kryhet ky shërbim.

Spitali i Gjilanit ka mbetur pa material për hemodializë, pasi tenderi i rregullt për furnizim është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Edhe spitale të tjera në vend kanë konfirmuar se kanë fare pak material dhe se rrezikojnë ta ndalin këtë shërbim gjatë ditëve në vijim. 

Por SHSKUK-ja, institucioni përgjegjës për furnizim të spitaleve ka mohuar se qendrat e dializës kanë mbetur pa material.

Për shkak të bllokimit të tenderit të rregullt për furnizim me materiale të hemodializës, para pak ditësh është hapur tender emergjent, ku kanë aplikuar dy kompani “MediHealth” dhe “MediCom”. 
Të dyja janë refuzuar, pasi çmimet me të cilat kanë ofertuar ishin më të larta se vlera e parashikuar e tenderit.

Hemodializa u bëhet personave, veshkat e të cilëve e humbin funksionin, e për pasojë u duhet ta pastrojnë gjakun 2 ose 3 herë në javë.