Arbëri

Bllokimi i buxhetit, sindikatat paralajmërojnë partitë politike për pasoja të rënda

Sindikatat e punëtorëve të sektorit publik kanë paralajmëruar pasoja të rënda për punëtorët dhe qytetarët nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për miratim të buxhetit për vitin e ardhshëm ose zgjatjen e buxhetit për tre muajt e parë të vitit. Mosprocedimi i ligjit për buxhetin e vitit 2026, krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucionet publike, i lë pa të ardhura 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë e mbi 12 mijë familje të dëshmorëve dhe invalidëve të punës

Mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme pa miratim të buxhetit për 2026 ose zgjatjes së buxhetit aktual për tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, ka rritur frikën te punonjësit e sektorit publik. 

Përfaqësuesit e sindikatave të sektorëve kyç të vendit, shëndetësisë, arsimit, administratës publike dhe policisë thonë se në rast të bllokimit institucional, mund të cenohet funksionimi i shërbimeve bazike. 

Pacientët rrezikohen të mbesin pa barna esenciale, e rreth 14 mijë punonjës të sektorit të shëndetësisë të mbesin pa paga. 

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri, thotë se pasojat në këtë sektor do të jenë të menjëhershme.

“Sektori i shëndetësisë është më i godituri, për arsye se mund të mbetet pa financim të rregullt të barnave, mund të mbesin spitalet pa dallim të përballen me mungesë të materialeve. Edhe tani kemi kriza të mëdha dhe mungesa të mjeteve bazike që përdoren në shëndetësi, prandaj edhe mosformimi i qeverisë dhe mosaprovimi i buxhetit do të krijojë një hendek shumë të madh e po ashtu të krijojë një frikë dhe pasiguri te punëtorët shëndetësorë se mund të mbesin pa paga”, ka thënë Imeri. 

Situatë të ngjashme e përshkruan edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës Publike, Ali Gashi, i cili i ka bërë thirrje partive që të mos luajnë me fatin e punëtorëve.

“Partitë politike për këtë votohen, për të pasur zgjedhje. Nuk janë duke ndarë livadhet e as malet e baballarëve të tyre, por janë aty falë besimit të qytetarëve, falë pensionistit, doktorit, policit, shërbyesit civil, mjekut, mësuesit e profesorit. Prandaj e kanë obligim te ne që ata të bëjnë një zgjidhje e të mos luajnë me fatin e qytetarëve, e të punësuarve në Republikën e Kosovës, sepse është e pafalshme, ata le të bëjnë politika tjera, por jo duke vënë në rrezik qytetarin”, është shprehur Gashi. 
Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, paralajmëron se pasojat do të ishin të ndjeshme edhe për mbi 30 mijë punëtorë të arsimit, të cilët e kanë pagën si të vetmin burim jetese.

“Tërë ky numër dhe tërë këto familje kanë pikëpyetje se çfarë do të ndodhë, nëse mbesin pa paga. Fillimisht nuk kanë si të jetojnë se shumica e punëtorëve të arsimit pagën e kanë të vetmin mjet për të jetuar, e aq më keq do të kenë telashe edhe me bankat, pasi në situatën që jemi me pagat që i kanë janë edhe në kredi. Mospagesa e ndonjë rate do t’i sanksiononte edhe me dënime shtesë”, ka theksuar Jashari.

Në mungesë të miratimit të buxhetit vihen në rrezik edhe pagesat e mbi 11 mijë policëve, për çka Sindikata ka kërkuar garanci nga Qeveria në detyrë që të paguhen rregullisht pagat edhe nëse buxheti nuk miratohet me kohë.

“Në Policinë e Kosovës është ngritur shqetësimi se në rast të zvarritjes së mëtejshme të këtij procesi, nga muaji janar mund të paraqiten vështirësi në ekzekutimin e pagave për sektorin publik, përfshirë edhe zyrtarët policorë. Në këtë drejtim, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës në detyrë dhe Ministria e Financave: Të japin garanci që pagat e mbi 11000 punonjësve në Policinë e Kosovës, do të vazhdojnë të paguhen rregullisht edhe nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë”, ka thënë Avdi Hoti, kryetar i Sindikatës së Policisë. 

Partitë politike nuk kanë dhënë sinjale për arritjen e një marrëveshjeje që do të shtyjë përpara miratimin e buxhetit për 2026 apo zgjatjen e afatit për tre muaj të buxhetit aktual. 

Për dallim nga ditët e tjera, në LDK kanë shprehur gatishmëri që nëse vendi shkon në zgjedhje të miratohet vazhdimi i buxhetit. 

“Në takim me presidenten dje i kam shprehur gatishmërinë e analizës së vazhdimit të buxhetit paraprak, pranë qoftë se ka dakordim politik me të gjitha partitë politike që po shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Abdixhiku në një konferencë për media mbajtur të mërkurën.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kanë ofruar zgjidhje për të shmangur bllokimin e buxhetit, duke propozuar për mandatar Glauk Konjufcën.

“Vetë mbledhja e fundit e Kryesisë së Kuvendit ishte ftuar pikërisht për këtë temë, që të gjendet një zgjidhje e përbashkët për temat që na presin përpara si votim i buxhetit të shtetit, buxhetit të RTK-së dhe të tri komunave që ende operojnë me buxhet të vitit të kaluar në pamundësi për të votuar buxhetin në asambletë e tyre përkatëse. Në atë mbledhje partitë opozitare refuzuan kategorikisht. Tash përveç atij opsioni e kanë edhe mandatarin tjetër të propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca dhe i ftojmë ta votojnë edhe kësisoj të shmangim ndër të tjera edhe sfidat e përmendura më lart”, thuhet në deklaratën e LVV-së. 

Mosprocedimi i Ligjit për buxhetin e vitit 2026, krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucionet publike, i lë pa të ardhura 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë e mbi 12 mijë familje të dëshmorëve dhe invalidëve të punës.